Qeveria me nivelin më të lartë të borxhit në ekonominë shqiptare

161

Mjetet financiare të qeverisë së përgjithshme, në fund të vitit 2017, shënojnë 492 miliardë lekë, nga 538 miliardë një vit më parë, me rënie vjetore prej 8%. Ato prezantohen kryesisht në aksione/pjesëmarrje në kapital në korporata publike jofinanciare dhe në llogari të tjera të arkëtueshme, kryesisht kundrejt biznesit, respektivisht në rreth 45% dhe 35%. Në fund të vitit 2017, instrumenti “aksione/pjesëmarrje në kapital” vlerësohet në 223 miliardë lekë, nga 238 miliardë lekë një vit më parë. Mjetet financiare të përfshira në instrumentin “llogari të tjera të arkëtueshme”, i cili përfshin pretendimet e autoriteteve publike ndaj agjentëve ekonomikë, të tilla si komisione, taksa dhe sigurimet shoqërore, për 2017, vlerësohen në 172 miliardë lekë, nga 224 miliardë në fund të 2016. Zëri “Monedha dhe depozita” u zgjerua në nivelin 48 miliardë lekë, nga 34 miliardë lekë në vitin 2016. Huatë e dhëna nga qeveria e përgjithshme u rritën me rreth 18% gjatë vitit. Në terma nominalë, ky tregues shënon 49 miliardë, nga 42 miliardë lekë në fund të vitit 2016. Detyrimet financiare të sektorit të qeverisë së përgjithshme vlerësohen në nivelin 1.21 trilionë lekë më 2017, nga 1.18 trilionë lekë në fund të vitit 2016. Instrumenti kryesor i financimit, i përdorur nga qeveria e përgjithshme, vijon të jenë “letrat me vlerë të borxhit”, të cilat përbëjnë rreth 48% të totalit të detyrimeve. Në terma absolutë, letrat me vlerë afatgjata të borxhit gjenden në nivelin 406 miliardë, nga 373 miliardë një vit më parë, ndërkohë letrat me vlerë afatshkurtra (deri në një vit) ranë në nivelin 181 miliardë, nga 189 miliardë në vitin 2016. Mbajtësit kryesorë të letrave me vlerë të borxhit të qeverisë janë korporatat e tjera depozituese, në një total prej 343 miliardë lekësh. “Huatë afatgjata”, ashtu si letrat me vlerë, kanë luajtur rol të rëndësishëm si instrument financues për qeverinë e përgjithshme, dhe zënë 36% të detyrimeve totale. Në fund të vitit 2017, huatë arritën nivelin 434 miliardë lekë, nga 422 miliardë lekë në vitin 2016, me një rritje vjetore prej 2.7%. Financuesi kryesor i borxhit të qeverisë së përgjithshme (hua dhe letra me vlerë) është sektori i jorezidentëve, i cili mban rreth 46% të totalit, i shoqëruar nga sektori i korporatave të tjera depozituese në rreth 34%. Detyrimet financiare në formën e llogarive të pagueshme të vlerësuara në llogaritë financiare, në terma absolutë, shënuan rreth 190 miliardë lekë në fund të vitit 2017, nga rreth 203 miliardë lekë në fund të vitit 2016. Në vitin 2017, pozicioni financiar neto i qeverisë së përgjithshme, në raport me PBB-në, llogaritet në nivelin -46.2%, nga rreth – 44% një vit më parë.