Qeveria: Si do të shiten ndërmarrjet shtetërore

1104
Qeveria miratoi disa ndryshime të kritereve të vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transformohet dhe procedurën e shitjes. Këtij vendimi i nënshtrohen të gjitha ndërmarrjet apo objektet e veçuara, mjetet kryesore, mjetet e xhiros në administrim apo në ruajtje të institucioneve, ndërmarrjeve dhe shoqërive tregtare me kapital tërësisht shtetëror, për të cilat është dhënë miratimi i ministrit përgjegjës për ekonominë për fillimin e procedurave të privatizimit apo transformimit në shoqëri tregtare. “Institucionet qendrore dhe organet e njësive të vetëqeverisjes vendore dërgojnë kërkesat e tyre për privatizimin e ndërmarrjeve apo të institucioneve që kanë në varësi administrative ose në pronësi, në ministrinë përgjegjëse për ekonominë. Ministri përgjegjës për ekonominë nxjerr urdhrin e miratimit për privatizim, sipas kërkesave të përmendura më sipër. Në rast se ministria përgjegjëse për ekonominë u kërkon institucioneve qendrore apo organeve të njësive të vetëqeverisjes vendore kërkesën për prononcim privatizimi për pasuritë e ndërmarrjeve apo të institucioneve që kanë në varësi administrative, këto institucione janë të detyruara që, brenda 30 ditëve, nga data e marrjes së kërkesës, të dërgojnë mendimin e tyre për privatizimin e këtyre pasurive”, thuhet në vendim.

Dokumentacioni
Për dokumentacionin e përgatitur nga komisioni i vlerësimit ndiqet kjo procedurë:
a) I dërgohet ministrit përgjegjës për ekonominë:
I. për objektet ndërtimore, linjat e prodhimit/shërbimit, ku përcaktohen vlera e objektit, sipërfaqja e përgjithshme, ajo nën objekt dhe ajo funksionale;
II. për makineritë, pajisjet, mjetet e transportit, inventarin ekonomik, mjetet e xhiros etj., kur asetet do të shiten të veçanta.
b) Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pasi kontrollon nëse ky dokumentacion ka kaluar në strukturat përkatëse, ia përcjell atë Komisionit të Shqyrtimit dhe Transparencës, të ngritur me urdhër të ministrit përgjegjës për ekonominë, për verifikimin, konfirmimin dhe transparencën e procedurës së dokumentacionit të privatizimit të pronës shtetërore, që dërgohet për shitje;
c) Komisioni i Shqyrtimit dhe Transparencës, i ngritur me urdhër të ministrit përgjegjës për ekonominë, ka në përbërje:
– zëvendësministrin e Financave dhe Ekonomisë, kryetar;
– një përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme Rregullatore dhe të Përputhshmërisë, MFE, anëtar;
– dy përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme Ekonomike dhe të Shërbimeve Mbështetëse, MFE, anëtar;
– një përfaqësues të Drejtorisë së Auditimit, MFE, anëtar.
ç) Komisioni i Shqyrtimit dhe Transparencës i rekomandon ministrit përgjegjës për ekonominë vijimin e procedurës së privatizimit nga struktura përgjegjëse për shitjen e pronës publike, nëse ekziston dokumentacioni i kërkuar ligjor dhe ka kaluar në të gjitha strukturat e parashikuara në këtë vendim.
Në rast të kundërt, Komisioni i Shqyrtimit dhe Transparencës kërkon plotësimin e dokumentacionit.
d) Detyrat, mënyrat e vlerësimit dhe procedura e mbledhjes së Komisionit të Shqyrtimit dhe Transparencës përcaktohen në udhëzimin e dalë në zbatim të vendimit nr.926, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore, që privatizohet apo transformohet, dhe procedurën e shitjes”, të ndryshuar.”.
Komisioni i ankandit kryesohet nga përfaqësuesi i strukturës përgjegjëse për shitjen e pronës publike dhe në përbërje të tij ka anëtarë:
– përfaqësuesin e organit që ka në pronësi, ruajtje apo në varësi administrative objektin;
– përfaqësuesin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Zgjatet me 24 orë afati për deklarimin e TVSH-së
Data 14 e çdo muaji është data e fundit kur deklarohet TVSH-ja e muajit paraardhës për biznesin. Nga ana tjetër, ligji parashikon që në rast se data e deklarimit është festë zyrtare, ose pushim, atëherë afati shtyhet për ditën e nesërme e punës. Por, ky muaj ka shkaktuar konfuzion tek bizneset, pasi data 14 (dje) ishte pushim, ndërsa në kalendarin tatimor, subjektet kanë konstatuar se nuk është shtyrë afati i deklarimit të TVSH-së së muajit shkurt 2018 nga 14.03 në 15.03. Burime zyrtare të tatimeve konfirmuan për mediat se afati i fundit i deklarimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar së muajit shkurt është data 15 mars, pasi gjithnjë në rast feste dhe pushimi, afati shtyhet për një ditë më vonë. Tatimet u tërhoqën gjithashtu vëmendjen bizneseve që të mos i lënë deklarimet për ditën e fundit. Të njëjtën thirrje tatimet e bënë edhe për dorëzimin e pasqyrave financiare të vitit 2017, ku këshilluan subjektet të bëjnë deklarimin deri më 30 mars dhe të mos e lënë për datën 31, që është ditë e shtunë. 
Sigal