Qeveria financoi PPP e inceneratorëve me 11 mln euro në 2018

565
Sigal

Inceneratorët e menaxhimit të mbetjeve kanë qenë pika të forta debati në opinionin publik, në lidhje me dëmet që shkakton përdorimi i tyre në mjedisin shqiptar apo dhe nevojën reale të përdorimit të kësaj metode për përpunimin e plehrave. Ka pasur raportime të shumta se për një vend si Shqipëria që gjeneron pak mbetje implementimi i inceneratorëve është i panevojshëm. Megjithatë qeveria shqiptare në kundërshtim me mendimet e ekspertëve është treguar e vendosur në krijimin e inceneratorëve duke dhënë me koncesion ndërtimin e tre impianteve të menaxhimit të mbetjeve në Elbasan, Fier dhe Tiranë. Këto marrëveshje të Partneritetit Publik Privat priten ti kushtojnë xhepave të qytetarëve rreth 300 milionë euro, dhe përveç kësaj fature, një tjerët “dhuratë” e qeverisë për qytetarët do të jetë sasia e madhe e ndotjes që vjen si pasojë e djegies së mbetjeve, që vë në rrezik jetën e qytetarëve. Impiantet e menaxhimit të mbetjeve me koncesion në qytetet e Elbasanit dhe Fierit u financuan me rreth 11 milionë euro sipas të dhënave zyrtare të thesarit nga Ministria e Financave, raporton Monitor. Financimet më të mëdha u dhanë për impiantin e mbetjeve në Fier me mbi 752 milionë lekë ose 6 milionë euro dhe për inceneratorin e Elbasanit u dhanë 4.8 milionë euro. Për inceneratorin e Fierit është derdhur gjysma e fondit të programuar, teksa punimet kanë nisur vitin e kaluar. Sipas të dhënave Integrated Technology Waste Treatment Fieri ka marrë mbi 1.4 miliardë lekë nga buxheti i shtetit deri në fund të vitit të kaluar, teksa i gjithë impianti kushton 3,6 miliardë lekë. Për inceneratorin e Elbasanit janë derdhur mbi 2 miliardë lekë nga 2.9 miliardë lekë që kushton gjithsej impianti. Shqipëria gjeneroi 436 kg mbetje për frymë për vitin 2017, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, duke u renditur mes vendeve që kanë një nivel të ulët të mbetjeve për frymë (në vend të 24 nga 38 shtete të raportuara). Në të kundërt, Eurostat e rendit Shqipërinë të tretën në listën e atyre pak vendeve evropiane që përdorin metodën e incenerimit për përpunimin e plehrave. Në vend të parë është Gjermania, që ka përpunuara 27 kg/frymë, e ndjekur nga Sllovenia me 18 kg dhe e treta është Shqipëria me 7 kg për frymë. Në total janë vetëm 9 shtete që e kanë përdorur metodën e incenerimit për përpunimin e plehrave në 2017-n, sipas raportimit të Eurostat. Ky proces mbulon djegien e mbeturinave ku qëllimi kryesor i djegies është trajtimi termik i mbeturinave në mënyrë që të zvogëlohet vëllimi dhe rrezikshmëria e mbeturinave dhe të merret një produkt inerte. Përfitimi i energjisë përmes incenerimit apo landfillet janë opsionet më pak të preferueshme për mbetjet. Organizata Botërore e Shëndetit vlerëson se gjatë djegies çlirohet dioksina që kanë një sërë efektesh toksikë në trupin e njeriut dhe klasifikohen si kancerogjene. Ato mund të japin efekt edhe tek pjesa hormonale dhe imune në trup. Niveli i përpunimit të plehrave përmes metodës së incenerimit në Shqipëri pritet të rritet më tej, pasi aktualisht në funksion është vetëm inceneratori i Elbasanit dhe në projekt janë dhe dy të tjerë në Fier dhe Tiranë, të cilat pritet ta çojnë kapacitetin përpunues në 130 kg për frymë.