Riza Hoxha/ Dështon premtimi i Haxhinastos për tenderin e Rrugës së Kombit

769
Pas fitores të gjithë shpresonim se “Rilindja” do të bënte të ditur koston, do të bënte të ditur sa ishte vjedhja e kryer, sa do të ishte fondi për përfundimin e të gjitha punimeve. Sepse ishte e majta që e ngriti në majë vjedhjen e kryer nga ish – Ministri Basha, ndërsa çuditërisht tani po hesht
Po ndiqet me interes ecuria e garës për të nxjerrë kompaninë fituese koncensionare të autostradës së Kombit. Ishte vetë Ministri i Transportit Edmond Haxhinasto që bëri të ditur rreth një muaj më parë se mq 15 tetor 2015 bëhet hapja e garës për kompaninë fituese të kontratës konçensionare për mirëmbajtjen e rrugës së Kombit. Në garë për të nxjerrë kompaninë fituese janë 4 kompani të huaja. Koncensioni është i kombinuar, mirëmbajtje dhe përfundim, pasi rruga ka nevojë për disa investime kapitale të rëndësishme për të përfunduar si vepër. Tarifa që parashikohet të hyjë në veprim për çdo automjet që kalon në Rrugën e Kombit do të jetë 5 euro me TVSH për mjetet e vogla, ndërsa për mjetet e tjera të transportit ka një formulë ngjitjeje të njohur ndërkombëtarisht.
Të gjitha këto hapa janë tashmë të njohura për të gjithë të interesuarit. Mbetet për t’u parë vetëm hapi i fundit, kompania që do të marrë përsipër mirëmbajtjen e autostradës për një periudhë 30 – vjeçare. Është tenderi i dytë që organizohet për dhënien me koncension të mirëmbajtjes së autostradës së Kombit. Tenderi i parë u organizua 4 vjet më parë, por dështoi. Asnjë prej kompanive të paraqitura nuk mori përsipër kryerjen investimeve në segmentet e autostradës ku ende puna as nuk kishte nisur, apo sapo kishte nisur.
Kushtet për fituesin e tenderit
Vetë gara ka si kusht që fituesi i garës të kryejë investimet ende të panisura, apo ende të pambaruara. Dhe këto nuk janë pak, kur mëson se koncensionari do të marrë nën hyqmin e tij segmentin Milot – Morinë për ta mirambajtur mbi bazën e një standardi të paracaktuar në kontratë. Kontrata për kompaninë fituese përmban mirëmbajtjen e autostradës, të tunelit të Kalimashit, punimet shtesë për stabilizimin e pjerrësive dhe masat mbrojtjëse për të parandaluar mbylljen e rrugës sa herë ka rreshje, instalimin e ndriçimit, ndërtimin e kryqëzimeve ku duhet. Po ashtu koncensionari do të duhet të nisë punën edhe për ndërtimin e një ure të re në liqenin e Fierzës në hyrje të qytetit të Kukësit. Po ashtu aty duhet të ndërtojë edhe një tunel që mundëson eliminimin e kthesës 90 gradëshe nga ura në hyrje të autostradës. Edhe ndërtimi i këtij tuneli është parshikuar që në fillim në projektin e rrugës. Po ashtu në segmentin Kukës – Morinë duhen mbyllur punimet që vazhdojnë prej vitit 2010 për dualizimin e 7 urave në segmentin Kukës – Morinë. Edhe segmenti Milot – Rrëshen duhet kthyer nga rrugë dy kalimshe në 4 kalimshe. Volumi i konsiderueshëm i punëve që duhen kryer i ka trembur pjesëmarrësit në tenderin e parë të organizuar në vitin 2011. Tender që dështoi kryesisht për shkak se kompanive pjesëmarrëse iu bë e ditur se duhet të mbyllnin edhe punimet ende të panisura, apo që janë në vazhdim, krahas mirëmbajtjes së autostradës. Kjo solli edhe dështimin e tenderit dhe vazhdimin e mirëmbajtjes aq sa mund të bëhej nga firmat private vendase me fonde të buxhetit të shtetit. 
