Qeveria nxjerr në shitje trojet shtetërore

1182
Ministria e Financave do të shesë trojet shtetërore
Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike do të zëvendësojë AKP dhe agjenci të tjera. Procedura dhe dokumentet e kërkuar
Qeveria vendosi të ndryshojë kriteret dhe procedurat e shitjes së trojeve në përdorim të ndërmarrjeve. Vendimi prek edhe sipërfaqet e domosdoshme dhe trojet shtesë funksionale të ndërmarrjeve, shoqërive tregtare, objekteve shtetërore të veçuara, të privatizuara dhe objekteve e ndërtesave të shitura të ish-kooperativave bujqësore, si dhe të ndërtesave të ndërtuara në bazë të lejeve të ndërtimit. Vendimi ka shfuqizuar edhe përcaktimin se “zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së kërkesës nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, i përcjellin kësaj drejtorie hartën treguese përkatëse, me të dhënat e nevojshme gjeografike dhe statusin e truallit që kërkohet të privatizohet”.

Ndryshimet
“Shitja e truallit të pa shitur, sipërfaqe e domosdoshme, e ndërmarrjeve dhe objekteve shtetërore, të privatizuara nga ish-Agjencia Kombëtare e Privatizimit, degët e saj në rrethe, nga ish-Agjencia Qendrore e Ristrukturimit dhe Privatizimit të Ndërmarrjeve Bujqësore, me degët e saj në rrethe, si dhe trojet e objekteve apo ndërtesave të shitura, pronë e ish-kooperativave bujqësore, të bëhet, në përputhje me këtë vendim nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, sipas gent-planit dhe dokumentacionit në momentin e privatizimit të tyre. Kjo drejtori kryen edhe shitjen e trojeve të ndërmarrjeve e të objekteve të tjera shtetërore, të privatizuara para krijimit të këtyre agjencive, si dhe të truallit të ndërtesave të ndërtuara në bazë të lejeve të ndërtimit, të lëshuara nga organet e qeverisjes vendore pas datës 10.8.1991 e në vazhdim, sipas gent-planeve dhe dokumentacionit në kohën e lëshimit të lejes së ndërtimit, në të cilin janë përcaktuar objekti apo sheshi i ndërtimit”. 

“Personi fizik apo juridik privat, i cili do të blejë truallin e ndërmarrjes ose të objekteve, sipas përcaktimit në pikën 2, të kreut I, të këtij vendimi, duhet të paraqesë pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për Drejtorinë e Drejtimit të Pronës Publike, dokumentet e mëposhtme:

a) Kërkesën, me shkrim, për blerje të truallit;
b) Kartelën e pasurisë apo certifikatën e pronësisë të noterizuar, nëse e ka, së bashku me hartën treguese për objektin apo objektet që ka në pronësi, të lëshuar nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme; 

c) Kopjen e noterizuar të kontratës së privatizimit të objektit, të ndërmarrjes, së bashku me gent-planin në momentin e privatizimit apo kopjen e noterizuar të lejes së ndërtimit, së bashku me gent-planin e miratuar sipas lejes së ndërtimit, për rastet e objekteve të ndërtuara në bazë të lejeve të ndërtimit, të lëshuara nga organet e qeverisjes vendore pas datës 10.8.1991 e në vazhdim;

ç) Mandatin e arkëtimit për pagesën e taksës së përdorimit të truallit, nga data 7.6.2010 deri në momentin e paraqitjes së kërkesës për blerjen e truallit”.

“Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, merr informacionin e nevojshëm për statusin juridik të pasurisë që kërkohet të privatizohet, nëpërmjet sistemit digjital (në formë elektronike) të zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Në rastet kur e gjykon të arsyeshme, Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, i kërkon, me shkrim, zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme informacion apo dokumentacion në lidhje me objektin apo objektet që kërkuesi ka në pronësi si dhe statusin e truallit që kërkohet të privatizohet”.

“Me “sipërfaqe shtesë funksionale”, nënkuptohet sipërfaqja që kërkohet nga pronarët e ndërmarrjeve, të objekteve të privatizuara dhe të ndërtesave të ndërtuara në bazë të lejeve të ndërtimit, të lëshuara nga organet e qeverisjes vendore pas datës 10.8.1991 e në vazhdim, për zgjerim, shërbime apo ristrukturim të veprimtarisë”. 

“Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, kryen procedurën e shitjes së sipërfaqeve shtesë funksionale të objekteve, sipas përcaktimit në pikën 2, të kreut I, të këtij vendimi, duke përfshirë edhe objektet e privatizuara nga kjo drejtori”.

“Kërkesa për kryerjen e kësaj procedure paraqitet nga kërkuesit pranë Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, së bashku me gent-planin e sipërfaqes së kërkuar për t’u blerë, të përgatitur nga ekspertë të licencuar si dhe dokumentacionin sipas përcaktimit në pikën 3, të kreut I, të këtij vendimi, (përjashtuar mandatarkëtimin për pagesën e taksës së truallit)”.

“Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, merr informacionin e nevojshëm për statusin e truallit që kërkohet të privatizohet, nëpërmjet sistemit digjital (në formë elektronike) të zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Në rastet kur e gjykon të arsyeshme, Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, i kërkon, me shkrim, zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme informacion apo dokumentacion në lidhje me objektin apo objektet që kërkuesi ka në pronësi si dhe statusin e truallit që kërkohet të privatizohet”.
Sigal