Qeveria i ka borxh biznesit, 280 milion euro

597
Sigal

Kriza/Ngrirja e pagesave ndaj biznesit vret rritjen ekonomike të vendit

Më 10 shtator, kur qeveria e re të marrë drejtimin e vendit, do të gjejë një situatë ekonomike dramatike. Keqpërdorimi i financave publike për qëllime elektorale në periudhën janar-qershor 2013 ishte në nivele alarmante dhe kritike. Në mënyrë të veçantë huamarrja. Sipas specialistëve të ekonomisë, është tejkaluar që në 6 muajt e parë të vitit rreth 85% e kufirit vjetor të huamarrjes, çka do të thotë që pjesa e mbetur e vitit do të jetë më e vështirë. Nga mosrealizimi i të ardhurave dhe në veçanti i të ardhurave nga taksat dhe tatimet rezultojnë rreth 11 miliardë lekë të paarkëtuara. Ekspertët thonë se është gati e pamundur që me bllokimin e shpenzimeve operative dhe investimeve për 6- mujorin e dytë të arrish të respektosh kufirin ligjor të deficitit të Buxhetit të Shtetit. Bllokimi është i pamjaftueshëm dhe i dëmshëm, sepse dëmton disa shërbime bazë në shëndetësi, arsim, rend publik dhe investime buxhetore që do të zvarriten akoma më shumë. Po ashtu, qeveria e re ka detyre të paguajë biznesin për mallrat, shërbimet dhe investimet publike të tyre për buxhetin. Disa përllogaritje të para flasin për rreth 280 milionë euro borxhe ndaj biznesit. Të ngrish pagesat ndaj biznesit nënkupton thellimin e krizës së tyre të likuiditeteve dhe vret rritjen ekonomike të vendit. Po ashtu, ky bllokim rrit papunësinë dhe kreditë e këqija. Shkrehja nga zgjedhjet dhe periudha postzgjedhore është po ashtu dramatike. Vetëm në qershor 2013 janë mbledhur rreth 23 përqind më pak taksa. Në këshillat për qeverinë e re, specialistët thonë se ajo e ka detyrë madhore të njohë deficitin e rritur të Buxhetit të Shtetit dhe të miratojë një kufi të ri më të lartë të tij, që përputhet me realitetin e thellimit të tij, pavarësisht nga fakti që kështu rritet përkohësisht edhe borxhi publik i vendit. Elementët kryesore, struktura dhe përmasat e reformave të konsolidimit fiskal, duhet të jenë pjesë e paketës fiskale të buxhetit të vitit 2014 dhe programit afatmesëm 2014-2017. Qeveria do të duhet të mos rrisë borxhet ndaj biznesit, të mos dëmtojë shërbimet jetike dhe investimet në proces, duhet të përmirësojë administrimin fiskal dhe të ndërtojë një buxhet të bazuar në vizionin për të ndihmuar rritjen ekonomike dhe qëndrueshmërinë e financave publike, bazuar në reforma reale. Reforma për stabilitetin e financave publike nuk mund të përmblidhet në një rregull të vetëm apo të fortë fiskal (për shembull, fiksimin e borxhit publik jo më shumë se 60 përqind të GDP-së në Kushtetutë). Përparësi duhet të marrin reformat që nxisin dhe mbështesin rritjen ekonomike, disa prej të cilave me theks të veçantë në mirëqeverisjen e vendit si e drejta e pronës, lufta kundër korrupsionit, kundër nepotizmit, kundër abuzimit dhe arrogancës së administratës publike. Pjesën kryesore të reformave të qëndrueshmërisë së financave publike do ta zënë reformat në krahun e shpenzimeve, rritja e efikasitetit të tyre dhe vendosja nën kontrollon dhe reduktimi i shpenzimeve jo efikase. Njëkohësisht, do të duhen reforma në politikat e taksave për një strukturë më të harmonizuar midis tyre dhe niveleve optimale të taksave. Aty do të gjejë vend zbatimi i taksimit progresiv. Stimulimet ekonomike, rritja e shpenzimeve dhe investimeve publike pa reforma nuk prodhojnë efekte pozitive të qëndrueshme për një rritje më të lartë ekonomike dhe për uljen e papunësisë dhe varfërisë. Nga ana tjetër, borxhi publik është në nivele kritike. Rritja e ekonomisë pengohet edhe nga borxhet e larta të kompanive, si dhe nga niveli i lartë i kredive të këqija. Ekspertët theksojnë se qeveria e re duhet të gjejë ekspertizën e nevojshme për të ndërtuar një strategji të uljes graduale të borxhit publik, pa dëmtuar rritjen ekonomike dhe të punësimit, por pa e lejuar barrën e tij të bëhet akoma më e rëndë. Kur një qeveri e financon ekonominë e saj me rritje borxhi, ajo ia merr apo i vjedh dhe i keqpërdor taksat e brezit të ardhshëm, pra fëmijëve tanë. Presioni për masa radikale, apo përmirësime nëpërmjet drejtimit me dorë të fortë janë vetëm të përkohshme dhe krijojnë efekte negative në periudhat e ardhshme.