SA dhe EFT fitojnë me 5 euro më shtrenjtë ankandin e energjisë së dhjetorit

722
Sigal

Rreth 14 milionë euro importi në një muaj, EFT merr 45 për qind të tortës, GSA 30 %

Konkurrenca pritet të përfundojë hetimin e nisur në shtator 2014

 Që më 1 dhjetor ka filluar importimi i energjisë për muajin dhjetor, por lajmi është se në ankandin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike diferencat mes ofertave fituese janë më shumë se 5 euro për megavat/orë ose rreth 10 %. Në faqen zyrtare të internetit, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka publikuar rezultatet e blerjes së energjisë për muajin dhjetor 2014, ku rezulton se ka diferenca të mëdha mes çmimeve sipas kompanive të shpallura fituese.

Torta prej 14 milionë eurosh për fituesit e tenderit

Nëse krahasojmë çmimin e fituesit GEN-I Tirana prej 52.54 Euro/MWh me GSA sh.p.k, e cila ka fituar me çmimin 58.15 Euro/MWh diferenca është 5.61 euro ndërsa me EFT që ka fituar me çmimin 57.75 Euro/MWh diferenca është 5.21 euro, ose rreth 10 për qind. Kjo diferencë është e konsiderueshme po të kemi parasysh sasitë e mëdha të kontraktuara nga këto dy kompani. EFT dhe GSA kanë dhe pjesën kryesore të tortës prej 14 milionë e 12 mijë e 718 euro, pasi respektivisht EFT zotëron 45 për qind të tregut ndërsa GSA rreth 30 për qind të tregut dhe në total rreth 75 për qind të tregut. Kontrata më e madhe është nënshkruar me EFT në shumën 6.444.900 Euro, ndërsa me GSA në shumën 4.326.360 Euro. Nëse bëjmë një llogaritje të thjeshtë me sasitë fituese, diferenca në rast se çmimi do të ishte sa ai i konkurrentit me çmim më të ulët është rreth 415 mijë euro për GSA dhe rreth 560 mijë euro për EFT, pra në total rreth 1 milionë euro.

 Konkurrenca: po hetojmë marrëveshje në tendera

Tregu i blerjes së energjisë elektrike nga OSHE është nën hetim. Sipas vendimit Nr. 326, datë 08.09.2014 të Komisionit të Konkurrencës, është vendosur “Për hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e tregtimit të energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në sistemin e shpërndarjes”. Autoriteti i Konkurrencës nuk ka publikuar emrat e shoqërive nën hetim, por agjencia investiguese BIRN ka zbuluar se bëhet fjalë pikërisht për dy kompanitë më të mëdha që kanë fituar pjesën dërmuese të tenderave të energjisë gjatë vitit 2014, EFT dhe GSA. Sipas vendimit, pranë Autoritetit të Konkurrencës është depozituar një ankesë me lëndë “ankim mbi marrëveshjet/praktikat e ndaluara në tenderin e blerjes së energjisë elektrike nga OSHEE SHA për periudhën Janar – Korrik 2014”, në lidhje me dyshime të besueshme mbi praktika të bashkërenduara/marrëveshje të ndaluara në tenderin e blerjes së energjisë elektrike nga ana e OSHEE SHA (ish-Cez Shpërndarje SHA) në dëm të konkurrencës së lirë dhe të vërtetë në treg”. Ankimuesi në mënyrë të përmbledhur pretendon se “ofertat e paraqitura nga disa prej operatorëve janë të paarsyeshme dhe mbi çmimin e tregut dhe me diferenca të papërfillshme me njëri tjetrin, me 5 cent dhe ka koordinim për sasitë e ofertuara dhe se skualifikimi i ofertave me çmime konkurruese ka sjellë humbje për OSHEE-në, buxhetin e shtetit dhe për konsumatorin përfundimtar”.

