Qeveria miraton dhënien me koncesion të Karavastasë

831
Sigal

Dhënia me qira e tokave bujqësore. Ministria e Bujqësisë, tjetër garë për zonën e Karavastasë

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka nisur tashmë procedurat e qiradhënies së tokës bujqësore për ato zona ku kanë përfunduar kontratat e mëparshme. Në një njoftim të fundit ministria bëri me dije se janë të paktën 146 hektarë tokë në zonën e Karavastasë së re që pritet të kalojnë tek personat e interesuar duke paguar qiranë përkatëse. “Vlera fillestare e qirasë, për fillimin e konkurrimit është 1,27 milionë lekë. Afati i dhënies me qira të kësaj pasurie të jetë në përputhje me parashikimet e Kreut VI, të Vendimit nr. 373, datë 20.06.2018, të Këshillit të Ministrave ‘Për përcaktimin e kritereve, të rregullave procedurave dhe kontratës TIP për dhënien me qira të tokave bujqësore në pronësi të shtetit’, në varësi të kulturës bujqësore ose specie e bimëve me të cilat do të lidhet kjo veprimtari” thuhet në dokument. Në dokumentet që kërkohen nga ana e subjekteve aplikantë nënvizohet se duhet të jepen detaje të përgjithshme mbi projektin që pritet të zbatohet. Kjo do të thotë që duhet të specifikohen kulturat bujqësore ose speciet e bimëve që do të mbillen, teknologjitë, që do të aplikohen në kultivimin e bimëve dhe përpunimin e produkteve, investimet në infrastrukturë (kullim, ujitje, sistemim), të shprehura në tregues fizikë e monetarë, tregun e shitjes, aftësitë financiare, kreditë dhe burimet e financimit të shprehura në vlerë, që garantojnë investimet, ndikimin e veprimtarisë në shtimin e numrit të të punësuarve. Ministria nënvizon gjithashtu se duhet të jepen dokumentet që vërtetojnë aftësitë financiare, kreditë dhe burimet e financimit duhet të jenë të lëshuara nga institucionet e ngarkuara nga ligji për këtë qëllim. Në listën e kërkesave thuhet se subjekti duhet të paraqesë edhe projektin e investimeve, të hartuar nga një specialist arkitekt i licencuar, afatin e përdorimit të tokës për qiramarrje, vetëdeklarimin që nuk ka detyrime financiare ndaj organeve tatimore qendrore e vendore, nuk është në ndjekje penale, nuk ka detyrime ndaj qiradhënësit si dhe nuk është në konflikt interesi me Autoritetin Qiradhënës, kohën e fillimit e të mbarimit të mbjelljes së tokës me kulturën bujqësore, nivelin e çmimit (lekë/ha në vit) që ofron për marrjen me qira të tokës bujqësore.