Raporti 3 mujor, BSH: Sistemi bankar rriti kërkesat për kredi

707
Banka e Shqipërisë publikoi sot rezultatet e vrojtimit të aktivitetit kreditues në tremujorin e parë të vitit 2015, që tregon për shtrëngim të standardeve të kredidhënies të aplikuara nga bankat si për bizneset, ashtu edhe për individët.
Sipas BSH-së, standardet e kredisë për bizneset u shtrënguan për të dytin tremujor rresht, kryesisht si pasojë e shtrëngimit të standardeve të kredisë dhënë për ndërmarrjet e mëdha. Për sa i përket kredisë dhënë individëve, bankat shprehen për shtrëngim të lehtë të standardeve si për kredinë për blerje banese, ashtu edhe për kredinë konsumatore.
Ekspertët bankar shpjegojnë se, ecuria e standardeve u ndikua negativisht nga faktorë që lidhen me gjendjen financiare të individëve dhe të bizneseve, kreditë me probleme, si dhe me problemet specifike të sektorit ku operon biznesi. Faktorët që dhanë ndikim të kahut lehtësues në ecurinë e standardeve ishin niveli i konkurrencës në sistemin bankar dhe politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë.
Sipas BSH-së, kushtet kryesore me të cilat bankat zbatuan një politikë shtrënguese për bizneset ishin zgjerimi i marzhit për kreditë me rrezik dhe ulja e madhësisë së kredisë.
Ndërsa kërkesa për kredi, gjatë tremujorit të parë të vitit 2015, është vlerësuar në rënie për bizneset dhe në rritje më të ulët krahasuar me tremujorin e kaluar për individët. Për bizneset, rënia e kërkesës ka ardhur kryesisht nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ngadalësimi i kërkesës për kredi nga individët pasqyron ngadalësimin e kërkesës për kredi konsumatore. 
Sigal