Sejko: Shqipëria, me avantazhe konkurruese

846
Perspektiva pozitive e rritjes ekonomike, avantazhet konkurruese që ofron Shqipëria në terma të pasurive natyrore, të pozicionit të favorshëm gjeografik, si dhe stabilitetin në rritje që ofron procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, e shndërron Shqipërinë në një destinacion të përshtatshëm biznesi dhe investimi. Ky ka qenë një ndër mesazhet kryesore që Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka përcjellë gjatë Forumit të “Euromoney”. Ky forum zhvillohet çdo vit dhe mbledh në një tryezë të përbashkët diskutimi personalitete të njohura ndërkombëtare nga fusha politike, ekonomike e financiare nga vendet e EQL-së. Punimet e këtij forumi dyditor ishin konceptuar në formën e paneleve me tema specifike, ku të pranishmit ishin të ftuar të diskutonin mbi zhvillimet më të fundit ekonomike në vendet e Evropës dhe më gjerë. Një rëndësi të veçantë në këtë organizim kishin paneli i dedikuar Shqipërisë dhe ai i bankave qendrore. Gjatë zhvillimit të panelit, guvernatori Sejko bëri një panoramë të zhvillimeve më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, si dhe i njohu të pranishmit me sfidat kryesore me të cilat përballet ekonomia shqiptare, në kuadrin e politikave makroekonomike dhe reformave strukturore të nevojshme për të nxitur rritjen ekonomike dhe përmirësimin e klimës së biznesit, për tërheqjen e investime të huaja në Shqipëri.
Sigal