Sejko takon Rokanas: Mbështesim bankat me kapital grek në Shqipëri

734
Guvernatori Sejko siguroi Ambasadorin grek Rokanas se Banka e Shqipërisë do të ofrojë mbështetje të plotë për bankat me kapital grek dhe theksoi se zgjidhja e krizës greke është në të mirë të të dyja vendeve. Këto, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Sejko i ka diskutuar me ambasadorin grek në Shqipëri në një takim të zhvilluar dje në ambientet e bankës.
“Banka e Shqipërisë shpreson që në të ardhmen e afërt bankat shqiptare me kapital grek do të kthehen përsëri në parametrat historikë në lidhje me kreditimin e ekonomisë”-tha Sejko
Sejko theksoi se Greqia përbën një partner tregtar të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shprehu besimin e tij se populli grek do të gjejë forcat për të kapërcyer këtë moment të vështirë. Më tej, Guvernatori Sejko, e njohu Ambasadorin e Republikës së Greqisë në Tiranë, me rolin e rëndësishëm që luajnë bankat shqiptare me kapital grek në sistemin financiar shqiptar. Këto banka, për më shumë se dy dekada, kanë qenë aktorë të rëndësishëm në mobilizimin e kursimeve të popullatës dhe kanalizimin e tyre në financimin e ekonomisë. Aktualisht, ato gëzojnë gjendje të shëndoshë financiare, likuiditeti dhe kapitalizimi.
Ambasadori Rokanas vlerësoi rolin e rëndësishëm të bankave shqiptare me kapital grek, duke nënvizuar se Greqia ka qenë vazhdimisht për vite investitori i parë i huaj në Shqipëri, si dhe një faktor nxitës i ekonomisë së vendit. Greqia ka qenë një mbështetëse e fortë e përpjekjeve të Shqipërisë për të krijuar një mjedis të shëndetshëm biznesi, për të tërhequr investime të huaja të mëtejshme, për të forcuar rritjen ekonomike të vendit, e për rrjedhim, për të siguruar prosperitet më të madh në Shqipëri. Në këtë kuadër, Ambasadori Rokanas, përgëzoi punën e bërë dhe mbështetjen e Bankës së Shqipërisë në drejtim të ruajtjes dhe garantimit të sistemit financiar në vend. 
Sigal