Sfidat reale dhe përralla e uljes drastike të tatim- taksave

880
Nga Koço BROKA,  Ekonomist
Një ndër problemet e mprehta ekonomike e sociale të vendit tonë është thellimi i deficitit të sigurimeve shoqërore, në një kohë kur niveli i pensioneve është relativisht i ulët dhe rritja e nivelit mesatar të pensioneve reale në vitet e fundit është në nivele minimale. Kjo dukuri konfirmohet edhe nga publikimi i fundit i 5 mujorit të buxhetit të konsoliduar të buxhetit, ku shtesa e shpenzimeve të sigurimeve shoqërore është më e madhe se sa shtesa e të ardhurave të sigurimeve shoqërore. Ajo po ndodh kur janë ndërmarrë një seri masash për zgjidhjen e kësaj sfide siç janë, rritja e moshës së daljes në pension të femrave me dy muaj në çdo vit; unifikimi i pagës minimale kontribuese në pagën minimale zyrtare; rritja e periudhës së kontributit me qëllim të përfitimit të pensionit të plotë bazë nga 35 para reformës në 40 vjet deri në vitin 2025 ose 4 muaj në vit; ndryshimi i formulës së llogaritjes së pensioneve me qëllim të përforcimit të parimit kontribues, heqja e tavanit për llogaritjen e pensionit maksimal, lidhja e masës së pensionit me gjatësinë e periudhës kontributive dhe kontributet e paguara gjatë kësaj periudhe kontributive, rregullat më strikte për indeksimin e pensioneve; bashkimi i dy skemave ekzistuese të sigurimeve shoqërore (urbane dhe rurale) në një skemë kombëtare unike deri në vitin 2018. Kjo e fundit do shoqërohej me vazhdimin e rritjes të kontributit të sigurimeve shoqërore për të vetëpunësuarit në bujqësi, që kish filluar që nga viti 2002 dhe kish vazhduar deri në vitin 2013, pavarësisht nga krahët politike të mazhorancës në pushtet dhe qëndrimi i tyre i mbajtur ndaj taksës së sheshtë apo taksës progresive, rritjes apo uljes të tatim-taksave në përgjithësi. Reforma e pensioneve supozonte të shkurtojë sidomos subvencionet si për sektorin rural ashtu dhe pensionet suplementare. Ndërkohë këto përbënin dhe përbëjnë pataten e nxehtë dhe thembrën e akilit të kryerjes së reformës të plotë të pensioneve .Megjithë ngandalësimin e rritjes të defiçitit të sigurimeve shoqërore, në vitet 2014-2016, ai vazhdoi të rritej dhe parashikohet të rritet në vitet në vazhdim të paktën sipas programeve ekonomike fiskale të parashikuara për vitet e ardhshme. Këtu kanë pasur efekt vazhdimi i rritjes të kohës mesatare të gëzimit të pensionit, nga 19.5 vite në vitin 2009, në 22.5 vite në 2016 dhe pritet të ketë ndikim sidomos shtimi i numurit të pensionistëve pas vitit 2013 por dhe në vitet e ardhshme. Të bie në sy se u hoq dorë nga përafrimi i kontributit të sigurimeve shoqërore të tyre në zonën rurale me atë urbane për vitin 2016 por dhe rritja e tyre në tërësi. Sipas ISSH masa mujore e kontributit për të vetëpunësuarit në bujqësi në fund të vitit 2016 ishte po aq si në fund të vitit 2015, në zonën fushore 3200 lekë në muaj dhe në zonën malore 2450 lekë në muaj, kur masa mujore e kontributit për të vetëpunësuarit ishte respektivisht 6556 lekë. Megjithatë të ardhurat nga kontributet e drejpërdrejta nga të vetëpunësuarit në bujqësi për vitin 2016 rezultuan 1993 milionë lekë, që është niveli më i ulët edhe në terma nominale pa bërë fjalë në terma reale përsa i përket kontributeve të arkëtuara nga ky sektor gjatë gjithë periudhës 2007-2016. Edhe numuri i kontribuesve të vetëpunësuar në bujqësi gjatë vitit 2016 rezultoi në një nivel akoma më të ulët në vite, duke kapur shifrën e 53168 vetë (numur mesatar) nga rreth 460 mijë të punësuar në bujqësi sipas INSTAT. Në këto kushte raporti midis ecurisë së nivelit mesatar të pensioneve dhe rritjes së normës së kontributit të sigurimeve shoqërore në zonën rurale nga njëra anë, por dhe ecurisë të nivelit mesatar të pensioneve në tërësi por dhe pagës bruto minimale dhe maksimale mbi të cilat bëhet llogaritja e kontributit të sigurimeve shoqërore është një nga sfidat më të mëdha fiskale, sociale dhe ekonomike të ekonomisë sonë që i përngjet kalimit të ngushticës midis Skillës dhe Karbidës. Aktualisht kemi një sistem ku vetëm 1/9 e fermerëve paguajnë sigurimet shoqërore. Kjo situatë duke u shoqëruar artificialisht me një kosto e për rrjedhojë me një çmim më të ulët stimulon rritjen e eksporteve të produkteve bujqësore, të cilat janë rritur me ritme të mira dy shifrore në 6-7 