Rekord i fluturimeve charter këtë verë; Ja kompanitë që kanë vonesat më të mëdha

598
Sigal

Shtimi i numrit të turistëve të huaj, që vijnë në Shqipëri, por edhe tendenca e shqiptarëve për të pushuar në Turqi kanë sjellë rritje të ndjeshme të fluturimeve charter gjatë muajve korrik dhe gusht. Sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC), mbizotëruese në treg për gushtin janë fluturimet Charter të cilat zotërojnë 21% të tregut duke mbuluar kështu fluksin më të madh të lëvizjes së pasagjerëve për muajin Gusht 2018, me një numër prej 80,543 pasagjerë. Ndjekur nga “Blue Panorama” me një numër prej 65,215 pasagjerë ose 17% ndaj totalit, “Ernest s.p.a” me 41,639 pasagjerë dhe 11% ndaj totalit, “Albawings” me 40,092 pasagjerë ose 11% të totalit dhe Alitalia 26,118 pasagjerë ose 7% të totalit mujor. Nisur nga këto të dhëna duke përjashtuar fluturimet Charter, Italia vazhdon të zotërojë përqindjen më të madhe të tregut të transportit ajror për muajin Gusht 2018, duke zënë 46% të totalit, ndjekur nga Turqia me 10%. Për sa i përket ndryshimeve të fluksit të lëvizjes së pasagjerëve që udhëtojnë me fluturime Charter në Gusht të 2018 shifrat referojnë në një numër prej 80,543 i cili krahasimisht me vitin 2017 ka pasur një rritje prej 40% dhe nga viti 2016 në vitin 2017 ka shënuar një rritje prej 24.80% të fluksit të pasagjerëve. Sipas të dhënave të AAC  numri i pasagjerëve që fluturojnë me Charter ka pësuar gjithashtu rritje ndaj totalit të pasagjerëve. Në vitin 2018 është më e dukshme rritja pasi ato përbëjnë 21% ndaj totalit, ndërkohë që në 2017 dhe 2016 ka qenë 18%./monitor

Vonesat, nga Blue Panorama dhe Alba Wings

Shtatori ka vijuar të jetë problematik në lidhje me vonesat e fluturimeve me destinacion disa qytete të Italisë, referon AAC. Nga të dhënat zyrtare rezulton, se kompania me numrin më të lartë të vonesave mbi 2 orë është “Blue Panorama” me 19 të tilla. Rritje ka shënuar edhe kompania “Albawings” me 10 të tilla. Kompanitë i kanë arsyetuar vonesat me problemet operacionale dhe teknike. Ulje të numrit të vonesave dhe anulimeve ka shënuar kompania “Ernest Spa”. Ndërsa kompanitë e tjera, kanë normalizuar operacionet e tyre duke mos shënuar problematika në vonesa dhe anulime.