Ristrukturimi i qeverisë, ndryshon buxheti 2017

766
Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi dhe miratoi Aktin Normativ për ndryshimet në buxhetin e shtetit të vitit 2017. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, theksoi se Akti Normativ është i domosdoshëm në kuadër të ristrukturimit të çdo ministrie dhe të disa institucioneve të varësisë. Ai theksoi se ndryshimi i fundit në buxhet garanton respektimin e treguesve kryesorë makro-ekonomik. “Ky akt normativ garanton mosprekjen e treguesit kryesorë makro-ekonomik dhe fiskal duke ruajtur deficitin në nivele të pandryshueshme e duke forcuar më tej objektivin e qeverisë për qëndrueshmëri fiskale”,tha ministri. Relatori i kësaj nisme, deputetit Ervin Bushati u shpreh në mbledhjen e Komisionit se ky Akti Normativ u bë i nevojshëm për të reflektuar ligjin vjetor të buxhetit, zhvillimit ekonomike financiare të vendit, gjatë periudhës 10-mujore, si edhe pritshmërie të tyre deri në fund të vitit për të realizuar objektivat e programuara. “Nevojat për ndryshimin në buxhet ishin disa nga faktorët kryesorë që e bënë të nevojshëm ndryshimin, janë së pari përputhja e ligjit vjetor së buxhetit me strukturën e qeverisë së re. Së dyti, përfshirjen në ligjin buxhetor të buxhetit të strukturave të reja të Vetting-ut. Së treti, nevoja për rialokimin e fondeve midis zërave të shpenzimeve korrente në disa institucione buxhetore. Së katërti, krijimi i mundësive për kompensimin në masën 100% të ish-të dënuarve politik të kategorisë parësore. Së pesti, mbështetja e projekteve me ecuri të mirë kundrejt atyre me ecuri të ngadaltë, si edhe krijimi i mundësive për shlyerjen e të gjitha detyrimeve të prapambetura deri në fund të vitit 2017”, tha deputeti Bushati. Zëvendëskryetarja e Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Jorida Tabaku shprehu rezerva për rialokimin e fondeve nëpërmjet aktit normativ që u propozua nga qeveria. “Akti normativ sjell përsëri shkurtime të investimeve kapitale. Me dy aktet normative që ka sjell qeveria ka prekur dy nga fushat që duhet të ishin prioritet. Së pari bujqësinë dhe së dyti infrastrukturën”, u shpreh Tabaku.
Sigal