Qendra kërkimore që trondit bujqësinë shqiptare

1284
Në fshatin Toshkëz, ish komuna Allkaj në Lushnje, bie në sy një parcelë me grurë, me kuadrate si një qëndismë, ku mund të dallosh me sy varietete të ndryshme gruri. Sapo shikon disa bimë të futura në qeska pergameni, menjëherë të shkon mëndja se kemi të bëjmë me kryqëzime, me punë gjenetike, për krijimin e varieteteve të reja të grurit. Përgjigjen e pyetjes se ç’bëhet në ato ngastra “të çuditshme” e merr nga fermerët që punojnë aty, të cilët, siç shprehen ata “marrin udhëzime nga një profesor që vjen nga Tirana, me emrin Adem Salillari’. Ata na dhanë edhe një informacion tjetër, paksa i padëgjuar për ne se “puna bëhet nga fermerët e fshatit, të cilët i paguan ARFA, një grup distributor i Dixhitalbit”. Në Tiranë kontaktova me këtë grup shkencëtarësh me Prof. Adem Salillarin, masterin Artan Sota, zbatuesin eksperimental Trifon Arapi dhe menaxherin Fotion Luniku. Mësova se ata kanë ngritur një qendër të private të përmirësimit gjenetik për krijimin e varieteteve të reja të grurit, hibrideve të misrit dhe të prodhimit të farës, me synimin që të krijohen varietete të reja të vendit, më të mirë se ata të huaj. Fermeri shqiptar, thanë ata, do të blejë jo vetëm farë me kapacitete të larta dhe cilësi prodhimi, por edhe më të lirë, gati me gjysmë çmimi në krahasim me atë që blihet nga jashtë. Këta si grup duan të hapim një degëzim të ri biznesi. Nga ky aktivitet, veç interesit privat, lekët për blerjen e farës ngelen brenda vendit dhe nuk shkojnë në interes të firmave të huaja. Ndërkohë puna për prodhimin e shitjen e farës bën që të punësohen shumë fermerë të zonës. 
Gjenetistët e huaj nga Italia dhe Hollanda
Qendrën eksperimentale e viziton rregullisht 1-2 herë në vit përfaqësusesi i “Apsocv Sementit” në Itali, një nga prodhuesit kryesorë të farërave të grurit në këtë vend, Prof. Alberto Verderio, i cili ka punuar në Institutin e Bergamos dhe punon privatisht me krijimin e hibrideve të misrit si dhe Prof. Tomaso Kraiger, gjenetist i njohur nga Hollanda. Kjo është një qendër e krijimit të varieteteve të reja të grurit dhe e hibrideve të misrit. Duhet të thuhet një fakt. Para viteve ‘90 ky aktivitet kryhej nga institutet shtetërorë, të cilët ishin të shumtë. Pas viteve ‘90 përmirësimi gjenetik erdhi duke rënë sepse financimet ishin qesharake dhe interesi për farërat vendase u venit për shkak se u futën shumë farëra nga jashtë. Duhet thënë, gjithashtu, se puna për krijimin e farërave të reja e prodhimi i tyre në vendet e zhvilluara të Europës mbulohet nga firma, kompani dhe institucione private. Institutet publike dhe departamentet e shkollave të larta nuk merren me kërkimin direkt aplikativ në krijimin e varieteteve dhe prodhimin e farës, por me kërkimin bazë, për arsyet që dihen. Në këto kushte, thotë Prof. Adem Salillari, grupi i ortakëve të “Dixhitalb”, më ftuan që të ngrinim këtë bazë, të cilën praktikisht e kemi në funksion të plotë. Synimi është i qartë: Krijimi i variateteve të grurit me potencial të lartë prodhues, 70-100 kv/ha dhe me tregues cilësorë e teknologjikë të lartë. Vëmendje të veçantë i kushtohet përshtatshmërisë, që varietetet që krijohen të kenë stabilitet të prodhimi, t’i ndjejnë sa më pak ndryshimet e kushteve të motit nga një vit në tjetrin. 