Tregu i energjisë elektrike rregullohet me anë të Ligjit nr. 9072, datë 22.05.2003 “Për sektorin e energjisë elektrike”, i ndryshuar. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike SHA (ish-Cez Shpërndarje SH.A) në bazë të Modelit të Tregut të Energjisë Elektrike, është i vetmi operator që ka të drejtën ekskluzive të shpërndarjes dhe furnizuesit publik me pakicë të energjisë elektrike dhe detyrimin ligjor të sigurojë energjinë elektrike për mbulimin e humbjeve. Segmenti i tregut të energjisë elektrike për blerjen e OSHEE-së për mbulimin e humbjeve sipas Modelit të Tregut të Energjisë Elektrike, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave me nr.338, datë 18.3.2004, është i vetmi segment i liberalizuar dhe ku mund të zhvillohet konkurrenca, pasi OSSHEE ka të drejtë të prokurojë energjinë nga operatorët e licensuar. Për të evidentuar kufizimet e mundshme të konkurrencës nga sjellja e pjesëmarrësve në procedurat e prokurimit të energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve nga ana e OSHEE-së, që mund të sjellin pengimin, kufizimin dhe shtrembërimin e konkurrencës në treg, në kuptim të nenit 4 të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Në konkluzion, Komisioni i Konkurrencës ka vendosur për hapjen e procedurës së hetimit paraprak ndaj ndërmarrjeve që marrin pjesë në procedurat e prokurimit të energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në sistemin e shpërndarjes. Periudha e hetimit do të jetë Janar – Shtator 2014. Sipas vendimit, përgatitja e raportit të hetimit paraprak, jo më vonë se 3 muaj nga dalja e këtij vendimi ose rreth datës 9 dhjetor 2014.

 OSHE: Procedura dhe fituesit e dhjetorit

 Në njoftimin e OSHE-së, publikohet procedura dhe rezultatet e ankandit. OSHEE thotë se në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 338 datë 19.03.2008 “Për miratimin e Modelit të Tregut të Energjisë Elektrike” (i ndryshuar), si dhe në bazë të Vendimit Nr. 9 datë 06.02.2014 të Entit Rregullator të Energjisë “Rregullat dhe procedurat e blerjes nga KESH sh.a. të energjisë elektrike”, miratuar me vendimin Nr.30, datë 23.03.2011, të Bordit të Komisionerëve të ERE-s dhe në zbatim të urdhrit të Titullarit të Autoritetit Blerës për zhvillimin e procedurës së blerjes me subjekt “Për blerjen e energjisë elektrike për periudhën 01.12.2014 – 31.12.2014”, Komisioni i Blerjes së energjisë elektrike zhvilloi procedurën e blerjes së energjisë elektrike, duke ftuar të marrin pjesë shoqëritë tregtare dhe prodhuese për të paraqitur ofertat e tyre. Pas dërgimit të ofertave nga shoqëritë tregtare dhe/ose prodhuese, komisioni i blerjes administroi dhe vlerësoi ofertat e paraqitura prej tyre. Më pas komisioni i blerjes bëri kualifikimin e ofertave dhe vazhdoi procedurën e negocimit me shoqëritë prodhuese/tregtare që paraqiten ofertat në fazën e parë të procedurës së zhvilluar nga OSHEE sh.a. me datë 25.11.2014 për “Blerje e energjisë elektrike për periudhën 01.12.2014 – 31.12.2014”.

Në përfundim të procedurës së negocimeve, OSHEE sh.a me datë 26.11.2014 përcaktoi fituesit e mëposhtëm:

Shoqëria GEN-I Tirana sh.p.k.: Kapaciteti: 30 MW; Sasia: 22.320 MWh; Çmimi/njësi: 52.54 Euro/MWh; Vlera totale: 1.172.692,80 Euro;

Shoqëria GEN-I d.o.o. Belgrade: Kapaciteti: 40 MW; Sasia: 29.760 MWh; Çmimi/njësi: 55.39 Euro/MWh; Vlera totale: 1.648.406,40 Euro;

Shoqëria EFT Albania sh.p.k.: Kapaciteti: 5 MW; Sasia: 3.720 MWh; Çmimi/njësi: 55.95 Euro/MWh; Vlera totale: 208.134 Euro;

Shoqëria AXPO Belgrade d.o.o.: Kapaciteti: 5 MW; Sasia: 3.720 MWh; Çmimi/njësi: 57.05 Euro/MWh;Vlera totale: 212.226 Euro;

Shoqëria EFT AG: Kapaciteti: 150 MW; Sasia: 111.600 MWh; Çmimi/njësi: 57.75 Euro/MWh; Vlera totale: 6.444.900 Euro;

Shoqëria GSA sh.p.k.: Kapaciteti: 100 MW; Sasia: 74.400 MWh; Çmimi/njësi: 58.15 Euro/MWh; Vlera totale: 4.326.360 Euro;

Kontratat e mësipërme do të nënshkruhen përpara datës 1 Dhjetor 2014. Në vijim të kontratave të lidhura, shoqëritë, GEN-I Tirana sh.p.k., GEN- I d.o.o. Belgrade, EFT Albania sh.p.k, AXPO Belgrade d.o.o., EFT AG dhe GSA sh.p.k. do te fillojnë lëvrimin e energjisë elektrike në OSHEE sh.a., sipas kushteve të përcaktuara./Monitor