Rando Devole/ Lumë parash nga deti: 7,394 miliardë euro më 2011, 5,533 në 2014

701
Sipas statistikave, emigrantët shqiptarë në Itali kanë çuar në vendlindje gjatë vitit të kaluar shumën prej 126.828.000 €. Shuma është edhe më e madhe po të mbahet parasysh përdorimi i gjerë i kanaleve jozyrtare. Por, edhe sikur shifrat të ishin vetëm zyrtaret, fotografia e këtyre burimeve financiare u jep mundësinë ekspertëve dhe politikanëve shqiptarë të reflektojnë për peshën dhe përdorimin e tyre në ekonominë shqiptare. Ndërsaopinionit publik, edhe pse nëpërmjet një aspekti jo thelbësor, i ofrohet mundësia për të kujtuar rëndësinë e emigracionit. Për dërgesat financiare të emigrantëve, ose siç quhen ndryshe remitancat, shkruhet herë pas here në media, të cilat citojnë shifra të ndryshme, por pa i nyjëtuar të dhënat. Sa parà çojnë në vendlindje emigrantët shqiptarë me banim në Itali? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje na ndihmon raporti i institutit të studimeve Ismu për remitancat e migrantëve nga Italia drejt vendeve të tyre. Njohja e këtyre shifrave ka rëndësi për ta njohur migracionin vetë, por edhe ekonomitë e vendeve që përfshihen në këto transaksione, pra si vendi pritës ashtu edhe ai ku përfundojnë remitancat.
Vitet e fundit, kryesisht për shkak të krizës ekonomike, remitancat nga Italia drejt familjeve të emigrantëve janë tkurrur disi. Sa për shembull: ishin 7,394 miliardë euro më 2011, ndërsa në vitin 2014 u ulën në 5,533 miliardë. Siç mund të pritej, paratë dërgohen kryesisht nga zonat e zhvilluara ku ka edhe më shumë emigrantë. Për nga sasia e remitancave, Rumania zë vendin e parë për vitin 2014. Lista vijon me Kinën, Bangladeshin, Filipinet, etj. Rasti i Kinës është përnjëmend interesant sepse pas shumë vitesh ia lë vendin e parë Rumanisë, duke treguar qartë se nga Italia drejt Kinës dërgimi i parave ka pësuar një ulje të jashtëzakonshme. Specialistët mendojnë se kjo varet edhe nga kontrollet e institucioneve bankare që kanë filluar t’i ndajnë remitancat nga dërgesat financiare tregtare. Emigrantët shqiptarë në Itali kanë çuar në vendlindje gjatë vitit të kaluar shumën prej 126.828.000 €. Për nga remitancat e dërguara, Shqipëria zë vendin e 12-të, pas Ukrainës dhe Ekuadorit. Nga viti 2005 e deri më sot është regjistruar rritje e tyre, pavarësisht se vihet re një ulje relative gjatë viteve 2012 e 2013. 
Mirëpo shifrat e përgjithshme që komunitetet e ndryshme dërgojnë në vendlindje nuk i tregojnë të gjitha përmasat e dukurisë, sepse duhet të merren parasysh si numri i emigrantëve ashtu edhe aspekte të tjera të migracionit. Rumunët zënë vërtet vendin e parë, por përbëjnë gjithashtu komunitetin më të madh në Itali. Po të kishim parasysh vetëm numrin e emigrantëve, shqiptarët duhet të ishin në vendin e dytë ose të tretë, çka nuk ndodh sepse ka faktorë të tjerë që ndikojnë, siç është shkalla e zhvillimit ekonomik në vendlindje, niveli i integrimit të emigrantëve, procesi i migracionit, përbërja demografike, e kështu me radhë. Në ndihmë na vjen shuma pro capite (për kokë) e remitancave nga Italia. Mesatarisht në vitin 2014 çdo i huaj ka dërguar në vendlindje rreth 1.084 euro.Shqiptarët këtu zënë vendin e fundit, me 256 euro për kokë, ndërsa qytetarët e Republikës Dominikane me 3.700 euro për kokë zënë vendin e parë. Edhe faktori gjeografik ka peshën e vet, sepse sa më afër të jetë një vend aq më shumë paratë dërgohen jashtë kanaleve zyrtare. P.sh.emigrantët shqiptarë parapëlqejnë t’ua dërgojnë të hollat dorazi familjes, nëpërmjet shokëve ose kushërinjve, kur nuk presin t’ua japin vetë në kohën e pushimeve.
Mirëpo të dhënat e raportit në fjalë (Le rimesse degli immigrati, Ismu 2015) nuk i regjistrojnë këto kalime parash, ndaj edhe statistikat mund të rezultojnë të pjesshme. Edhe prania e emigrantëve pa dokumente ndikon në regjistrimin e remitancave. Një emigrant pa lejeqëndrim preferon të gjejë kanale të tjera për t’i dërguar kursimet në vendlindje. Megjithatë, edhe sikur të ishin vetëm këto, remitancat e llogaritura nga institucionet përkatëse përbëjnë një shumë të jashtëzakonshme për ekonominë shqiptare. Fotografia e këtyre burimeve financiare u jep mundësinë ekspertëve dhe politikanëve shqiptarë të reflektojnë për peshën dhe përdorimin e tyre në ekonominë shqiptare. Ndërsa opinionit publik, edhe pse nëpërmjet një aspekti jo thelbësor, i ofrohet mundësia për të kujtuar rëndësinë e emigracionit.
Sigal