Sejko: Vjedhja e Thesarit erdhi për shkak të mungesës së menaxhimit

176

TIRANE – Kandidati i dekretuar nga Presidenti për Guvernator të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka theksuar se mungesa e menaxhimit dhe administrimit të BSH, ka sjellë edhe skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Thesarin e Shtetit.

Deklaratat Sejko i ka bërë në seancën dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë, ku ai prezantoi vizionin e tij, për drejtimin e Bankës së Shqipërisë.

Sipas Sejkos, duke shpjeguar vizionin e tij, u shpreh se vëmendja më e madhe duhet përqendruar tek politika monetare dhe menaxhimi. Lidhur me këtë të fundit, kandidati kryesor për drejtimin e BSH, nënvizoi se mungesa e menaxhimit solli edhe vjedhjen e Thesarit.

“Vizioni im bazohet në katër çështje: Së pari Menaxhim-Administrim. Do theksoja së nuk ka çështje të vogla. Vëmendja më e madhe vërtetë është fokusuar tek politika monetare dhe mbikëqyrja, por menaxhimi është i rëndësishëm, pasi mungesa e tij solli ngjarjen në Thesar. Kjo është e lidhur edhe me Inspektorin e Përgjithshëm. Burimet njerëzore janë shumë të rëndësishme. Janë një vlerë për BSH-në, por duhen parë politikat e rekrutimit, duhen parë rregullat e promovimit që nga fillimi e deri tek rritja në karrierë.” theksoi Sejko.

Sejko: Këshilli Mbikqyrës t’i rikthehet funksionimit dhe rolit kontrollues, jo të bëjnë çfarë u thotë Guvernatori
Nga ana e tij kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe e ka pyetur kandidatin lidhur me rolin e Këshillit Mbikqyrës, dhe rikthimin e bordit drejtues në ligjshmëri, pasi sipas Braçes ekziston shqetësimi se Këshilli Mbikqyrës është kthyer në një nivel formimi klientelist dhe me fuqi drejtuese në nivele minimale.  

Në vizionin e tij, Sejko është shprehur se është shumë e rëndësishme rikthimi i Këshillit Mbikqyrës në një nivel më proaktiv, për të ushtruar rolin e tij kontrollues. Sipas Sejkos, vetë Banka e Shqipërisë, ka nevojë për rikthimin e rifunksionimin e Këshillit Mbikqyrës dhe jo të jetë një organ drejtues që bën çfarë thotë Guvernatori.

Ndër të tjera, Gent Sejko nënvizoi se praktikat e deritanishme ku para bordit drejtues  paraqiten vetëm për firmë vendime që kanë të bëjnë me shpenzime i duhet dhënë fund.

“Së pari besoj se e dini që shqetësimikryesor ka të bëjë me funksionimin e rolin e Këshillit Mbikqyrës të BSH dhe gjithë ajo çka ka ndodhur, një analizë të bërë në këtë komision, shqetësimi ynë ka qenë ky, pavarësisht se ligji, të gjithë fuqinë drejtuese, ia ka dhënë bordit drejtues, për fat të keq këtë rol e kanë marrë ose Guvernatori ose ndonjë tjetër. Ka ndodhur që formimi i KM në një nivel politik e klientelist, ka bërë që fuqia drejtuese të jetë në nivele minimale. Thënë këtë cili është vizioni juaj?” u shpreh Braçe

“Vizioni im është që ky Këshill Mbikqyrës të jetë sa më i evolvuar në çështjet e brendshme të BSH. Nuk duhet të kufizohet vetëm në leximin e rregulloreve, por duhet të jetë më proaktiv. Nga njëra anë ky Këshill që është i përbërë nga profesorë, por nga ana e tjetër ky këshill duhet të ketë informacion dhe kontroll dhe duhet të jetë promotor i vendimeve kolegjiale. Nuk duhet të jetë i përbërë nga disa persona që bëjnë çfarë u thotë Guvernatori. Nga pikëmamja ligjore i ka të gjitha kushtet të jetë në këtë drejtim. Shumë vendimmarrje bëhen me vendim të Këshillit Mbikqyrës, por nuk duhet përdorur si ent prokurues. Kam dëgjuar se para Këshillit Mbikqyrës janë prezantuar për firmë disa nga vendimarjet që kanë të bëjnë me shpenzime. Këshilli Mbikqyrës duhet të dijë se çfarë ndodh. Jemi para një fakti që ka ndodhur një ngjarje e rëndë. Megjithatë BSH ka nevojë për rikthimin dhe rifunskionimin  e saj edhe të Këshillit Mbikqyrës. Besoj se pësimi duhet të bëhet mësim.” nënvizoi Sejko

Gent Sejko u dekretua nga Presidenti Nishani si kandidat për Guvernator i BSH-së, ndërkohë që dje kandidatura e tij për Këshillin Mbikëqyrës u mbështet edhe nga Partia Socialiste.