Rritet në gusht sasia e parasë jashtë sistemit bankar

700
Sigal

TIRANE– Paraja jashtë bankave ka vazhduar rritjen e shpejtë edhe në gusht, për të katërtin muaj radhazi, sipas statistikave mujore të pubikuara nga Banka e Shqipërisë. Në të kundërt, depozitat me afat në lekë po tkurren ndjeshëm, duke shënuan rënien më të madhe mujore të këtij viti në gusht. Në fund të muajit gusht, paraja jashtë bankave arriti në në 205.8 miliardë lekë, me një rritje prej 3.8 miliardë lekësh, apo rreth 2% më shumë në raport me muajin e mëparshëm. Në krahasim me marsin 2014, kur filloi kjo tendencë rritëse, kanë dalë jashtë bankave rreth 12 miliardë lekë, apo rreth 87 milionë euro.

Tendencë tërësisht të kundërt kanë paraqitur depozitat me afat në lekë, të cilat kanë rënë ndjeshëm përgjatë këtij viti. Në gusht ato arritën në 376 miliardë lekë, me një tkurrje prej 6.8 miliardë lekë në raport me muajin e mëparshëm. Ndërsa në raport me marsin 2014 ato janë tkurrur me 14 miliardë lekë, apo rreth 100 milionë euro.

Gushti është një muaj, ku sezonalisht konstatohet një rritje e depozitave në sistemin bankar, si rrjedhojë e kthimit të emigrantëve në atdhe. Gjithsesi, shtesa e depozitave në banka në gusht 2014 ishte vetëm 4.5 miliardë lekë, shumë më pak se shtesa prej 13 miliardë lekë, që u konstatua të njëjtin muaj të 2013-s dhe 17 miliardë lekë në gusht 2012.