Rrëshqitje e fortë e euros në tregun vendas

886
Euro vijon të humbë pikë në tregun vendas. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro është këmbyer dje me 132.91 lekë, me 0.1 pikë më pak se një ditë më parë. Prej 10 ditësh monedha e përbashkët po humb pikë kundrejt lekut vendas. Kjo është periudha më e gjatë me rënie e euros përkundrejt lekut në tregun vendas, pas periudhës para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare kur euro u zhvlerësua për 18 ditë radhazi dhe preku nivelin më të ulët të 9 viteve duke u këmbyer me 131.9 lekë. Ky nënçmim nuk shpjegohet me bursa ndërkombëtare. Ndryshe nga tregu vendas, euro ka fituar pikë ndaj dollarit në tregjet ndërkombëtare. Një euro është këmbyer me 1.23 dollarë, sipas “Financial Times”, 0.4 pikë më shumë se një ditë më parë. Sipas ekspertëve të tregjeve të këmbimit valutor dhe bankierëve ka shumë arsye të brendshme që po e mbajnë euron të dobët. Së pari, sipas ekspertëve të tregut një prej arsyeve të forcimit të lekut është qarkullimi i ulët, duke qenë se në shkurt aktiviteti i i biznesit ka shënuar minimumin vjetor. Importet mbeten minimale, duke ulur kërkesën për valutë. Së dyti, me afrimin e afatit të fundit të pagesës së detyrimit të TVSH-së në datë 14, dhe të pagesës së sigurimeve me ditës 20, bizneset po përdorin kursimet në valutë. Së treti, një tjetër faktor që ka ndikuar në zhvlerësimin e euros në tregun vendas janë deklaratat e Bankës së Shqipërisë ndaj masave që do të marrë për de-euroizimin e ekonomisë. Banka e Shqipërisë ka ngushtuar mundësitë e investimit të euros, duke bërë që bankat të mos jenë më të prira të kryejnë transaksionet në euro. Ndërsa bizneset kanë filluar të përdorin monedhën vendase për transaksionet e shit-blerjes. Së katëri, një nga faktorët më të rëndësishëm është oferta e lartë për valutë, që po vjen kryesisht nga dy drejtime, rigjallërimi i remitancave, teksa numri i shqiptarëve që lënë vendin është rritur dukshëm vitet e fundit (INSTAT raportoi se në 7 vjet kanë lënë Shqipërinë 330 mijë persona, të cilët duke u integruar gradualisht në tregun e punës fillojnë e dërgojnë para në shtëpi). Drejtimi i dytë, që po ndikon prej më shumë se një viti është ai i parave që po hyjnë nga ekonomia kriminale.

Aktorët e tregut valutor presin që euro të bjerë edhe më tej në muajt në vijim. Referuar të dhënave historike të ecurisë së kursit të këmbimit, ata shtojnë se gjatë tre muajve të parë të vitit monedha e përbashkët kap nivelin më të lartë të këmbimit ndaj lekut. Prandaj raporti i këmbimit euro-lek bazuar tek trendi historik mund të arrijë poshtë nivelit të 133 lekëve në muajt në vijim. Edhe monedha e gjelbër ka vijuar të nënçmohet në vend, duke zbritur sërish poshtë nivelit të 108 lekëve, me 0.66 pikë më pak se një ditë më parë, duke reflektuar nivelin e dobët në bursa.
Sigal