Rinas, pasagjerëve u vidhen sende personale në aeroport

715
Sigal

Denoncimi: Punonjësit e aeroportit vodhën një varëse me vlerë 40 mijë lekë, rasti i përsëritur

Rinas, pasagjerëve u vidhen sende personale brenda në aeroport

Punonjësit e aeroportit të Rinasit kanë u kanë vjedhur sende personale një studenti që do të udhëtonte nga Tirana për në Bruksel. Kjo ngjarje e ndodhur është pretenduar nga një i ri shqiptar, i cili shprehet se punonjësit e sektorit të valixheve i kanë vjedhur një varëse me vlerë rreth 40 mijë lekë të reja. Gjithashtu ai është shprehur se ngjarje të tilla ku grabiten sende në aeroportin Nënë Tereza, u kanë ndodhur dhe personave të tjerë. Ky denoncim është bërë publik nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka postuar në rrjetin e tij social mesazhin e dërguar nga studenti akuzues.

Postimi i plotë i ish-kryeministrit

“Nuk përmbahen, plaçkitje në aeroportin e grabitjes së shekullit!’

Lexoni denoncimin e pasagjerit digjital. sb

Përshëndetje! E keqja nuk na vjen vetëm nga hajdutët jashtë aeroportit që sulmojnë shuma eurosh të mëdha, por edhe nga Hajdutët e pafytyrë, banditët pa moral, punonjësit hiena të sektorit të valixheve të udhëtarëve nga Rinasi!! Unë që po ju shkruaj jam një student shqiptar, banues në Bruksel, Belgjikë. Dje udhëtova nga Tirana për në Bruksel nga aeroporti i Rinasit. Kur mbërrita këtej pashë që më mungonte nga valixhja një varëse floriri me vlerë afro 40,000 L (të reja), që sapo e kisha blerë në Tiranë! Varësen, të cilës ia kisha vënë syrin para 10 muajsh kur isha për herë të fundit në Shqipëri, dhe për të cilën kam ruajtur me kujdes euro çdo muaj në mënyrë që ta përballoja, nga qejfi, si djalë i ri që jam. Në momentin kur pashë se kutia ishte e hapur dhe se varësja kishte ‘avulluar’, menjëherë autorizova babin të kallëzonte pranë komisariatit të policisë së Rinasit…kallëzimi asht bo, por vështirë të merren masa na thanë, përderisa nuk ka kamera tek disa ambiente të caktuara ku kalojnë bagazhet e pasagjerëve, mbasi janë dorëzuar, para se me u fut në barkun e avionit….Kam fol dhe me shqiptarë të tjerë dhe kanë të njëjtin shqetësim, shumë sende me vlerë iu vidhen nga punonjësit e bagazheve të Rinasit! Njoh një student tjetër të cilit i kanë vjedhur orë dore dhe një Ipad! Ka raste ku iu hapin dhe drynin dhe vjedhin në valixhe. Ky është rast ku policia nuk ka çfarë bën, është problem i sigurisë së Aeroportit… Shije shumë të keqe me ngeli nga Shqipëria kësaj radhe dhe dyshoj se ky problem nuk mund të zgjidhet, për sa kohë siguria në aeroport është 0 … Unë nuk jam i pari as i fundit por Ju bëj thirrje pasagjerëve të tjerë mbas meje, të marrin masa dhe t’i kyçin mirë valixhet, në mënyrë që të ruhen nga jo tjetër, përveçse hienave e skifterëve, punonjësve të aeroportit!