Sezoni turistik 2019, “FAFA Resort” i rezervuar 80% që tani

929
Sigal

Turistët e huaj nga Polonia, Gjermania dhe vendet nordike “pushtuan” kompleksin FAFA gjatë pushimeve verore

Resorti turistik “FAFA” ishte një nga atraksionet kryesore të pushuesve të huaj dhe vendas në vendin tonë gjatë sezonit turistik veror, në vitin që lamë pas. Kompleksi i mirënjohur i ofroi klientëve të saj kushte optimale dhe cilësi të lartë, për sa i përket shërbimit, akomodimit dhe argëtimit.

Fatos Çerenishti, drejtues i “FAFA Resort”, rivlerëson 2018, si një vit shumë të mirë për turizmin shqiptar. Si sipërmarrës, ai thotë se sezoni i kaluar ka pasur disa veçori ndryshe nga vitet e mëparshme. “Viti 2018 ka qenë shumë i suksesshëm për të gjithë turizmin, jo vetëm për “FAFA Resort”. Arsyeja e parë lidhet me faktin se pati një turizëm të organizuar si asnjë vit më parë, me charter-e, me prenotime të mëparshme nga agjenci të huaja. Arsyeja e dytë është se 2018 njohu zgjatjen e sezonit më shumë se sa vitet e mëparshme, duke u favorizuar edhe nga moti i mirë deri në vjeshtë. Turistët e huaj erdhën me opinione jo shumë pozitive por e rëndësishme është që mbetën të kënaqur, brenda pritshmërive”, – u shpreh Çerenishti. Sipas tij, 2019-a do të jetë si 2018, me ndoshta një rritje të lehtë. “Prenotimet deri më tani kanë arritur në 80% të kapacitetit tonë akomodues. Presim që rezervimet të vijojnë në fillim të vitit”, – tha ai.
Sa i përket nacionaliteteve vitin e kaluar, turistët ishin kryesisht polakët, nordikë në përgjithësi, izraelitë, si dhe gjermanë, të cilët mendohet se do të vijojnë të kryesojnë edhe në 2019-n. “Si çdo sipërmarrje, edhe turizmi ka vështirësi të shumta. Turizmi është lokomotiva ekonomike, ky vend mund të ketë perspektivë vetëm nëse i japim përparësi turizmit dhe zhvillimit të tij. Tre vitet e fundit ka pasur kërkesë nga agjencitë e huaja, sidomos çeke në fillim e më pas polake, dhe tani industria e turizmit po pret turistë nordikë. Turistët ankohen më së shumti për infrastrukturën, pasi ata thonë, se gjithçka tjetër është në rregull, por nuk ka ndriçim rrugësh. Rruga nga Mali i Robit deri në Golem, është shtruar, por ende nuk ka ndriçim dhe turistët janë shumë të ndjeshëm, sepse sigurinë e kanë të rëndësishme. Agjencitë turistike kanë shkuar në çdo institucion për të kontrolluar sigurinë, kanë sjellë edhe ekspertë të tyre për të matur ndotjen”, – deklaroi z. Çerenishti. “Fafa Premium” është i pozicionuar në Malin e Robit, dhe ndodhet vetëm 15 km nga qendra e Durrësit dhe 35 km nga Aeroporti “Nënë Tereza”.