Refuzimi i statusit, minatorët paralajmërojnë protesta

859
Sindikatat që përfaqësojnë minatorët kanë qenë të ndara sa u takon propozimeve për statusin e minatorit, të diskutuar dy ditë më parë edhe në komisionet parlamentare. Parlamentit dhe qeverisë i janë paraqitur deri më tani 3 projekte për finalizimin e tij. Kreu i sindikatës së minatorëve të Bulqizës, edhe pse ka paraqitur një propozim, thotë se në Kuvend duhet të ishte miratuar projektligji i deputetit të LSI, Përparim Spahiu. “Njëri ka paraqitur të vetin, tjetri të vetin, por po t’i përmbledhësh këto drafte janë të barabartë. Nuk na erdhi aspak mirë që ky projekt-status u hodh dhe u rrëzua nga mazhoranca. Statusi i minatorëve duhet të miratohet një orë e më parë”, thotë Luan Nika. Por për kreun e konfederatës së sindikatave, propozimi i deputetit të LSI ishte antiligjor dhe çështja sipas tij u shfrytëzua politikisht. “Është antiligjore, për dy faktorë, faktori i mospërcaktimit qartë i faturës financiare dhe faktori tjetër që bie ndesh me ligjin e 2015-s për efektin e moshës. Ekziston një ligj i posaçëm për minatorët, i cili i nxjerr në pension në moshën 55 vjeç dhe me një kontribut 10 vjet e 6 muaj”, thotë Kol Nikolla. Ai nënvizon se propozimi i Konfederatës së Sindikatave, tashmë ka marrë dakordësinë nga ministritë e linjës dhe shprehet optimist se brenda vjeshtës do të miratohet në Parlament. “Besojmë që brenda muajit shtator do të miratohet. Propozimi aktual e hedh poshtë çështjen e pagës minimale dhe vendoset në status sa dy paga minimale. Tashmë s’do të ketë asnjë minator me miratimin e statusit që të marri pension poshtë dy pagave minimale dhe të rritet sa herë rritet paga minimale”, thotë Nikolla. Por në Bulqizë kërcënojnë me protesta nëse së shpejti nuk miratohet statusi për minatorët. “Të reagojë qeveria përndryshe ne si sindikatë do të protestojmë. Jemi të gjithë të angazhuar të gjithë të bashkuar për statusin e minatorit”, thotë Luan Nika.
Sigal