vitet e fundit. Por vetëkënaqësia për rritjen e eksportit të produkteve bujqësore, të përmirësimit të raporteve midis eksporteve dhe importeve bujqësore deri në raportin 1:4, jashtë dhe pavarësisht diemensionit ekonomik, duke ofruar produkte që jo vetëm nuk paguajnë tatim-taksa (TVSH- çdo eksport përjashtohet nga pagimi i TVSH-së, tatim mbi të ardhurat apo biznesin por dhe mospagim të kontributit të sigurimeve shoqërore) shoqërohet me mbylljen e syve për rritjen e vazhdueshme të borxhit publik dhe sidomos atij të huaj, me thellimin e deficitit të skemës të sigurimeve shoqërore sidomos në zonën rurale, por dhe kufizimin e mundësisë për rritjen e pensioneve, të cilat edhe në nivelin të ulët aktual e tyre mbulohen me subvencione. Siç dihet pensioni minimal në qytet pas rritjes që u bë në muajin Mars 2017, është 15228 lekë. Ndërkohë ecuria dhe shtesa e numurit të kontribuesve të sigurimeve shoqërore nga firmat private dhe të vetëpunësuar në zonën urbane (për rrjedhojë dhe e të ardhurave të sigurimeve shoqërore), nuk kanë ndodhur gjatë viteve 2006-2013, kur ka pasur një ulje jo të vogël të normës së kontributit të sigurimeve shoqërore por gjatë viteve 2013-2016, kur kjo ulje e ndodhur vite më parë është karakterizuar nga stanjacioni dhe një veprimtari e fuqishme për formalizimin e ekonomisë. Mjafton të mbahet parasysh se shtesa e kontribuesve të sigurimeve shoqërore ne dy grupimet e sipërpërmendura gjatë periudhës 7 vjeçare ka qënë 95009 vetë , ndërsa gjatë periudhës 3 vjeçare 2013-2016 ka qënë 164443 vetë. Kjo dëshmon se ulja e tatim- taksave nuk është një zgjidhje magjike. Përkundrejt kësaj situate konkrete reale dikush pretendon :- “Pensionet minimale do të jenë 250 mijë lekë në fund të katër viteve të para. Në rast se kemi investime kemi dhe shanse që të krijojmë vende pune. E para është rritja ekonomike, dhe ekonominë e fortë e krijojnë vetëm taksat e ulta.” “ …ulje e kontributit të Sigurimeve Shoqërore në 9% si për punëdhënësin edhe për punëmarrësin etj” Ndërsa një tjetër, pyetjeve të gazetarit iu përgjigjet; Nëse elektorati shqiptar jua vendos të dyja këmbët në një këpucë dhe ju detyron të bëni koalicion, kë do të preferoni në koalicion? Për mua, së pari, është ulja e taksave që është e panegociueshme.” Ndërsa pyetjes Për cilën pikë të programit tuaj do të preferonit më mirë të rrinit në opozitë sesa në qeveri? Për mua, taksat. Sepse një ekonomi informale varfëron njerëzit. Një ekonomi e formalizuar rrit vendet e punës, pasuron njerëzit, krijon shtresën e mesme, krijon rritjen e pensioneve sepse ne sot kemi pensionet më të ulëta në botë. Sepse një kontribuues paguan tre pensione kur në fakt duhet të jetë tre kontribuues të paguajnë një pension. Duhet të jetë e kundërta. Pra ne piramidën e kemi me bazë nga lartë, në momentin që duhet të jetë me bazë nga poshtë.” Miklimet dhe përallat për uljen drastike të tatim taksave po ndeshin me sfidat reale.Pra para problemeve reale që objektivisht kanë trajtën midis Skillës dhe Karibdës, në vend që të shihen në sy e të jepet përgjigje se çdo të bëhet me Ujkun, me sfidat konkrete të reformës të sigurimeve shoqërore, ecurinë e kontributit të sigurimeve shoqërore nivelin e subvencioneve për pensionet e zonave rurale pas shkrirjes së tyre me ato urbane, flitet për gjurmët, jepen edhe deklarata të tjera ndjellse e vërtet simpatike:” Forca jonë politike “…synon të transformojë çdo “njësi prodhuese” bujqësore në një sipërmarrje fitimprurse dhe konkurruese”, por pa u ndaluar në atë që është kryesorja si do të bëhët ë mundur ky objektiv i artikuluar qartë e bukur, se cili do jetë qëndrimi do të mbahet ndaj ecurisë se nivelit të kontributit të sigurimeve shoqërore në zonën rurale por dhe numurit të paguesve të tyre. Ja pse këto zgjedhje krahas me qetësinë por dhe shpenzimet e pakta që e shoqëroi fushatën, po bëhen vërtet interesante lidhur me atë se se si do trajtohen me votë alternativat e forcave politike që po garojnë për të shtënë në dorë timonin e qeverisjes?! Para shoqërisë sonë është shtruar realisht midis të tjerash çështja:- Si njësitë prodhuese bujqësore do transformohen në një sipërmarrje fitimprurëse dhe konkurruese, duke paguar edhe fermerët për veten e tyre kontributet e sigurimeve shoqërore apo të vazhdojnë të mos i paguajnë ato?! 
Vijon nesër
Sigal