Sigal

Që nga viti 1990 deri në fund të vitit 2017, vendet e Ballkanit Perëndimor janë goditur nga 100 fatkeqësi natyrore, nga të cilat janë prekur 3.8 milionë njerëz dhe janë shkaktuar 3.5 miliardë lekë dëme. Rajoni i Ballkanit vlerësohet të jenë në ndikimin e lartë të ndryshimeve të klimës dhe fatkeqësive natyrore në rang global dhe Shqipëria gjithashtu. Bilanci flet se që nga viti 1990 e deri në fund të vitit 2017 janë prekur 962,326 shqiptarë nga fatkeqësitë natyrore, kryesisht përmbytjet. Për një përmbytje të natyrës si ajo e vitit 2010, humbjet e PBB-së në Shqipëri vlerësohen 6%, ndërsa në Maqedoni 18%. Ndryshimi i klimës dhe urbanizimi i zonave me potenciale të larta rreziku nga fatkeqësitë natyrore do të katërfishojë rreziqet në Shqipëri dhe në Ballkan deri në vitin 2080, paralajmëron Banka Botërore. Vetëm gjatë majit 2014, reshjet e pashembullta në Bosnjë dhe Hercegovinë prekën 1 milion njerëz, 25% e popullsisë, duke shkaktuar humbje dhe dëme materiale të barasvlershme me rreth 15% të PBB-së së vendit. Në Serbi, dëmet dhe humbjet u vlerësuan në 4.7% të PBB-së. Sa i përket ndikimit në rritjen e PBB-së, fatkeqësitë natyrore në Serbi janë më të rënda dhe ndodhin më shpesh. Bujqësia është sektori më i dëmtuar. Për shkak të ndryshimeve klimatike, pesha e bujqësisë në PBB-në e rajonit ka rënë nga 17% në 10%. Si pasojë e ndryshimeve janë rritur edhe potencialet për rrezikun nga zjarri. Rreziqet nga zjarret janë tashmë të mëdha në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, të nxitura nga temperaturat ekstreme. Si frekuencat e reshjeve ashtu edhe ato me thatësi pritet të përkeqësohen. I gjithë rajoni do të preket, por thatësira do të kenë më shumë pasoja në Shqipëri, në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Malin i Zi dhe jugun e Bosnjës./monitor