Qeveria miraton Aktin Normativ, ndryshon sërish buxheti 2017

910
Qeveria ka miratuar një tjetër Akt Normativ, duke ndryshuar për të disatën herë buxhetin e shtetit të vitit 2017. Ndryshimet që Këshilli i Ministrave ka miratuar në buxhetin e vitit 2017 parashikojnë një rritje të ardhurave dhe të shpenzimeve, por duke mbajtur deficitin në të njëjtin nivel. Po ashtu, një ndryshim tjetër është ulja e shpenzimeve të pushtetit vendor dhe rritja e shpenzimeve për sigurimet shoqërore e për garancitë shtetërore. Të ardhurat janë 442,9 miliardë lekë, me një rritje 4.5 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet 474,1 miliardë lekë, me një rritje po 4.5 miliardë lekë. Në këtë mënyrë, deficit buxhetor ka mbetur i pandryshuar në masën 31,2 miliardë lekë. Në Aktin Normativ përcaktohet, se fondi rezervë i buxhetit të shtetit prej 2,4 miliardë lekë do të përdoret deri në 1,3 miliardë lekë, për raste të paparashikuara të institucioneve buxhetore, nga Këshilli i Ministrave (me një rritje 100 milionë lekë) dhe deri në 100 milionë lekë, për krijimin dhe funksionimin e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, sipas vendimit të Kuvendit. Në këtë kategori është bërë një ulje fondi me 400 milionë lekë për shkak të vonesës në ngritjen e institucioneve të vetingut. Fondi për emergjencat natyrore ka mbetur i pandryshuar në masën 1 miliard lekë, ndërsa kontingjenca për risqet e borxhit mbetet 4 miliardë lekë dhe do të përdoret për të kompensuar rreziqe potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit, me ndikim në nivelin e borxhit.
Sigal