Premtimi i pambajtur nag Haxhinasto
Kaloi 15 tetori që u shoqërua me një heshtje të plotë, edhe pse Ministri Haxhinasto premtoi se këtë datë do të bëhej e ditur kompania fituese. Heshtja që shoqëroi 15 tetorin ka ngjallur dyshimin se kësisoj po paralajmërohet dështimi i dytë i dhënies me koncension të autostradës së Kombit. Pra, do të pranojnë 4 kompanitë pjesëmarrëse në tender vazhdimin e punës për ndërtimin e veprave të reja të autostradës me një kosto disa qindra million euro, apo do ta braktisin edhe tenderimn e dytë? Aq më tepër që kompanitë e huaja që vijnë në Shqipëri, janë mësuar të pajtojnë nënkontraktorë shqiptarë që në jo pak raste deri tani kanë kryer punë jo me cilësinë e duhur. Ndaj gjithë të interesuarit, vecanërisht drejtuesit e mjeteve, por edhe banorët e rajonit verilindor e presin me interes se çfarë rezultati do të japë tenderi i dytë për dhënien me koncension të autostradës së Kombit. Për të gjithë interesante është se që nga data 25 qershor 2009 kur u përurua autostrada e deri më sot, nga qeveria jonë nuk është bërë e ditur sa është kostoja e ndërtimit të kësaj autostrade, edhe pse ajo ende është shumë larg përfundimit të plotë. Nuk ka asgjë zyrtare, vetëm se bëhet fjalë se deri tani janë shpenzuar të paktën 1,2 miliard euro. 
Premtimi i pamabjtur i “Rilindjes” për koston e autostradës
Pas fitores të gjithë shpresonim se “Rilindja” do të bënte të ditur koston, do të bënte të ditur sa ishte vjedhja e kryer, sa do të ishte fondi për përfundimin e të gjitha punimeve. Sepse ishte e majta që e ngriti në majë vjedhjen e kryer nga ish – Ministri Basha, ndërsa çuditërisht tani po hesht. Taksapaguesi shqiptar do të dijë të vërtetën. Mbi autostradë prej më shumë se 6 vitesh lëvizet lirisht, por çuditërisht askujt nuk i tregohet kostoja. Ky është kulmi i paradoksalitetit. Ashtu si shumë paradokse të tjera që po na shoqërojnë ne shqiptarëve në rrugën e stërgjatë drejt demokracisë. Ndoshta është kjo arsyeja që të gjithë duam të dimë për shpenzimet e tjera për veprat ende të panisura, apo ende të papërfunduara që janë më vetë dhe që rrisin edhe më shumë koston e kësaj autostrade. Dhe e gjitha kjo vetëm për një segment të saj, vetëm për segmentin Morinë–Kukës- Rrëshen. Pasi në segmentin tjetër Rrëshen–Rubik–Milot, rruga është vetëm dykalimshe dhe kërkohen investime të tjera për ta kthyer në katër kalimshe. Natyrisht kompanitë pjesëmarrëse i bëjnë vetë llogaritë. I bëjnë llogaritë edhe mbi bazën e fluksit të lëvizjes së mjeteve. Në autostradën e Kombit fluksi mesatar ditor i lëvizjes së mjeteve nuk i kalon më shumë se 5000 mjete në 24 orë. Në stinën e verës, në ditë të veçanta, veçanërisht në fund javë fluksi i lëvizjes mund të arrijë deri në 10 – 12 mijë automjete në 24 orë, por jo më shumë dhe vetëm fundjavave. Ndërsa në stinën e dimrit fluksi i lëvizjes së mjeteve nuk i kalon më shumë se 2000 mjete në 24 orë. 
Autostrada, nyje shumë e rendësishme
Autostrada Durrës-Kukës-Morinë eshtë rrugë që lidh Kombin, por i shërben edhe gjithë rajonit ballkanik, pasi është aks që na lidh me Ballkanin Lindor, por edhe me Europën Qëndrore dhe Lindore. Gjithsesi aksidentet e ndodhura që nga përurimi i autostradës e deri tani kanë evidentuar faktin se parametrat teknike të autostradës janë ende shumë larg parametrave bashkëkohore të autostradave të këtij lloji. Janë kushtet e garës që këto investime ende të panisura, apo të pambartuara t’i kryejë koncensionari. Dhe këto nuk janë pak, kur autostrada që do t’i jepet koncensionari është Milot – Morinë. Do ta mirëmbajë mbi bazën e një standarti të paracaktuar në kontratën e dhënies me koncension.
Sigal