Qytetarët e Tiranës paguan 92.6 milionë euro taksa në 2018-n

555
Sigal

Nga infrastruktura, te tarifa e pastrimit, ja për çfarë paguajnë banorët e kryeqytetit

 

Qytetarët e Tiranës paguan 92.6 milionë euro taksa dhe tatime në 2018-n

 

Banorët e kryeqytetit kanë paguar jo pak, por plot 92.6 milionë euro taksa dhe tatime gjatë vitit 2018. Qendra e studimeve kërkimore, Altax ka analizuar barrën fiskale në Bashkinë e Tiranës, për të treguar sesa të ardhura janë mbledhur dhe si janë shpenzuar ato.

Të dhënat tregojnë se buxheti i bashkisë së kryeqytetit mbetet i lidhur fort me lejet e ndërtimit. E thënë ndryshe, taksa me kontributin më të madh është ajo e ndikimit në infrastrukturë, që paguhet nga format e ndërtimit për çdo leje të marrë. Nga ky zë janë grumbulluar në vitin 2018, 23% e totalit të të ardhurave të bashkisë ose 21 milionë euro. Të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë kanë ndjekur tendencën në rritje të numrit të lejeve të ndërtimit. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, gjatë vitit 2018, nga Bashkia e Tiranës u dhanë gjithsej 388 leje ose 157 leje më shumë se në vitin 2017-të, kur u dhanë gjithsej 231 leje ndërtimi. Tendenca e dhënies së lejeve të ndërtimit po vijon me ritme të shpejta edhe gjatë 2019-ës, që është vit zgjedhor dhe është e përqendruar kryesisht te lejet për kulla apo objekte të tjera të larta. Taksa e dytë me ndikimin më të madh në arkën e bashkisë së kryeqytetit është tarifa e pastrimit. Nga ky zë u grumbulluan jo pak, por plot 17.7 milionë euro. Kjo ka qenë një ndër taksat që ka pësuar rritjen më të madhe në vitet e fundit. Më 2016-ën, ajo u dyfishua për bizneset e mesme dhe VIP të Tiranës. Rreth 14.7 milionë euro Bashkia e Tiranës i ka vjelë nga taksa e pasurisë. E thënë ndryshe, taksa që paguajnë familjarët për banesat dhe bizneset për ambientet, ku ushtrojnë aktivitet. Që prej 1 prillit të vitit 2018, kjo taksë është mbledhur mbi vlerën e tregut të objektit, të përcaktuar mbi çmimet e referencës dhe jo të sipërfaqes, siç ka qenë më përpara. Kjo formulë ka bërë që të gjithë të paguajnë më shumë dhe rrjedhimisht, në buxhetin e bashkisë janë futur më shumë të ardhura. Të ardhura të konsiderueshme, vitin e kaluar janë mbledhur edhe nga taksa e infrastrukturës arsimore, që çdo familje apo biznes e paguan në faturën e ujit të pijshëm. Nga ky zë u siguruan 7 milionë euro. E konsideruar si një taksë e përkohshme, ajo paguhet edhe disa herë nga 1 person, nëse ai ka disa shtëpi apo përveç shtëpisë, edhe biznes. Taksa ka ngjallur kundërshtime të forta, edhe për faktin se ajo ka si destinacion ndërtimin e shkollave, ndërkohë që jo të gjithë ata që e paguajnë, e marrin një shërbim të tillë. Dy taksat e tjera që kanë mbushur buxhetin e bashkisë më të madhe në Shqipëri gjatë vitit 2018 janë taksa e tabelës dhe ajo e parkimit. Gjithsej nga këto dy zëra janë arkëtuar 8 milionë euro, ose nga 4 milionë për secilën. Këto janë gjithashtu dy taksat, niveli i të cilave është rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke rënduar jo pak xhepat e taksapaguesve kryeqytetas. Kontribut në buxhet me një vlerë prej 2 milionë euro ose 2% e totalit ka dhënë edhe Tatimi i Thjeshtuar i biznesit të vogël. Qeveria e uli këtë taksë gjatë vitit 2018, në përpjekje për të nxitur bizneset e këtij sektori, që më tepër sesa për peshën në buxhet, kanë ndikim në punësim, pasi bëhet fjalë për të vetëpunësuar. Një e ardhur e konsiderueshme në buxhetin e Bashkisë së Tiranës janë ato nga burimet shtesë, si qira, pagesat e kopshteve, çerdheve etj. Nga ky zë u grumbulluan 24% e totalit të ardhurave, një shumë ekuivalent me 22.2 milionë euro. “Për 4 vitet e fundit, të ardhurat nga taksat dhe tarifat bashkiake (të ardhurat e mbledhura nga bashkia me burimet e veta) janë 19.4 miliardë lekë, apo 147 milion euro. Të ardhurat në vitin 2018 janë 2.2 herë më të larta se në vitin 2014”, thekson raporti. Të dhënat tregojnë se më shumë sesa performanca e mirë në mbledhjen e taksave, ajo që ka ndodhur është rritja e nivelit të tyre. E thënë ndryshe, ne sot i paguajmë Bashkisë së Tiranës shumë më shumë sesa 4 vite më parë!

Të ardhurat nga burimet e Bashkisë së Tiranës

Bashkia e Tiranës, miliona euro edhe nga buxheti i shtetit

Raporti i Altax evidenton se të ardhurat gjithsej të Bashkisë Tiranë, në 2018-ën arritën në 16.3 miliardë lekë ose 127 milionë euro. Ato përbëhen nga të ardhurat nga taksat me 54% peshë ndaj gjithë të ardhurave. Ndërsa, të ardhurat jotatimore (tarifa, të ardhura nga gjobat, asetet në pronësi etj) zënë 26% të totalit të të ardhurave. Një nivel prej 7% të të ardhurave janë trashëguar nga mospërdorimi në vitet e kaluar duke u mbartur në buxhetin e vitit 2018. Ndërkohë, që 13% e të ardhurave furnizohen nga buxheti i shtetit, në formën e transfertave. Aurora Sulçe