Qeveria: Naftëtarët e Ballshit të regjistrohen si të papunë

984
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, deklaroi dje pas mbledhjes së qeverisë, punonjësit e rafinerisë së Ballshit dhe rafinerisë së Fierit do të përfitojnë pagesën e papunësisë. “Është marrë angazhim nga qeveria që Zyra e Punës në Qarkun e Fierit dhe zyrat përkatëse në qytetet përkatëse, të jenë në ndihmë, në shërbim të punonjësve të dy rafinerive, për t’i ndihmuar për aplikimin e statusit të papunësisë, në mënyrë që ata punonjës që sot janë pa punë në të dyja rafineritë, të përfitojnë menjëherë në bazë të ligjit pagesën e papunësisë”, tha Ahmetaj. Sipas tij, qeveria qëndron e angazhuar e vëmendshme deri në detaje, për të mbështetur çdo investitor serioz që do të vijë me një projekt serioz, për zhvillimin e biznesit në Rafineritë e Ballshit dhe të Fierit, apo një ofertë nga investitor serioz, për zhvillimin e një biznes-plani në sektor, ku përshin vënien në punë të të dyja rafinerive. “Qeveria qëndron të jetë e angazhuar pranë naftëtarëve, duke i ndihmuar me procedurat, duke i vënë në dispozicion Zyrat e Punës, në mënyrë që ata punonjës, ata naftëtarë dhe ata familjarë të përfitojnë menjëherë pagesën e papunësisë. Jemi në gatishmëri, të vëmendshëm deri në detaje për të mbështetur çdo iniciativë private për vënien në punë të rafinerive”, deklaroi Ahmetaj. Kompania ARMO ka dhjetëra milionë euro detyrime ndaj shtetit për mospagim të tatimeve, ndërsa punonjësit nuk kanë marrë pagat e disa muajve.
Sigal