Qeveria kërkon që të anashkalojë Kushtetutën dhe të marrë hua pa miratimin e Kuvendit

752
Sigal

Edhe deputetët  e maxhorancës të Komisioneve parlamentare të Ekonomisë dhe Ligjeve, nuk u besojnë syve për p/ligjin

Ditë më parë, në Komisionin e Ekonomisë, ministri i Financave, Shkëlqim Cani solli një projektligj, ndryshimet në ligjin Për huamarrjen  dhe  borxhin Shtetëror i cili, as më shumë dhe as më pak, kërkon që qeveria të marrë hua dhe borxh pa miratimin e Kuvendit. Duke e ditur se ky projektligj është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, e cila ndalon kategorikisht qeverinë, që të marrë çfarëdo hua dhe borxh, pa marrë më parë miratimin e Kuvendit, cënon kushtetutën, në nenin 156,  ku sanksionohet  se Shteti mund të marrë e të garantojë hua dhe kredi financiare, kur autorizohet me ligj,  ministri Cani u përpoq që ta justifikonte ( nuk bëhet fjalë për argumente) me atë që është qeveria që vendos për kuotën dhe nevojën e borxhit dhe miratimi i huasë në Kuvend, nuk është edhe aq i domosdoshëm, kjo për të përfituar  interesa më të mira në tregun vendas dhe ndërkombëtarë.

Edhe deputetët socialistë mbetën të habitur dhe të hutuar

Deputetët e maxhorancës në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ku shumica e tyre nuk janë aspak specialistë, por janë thjesht për të plotësuar numrin, nuk mundën të shprehnin befasinë dhe habinë për këtë ligj, pasi e dinë shumë mirë, që Kushtetuta e ndalon kategorikisht që qeveria të marrë hua dhe kredi pa miratimin e Kuvendit. Ndaj, për të mos dukur  “disidentë”, deputetët e maxhorancës, meqë opozita mungon, gjetën një formulë të thatë për ta rrefuzuar miratimin, duke thënë, që ta diskutojnë më vonë. Mirëpo, nuk dihet se çfarë nevoje e ngutshme është shtruar para qeverisë për të marrë ndonjë hua ( ndodhemi edhe para fundvitit, e ndoshta ndonjë arkë e shtetit është bosh, jo sigurisht, nga vjedhja e thesarit të BSH-së) ministria e Financave, dje këtë projektligj, të marrjes të huasë nga qeveria pa miratimin e Kuvendit, e paraqiti edhe në Komisionin e Ligjeve, për të marrë çertifikatën juridike, që edhe Kushtetuta nuk preket ( ose edhe mund të anashkalohet, pa shumë zhurmë). Mirëpo, sado të urdhëruar dhe të komanduar të jenë deputetët e maxhorancës nga Njësi i qeverisë dhe i partisë, edhe këta deputetë  të maxhorancës të Komisionit të Ligjeve, sikurse kolegët e tyre te Komisioni i Ekonomisë, po me mirësjellje, e lanë “pataten e nxehtë”, të huamarjes të borxhit nga qeveria pa miratimin e Kuvendit, atje, përsipër tavolinës, pa e prekur, derisa të ..ftohet.Kështu, zyrtarisht, Komsioni i Ligjeve, shtyu në kohë diskutimin për ndryshimet në ligjin Për huamarrjen  dhe  borxhin Shtetëror. Ministria e Financave kërkon që qeveria të miratojë marrjen e borxhit, duke shmangur autorizimin e parlamentit, kjo për të përfituar  interesa më të mira në tregun vendas dhe ndërkombëtarë. Por ndonëse e vlerësuan nismën,  ligjvënësit socialistë vlerësuan se kjo kërkesë cënon kushtetutën, në nenin 156,  ku sanksionohet  se Shteti mund të marrë e të garantojë hua dhe kredi financiare, kur autorizohet me ligj, ndaj kërkuan më shumë kohë për ta shikuar.

Bojkoti i PD-së, varkë shpëtimi për qeverinë

Jo rastësisht, qeveria e sjell në këto ditë këtë projektligj për ndryshimet në ligjin Për huamarrjen  dhe  borxhin Shtetëror. Tani që nuk është opozita, qeveria kërkon që të shmangë oponencën politike dhe juridike, për ta futur ligjin e saj nga dritarja e Kushtetutës, ngaqë Kushtetutën e konsideron si një dërrasë të zezë të klasave fillore, ku çdo fjali e shkruar mund të shuhet me një leckë. Deputeti i PD-së, Sherefin Shehu, i pyetur nga “Telegraf”,  tha se ata si deputetë nuk kanë asnjë informacion për një projektligj të tillë. Po kështu na pohuan edhe deputetët Florian Mima dhe Edmond Spaho. Deputeti Shehu, shtoi se një projektligj i tillë, nuk mund të ketë asnjë mundësi që të hartohet, sepse është në kundërshti kategorike nga Kushtetuta. Nëse qeveria ka këtë mundësi, atëhere, sipas deputetit Shehu mungon tërësisht transparenca financiare e qeverisë. Ndërsa deputeti Mima, tha se qeveria duhet të kontrollohet nga Parlamenti për çdo qindarkë të harxhuar dhe të japë llogari për çdo qindarkë që harxhon. Kuptohet, që me këto pohime të deputetëve të PD-së, se çfarë polemika politike do të hapte ky projektligj, nëse do të diskutohej edhe në prani të opozitës.

Flasin për Telegraf

 Sherefedin Shehu, deputet i PD-së, ekonomist: Do të mungojë transparenca financiare e qeverisë

Ne deputetët e PD-së nuk kemi asnjë informacion për një projektligj të tillë. Së pari, ndalohet kategorikisht, që qeveria të marrë borxh e hua, pa miratimin e Kuvendit. Nëse miratohet ky ligj, atëhere nuk do të ketë më transparencë për financat e qeverisë.

 

Florian Mima, deputet i PD-së, ekonomist:Çdo qindarkë e harxhuar duhet të kontrollohet nga Parlamenti.

Unë nuk kam asnjë dijeni për një projektligj të tillë. Nuk e di se çthotë qeveria me atë projektligj që më thoni. Por, nëse do të votohet, më parë, qeveria duhet të ndryshojë Kushtetutën,. Ose ta gremisë Kushtetutën. Çdo qindarkë që harxhon populli, duhet të kontrollohet dhe miratohet nga përfaqësuesit e popullit, që janë në Parlament.

Edmond Spaho, deputet i PD-së: Nuk e di, por varet nga natyra e borxhit

Nuk më kanë thënë asgjë, për një projektligj ndaj e kam të vështirë të them qoftë edhe një fjalë. Më jepni kohë ta lexoj. Por, marrja e borxheve nga qeveria varet nga natyra dhe nga nevoja përse e merr.