Raport i Bankës Botërore për ekonomitë e vendeve të rajonit

732
Sigal

BB: Borxhi publik drejt 84 %-t. Reformë të taksave, pensioneve dhe energjisë

Banka Botërore prezantoi dje raportin e rregullt gjysmëvjetor për gjendjen ekonomike në Maqedoni, Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi. Raporti përmban informacione për gjendjen e vendeve nga rajoni, pas daljes së tyre nga recesioni në gjysmën e parë të vitit, rritjes ekonomike të pritur kumulative rajonale prej 1,8 për qind deri në fund të vitit dhe perspektivat e ardhshme. Banka Botërore parashikon se borxhi publik i Shqipërisë mund të arrijë deri në 84 për qind të prodhimit të brendshëm bruto nëse qeveria nuk merr masa për parandalimin e rritjes se tij. “Nëse rritja ekonomike do jetë më e ulët se parashikimet dhe nëse qeveria nuk merr masa, atëherë parashikohet që në vitin 2018 niveli i borxhit publik të arrijë në 84 për qind”- u shpreh kryeekonomisti i BB për Europën Qendrore, Abebe Adugna. Krye-ekonomisti i Bankës Botërore tha dy prej alternativeve kryesore që do reduktonin rritjen e borxhit. “Reforma fiskale që do konkludonte me një performancë më të mirë në mbledhjen e të ardhurave si dhe një reformë në sistemin e pensioneve do të frenonte rritjen e mëtejshme të borxhit. Po është e nevojshme edhe në ndërhyrjen e sektorit energjetik”- theksoi Adugna.     Banka Botërore u shpreh e gatshme për të financuar qeverinë për të shlyer detyrimet ndaj biznesit. “Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë Shqipërinë. Kjo varet nga qeveria nëse do kërkojë financim nga ne. Aktualisht, jemi në fazë diskutimesh, por ekziston mundësia e një mbështetje financiare nga 100 deri në 200 milionë dollarë”- deklaroi shefja e BB për Europën Juglindore, Ellene Goldestein. Ecuria e ekonomisë shqiptare dhe parashikimet për të ardhmen u bënë gjatë prezantimit të raportit rajonal të Bankës Botërore që u ndoq direkt, edhe në 6 shtetet e rajonit.

Borxhi publik

Banka Botërore parashikon se borxhi publik i Shqipërisë do të arrijë në 76% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2018, por kjo do të kontrollohet sipas një skenari bazë. E vetmja mënyrë për të arritur një ulje të qëndrueshme të trajektores së borxhit do të jenë reformat e taksave, të pensioneve dhe të sistemit të energjisë. Paketa e përgatitur nga qeveria do të sjellë disiplinën fiskale që ka munguar në vitet e fundit, program afatmesëm për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura dhe një përqëndrim të investimeve në projektet prioritare.

Borxhi ndaj biznesit

BB thekson rëndësinë që Qeveria shqiptare të adresojë çështjen e pagesave të prapambetura dhe marrjen e masave për mostrashëgimin e tyre në të ardhmen. Përsa i përket pagesës së borxheve të biznesit, varet nga qeveria nëse do të arrijë marrëveshje me FMN-në por qeveria po shikon dhe opsione të tjera të mundshme.

Paketa fiskale

“Paketën fiskale duhet ta prezantojë vetë qeveria, por ne jemi optimistë deri më tani. Paketa duhet të tregojë një disiplinë më të mirë fiskale se është thelbësore për nxitjen e rritjes ekonomike”.

Kreditë e këqija

Qeveritë e rajonit po përpiqen të shmangin problemin e kredive të këqija dhe duhen një sërë reformash për të mbështetur zgjidhjen e kredive të këqija duke mbuluar çështjet legjislative, procedurale dhe tatimore. Legjislacioni përsa i përket afateve të fshirjeve të kredive të këqija që konsiderohen si të parikuperueshme është i paqartë dhe në këtë aspekt BB po ofron ndfihmën e saj. Kjo përbën një shqetësim të madh sepse është ulur kreditimi, është rritur niveli i lartë i kredive të këqija dhe për këtë po përgatisim propozimet për BSH.

Taksa progresive

Shqipëria ka grumbullimin më të ulët të taksave në Europë,por ne gjykojmë se ka mundësi veprimi në administrimin e tyre. disa qeveri kanë taksë të shshtë kurse të tjerat kanë taksë progresive. Të dyja funksionojnë, por mesa duket qeveria shqiptare është për taksën progresive, pasi kërkon që shtresat e varfra të mos penalizohen ndërkohë që të vilen taksa nga ata që kanë më shumë mundësi financiare.

Mbështetja e Shqipërisë nga BB

Përsa i përket mbështetjes së BB, po shikojmë mundësinë e mbështetjes së qeverisë në shumë fusha; po mbështesim qeverinë në reformën financiare dhe punën me kreditë e këqija. Shuma për investimet e BB në Shqipëri kapin shifrën e 86 milion dollarëve. Ndërsa mbështetja financiare për qeverinë, varet nga buxheti i vitit 2014, por paraprakisht kjo shifër mund të jetë nga 100-200 milion dollarë.