Raport i OECD: Ekonomia botërore rritje të ngadaltë në 2015, shkak kriza

830
Ekonomia botërore do të rritet më ngadalë se sa pritej këtë vit dhe do të përmirësohet në vitin 2016, nëse do të ketë investime. Ky është parashikimi më i fundit i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik. Në raportin më të fundit për ekonominë botërore parashikohet për këtë vit rritje ekonomike për Kinën dhe ngadalësim të ekonomisë amerikane, krahasuar me vitin 2014.
Organizata e uli parashikimin për rritjen ekonomike të Kinës, në 6,8% këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar, që ishte 7.4. 
Ekonomia amerikane pritet të rritet me vetëm 2 për qind, pra më pak se vitin e kaluar, kur u rrit me 2,4 për qind.
Organizata po ashtu uli parashikimin e rritjes ekonomike për ekonomi të tjera të mëdha, si Japonia dhe Kanadaja. Duke paraqitur raportin më të fundit dy-vjeçar, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, Angel Gurria, tha se procesi i rimëkëmbjes nga kriza më e rëndë ekonomike në disa dekada ka qenë i ngadaltë.
Organizata përfaqëson shumë nga vendet më të pasura të botës dhe perspektiva e saj për disa rajone ishte në rritje. Rritja ekonomike në Eurozonë pritet të shtohet paksa, me 1,4 për qind këtë vit, pjesërisht në saje të politikave monetare të Bankës Qendrore Evropiane.
Por Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, po ashtu i bëri thirrje rajonit t’i kapërcejë mosmarrëveshjet lidhur me pagesat e borxhit të Greqisë, që kanë ngritur shqetësime. 
Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, po ashtu parashikon se vitin e ardhshëm do të bjerë niveli i papunësisë, megjithatë 40 milionë njerëz kanë për të qenë të papunë, 7 milionë më tepër se sa para krizës. 
Sigal