Rama: Argjentinasi Mario Blejer këshilltar i Guvernatorit të BSH

691
Sigal

TIRANE – Argjentinasi Mario Blejer, ekonomisti i njohur ndërkombëtar që u përfol si propozim i kryeministrit Rama për guvernator të Bankës së Shqipërisë, do të jetë këshilltari i Genti Sejkos, kreut të institucionit më të lartë financiar në vendin tonë.

Lajmi u bë publik nga vetë kreu i qeverisë Edi Rama përmes rrjeteve sociale.

“Mario Blejer, ekonomisti i famshëm që ka qenë dhe drejtor i politikave monetare të Bankës së Anglisë, do jetë këshilltari i guvernatorit tonë”, shkruan Rama.

Ish-guvernatori argjentinas Mario Blejer pak muaj më parë u përfol si kandidati që shefi i mazhorancës shqiptare propozoi për Guvernator të Bankës së Shqipërisë, pas arrestimit dhe shkarkimit të ish-guvernatorit Ardian Fullani. Por kjo kërkesë u rrëzua nga Presidenti Bujar Nishani, derisa palët arritën në zgjedhjen e Genti Sejkos në krye të bankës qendrore.

Edhe pse jo guvernator, Blejer do të ketë rol të veçantë në financat shqiptare si këshilltar i Sejkos.


SKEDA / Kush është Mario I. Blejer 
Mario Blejer ka lindur në Kordoba të Argjentinws në vitin 1998. Ai ka studiuar ekonomi dhe histori hebraike në Universitetit Hebraik të Jeruzalemit në vitin 1970 si dhe ka marrë master në ekonomiks nga i njëjti institucion në vitin 1972.
 
Në vitin 1980 Belejer nisi punë në Fondin Monetar si këshilltar në politikat monetare, kursin e këmbimit dhe politikat fiskale. Në vitin 1992 argjentinasi 66-vjeçar ishte Këshilltar i Lartë në Bankën Botërore për Politikat e Evropës dhe Azisë Qendrore. Këto qenë vitet e rënies së komunizmit dhe të Bashkimit Sovjetik.
 
Në vitin 2001 në momentin kur vendi i tij hyri në krizën e borxheve sovrane Blejer u kthye në Argjentinë ku pranoi ofertën e Presidentit Fernando de la Rúa për të punuar si zëvendëspresident i Bankës Qendrore të këtij vendi. Duke i dhënë fund kështu karrierës së tij 21-vjeçare në institucionet financiare ndërkombëtare.
 
Blejer u largua shpejt nga posti i Guvernatorit të Bankës Qëndrore të Argjentinës pasi u përball me krizën e thellë monetare dhe financiare të vendit që detyroi qeverinë të imponojë kufizime në tërheqjen e depozitave bankare si dhe të zhvlerësojë monedhën e vet.
Ai punoi pas kësaj në Qendrën për Studime mbi Bankën Qëndrore në Bankën e Anglisë. Ai u kthye në Argjentinë në vitin 2010 ku u përfol sërish si kandidat për guvernator të Bankës Qendrore të Argjentinës. 

Lidhja monetare e Blejer me Shqipërinë
Argjentinasi 66 vjeçar,Mario Blejer, ka një lidhje të hershme në fushën monetare me Shqipërinë. Në vitin 1991, pak para se Shqipëria të anëtarësohej në grupin e institucioneve financiare ndërkombëtare, ai erdhi në Shqipëri si ekspert i Bankës Botërore dhe udhëhoqi grupin e ekspertëve ndërkombëtarë të cilët analizuan ekonominë shqiptare para anëtarësimit të Shqipërisë në këto institucione.