Varietete për Shqipërinë dhe Kosovën
Për kushtet e Shqipërisë synohet të krijohen varietete që kallëzojnë shpejt e piqen herët, që u shpëtojnë erërave të ngrohta gjatë mbushjes së kokrrës në muajin maj. Për zonën e ftohtë dhe Kosovën synohen grurëra që kallzojnë vonë, por që piqen herët. Zakonisht synojmë forma me vllazërim të shtrirë, që i rezistojnë të ftohtit të dimrit. Specialistët e kësaj baze shkencore punojnë të modifikojnë formën e vendosjes së gjethit në kërcell, drejt formave të ngritura e që kanë një eficencë më të lartë fotosintetike, me gjelbërim të zgjatur deri në prag të pjekjes. Për misrin janë krijuar linja të pastra me aftësi kombinuese të lartë, farëra hibride me kapacitet prodhues 160-180 kv/ha. Aty punohet për të krijuar hibridë të tipit modern, me orientim vertikal të gjethes dhe gjelbërim të përhershëm. Krahas grurit dhe misrit po eksperimentohet për të hedhur në prodhim të gjerë disa varietete jonxhe, disa përzierje graminore dhe leguminoze të cilat mbillen në shtator-tetor dhe korren në prill, duke e zënë tokën gjatë dimrit me bimë të tjera të dobishme për blegtorinë. Nga disa përzierje, varietete elbi farogjer dhe distik, merren 400-500 kv/ha masë e njomë. Pas kësaj toka mbillet normalisht me një kulturë pranverore si misër, perime, foragjere etj. Në këtë bazë të aplikimit të shkencës bashkëkohore janë bërë punë të mëdha. Janë ngritur hallkat e punës përmirëseuse gjenetike me grurin e misrin, fondin gjenetik të punës kërkimore, si dhe është përgatitur teknikisht grupi i punonjësve që merren me ngritjen e ndjekjen e eksperimenteve që projektohen me kryqëzimet, vetpllenimet etj. Për çdo vit realizohen rreth 100 kryqëzime në grurë dhe 500 kryqëzime në misër. Në fushat e breznive të seleksionimit janë dhjetëra linja të reja gruri e misri. Aty ngrihen për çdo vit provat e testimit të varieteteve të grurit dhe të hibrideve të misrit në dy vende: në Lushnje (fshati Toshkëz) për zonën e ngrohtë, në Kosovë (Istog) për zonën e ftohtë. Këtë vit u ngit një pikë tjetër, në Vorgera, në Itali. Drejtuesit dhe specialistët janë në procesin e kolaudimit të varieteteve të krijuara, të cilët japin rendimente shumë më të larta se këto që importohen nga jashtë. Po aty janë ngritur hallkat e prodhimit të farës së certifikuar. Këtë vit u prodhuan mbi 1000 kv farë gruri e varieteteve me vlera të larta cilësore e prodhuese dhe rreth 150 kv farë misri hibrid. 
Perspektiva e qendrës kërkimore
Baza e ngritur ka një perspektivë të shkëlqyer. Shpresohet se do të bëhet faktor dominues ndihme dhe shprese për prodhuesit shqiptarë të grurit dhe misrit, duke ditur se prodhimi fillon me farën. Nga farërat e cilësisë gjenetikisht të lartë pret vetëm rendimente të larta. Sigurisht, kur kjo shoqërohet edhe me shërbimet në përputhje me kërkesat biologjike të çdo varieteti apo hibridi. Si, kush u bë shkak që të ngrihej kjo baze e rëndësishme shkencore për bujqësinë shqiptare? Artan Sota e shpjegon kështu: Nxitja erdhi nga qakam mbaruar fakultetin e bujqësisë dhe ajm përfshirë në punë eksperimentale me temën e diplomës në fushën e resurseve gjenetike, ku udhëheqësi ishte Prof. Salillari. Duke ndjekur leksionet e përmirësimit gjenetik, më lindi dëshira për t’u përfshirë në lëmin e kërkimit shkencor për krijimin e varieteteve e hibrideve të rinj. Me këtë punë kam mbrojtur shkëlqyer Masterin Shkencor dhe vazhdoj edhe doktoraturën. Mundësia m’u krijua se në këtë fshat kam edhe pronën time, kam bashkëfshatarët që i njoh dhe duan të punojnë me ne sipas interesit të tyre. E diskutuam para 4 vjetësh me profesorin nëse mund t’i futemi kësaj pune rrisqet, vështirësitë dhe përfitimet tona, por mbi të gjitha të fermerëve tanë. Profesor Ademi punon dhe qysh prej 40 vjet ka një përvojë të gjatë, është një krijues i shkëlqyer varietetesh bimore. Këtë përvojë ai përpiqet ta trasferojë gradualisht tek ne pasi ai aktualisht është në pension, por e drejton këtë aktivitet për pjesën e krijimit të llojeve të reja. Ata janë optimistë dhe shumë shpejt do të duken frytet e para të punës. 
Lufta kunder korrupsionit
Tashmë për këtë grup shkencëtarësh s’ka kthim prapa. Por kërkohet mbështetje në radhë të parë të luftohet korrupsioni në tregtimin e farës pasi shiten farëra të degraduara. Disa nga importuesit sjellin farëra që s’u përshtaten kushteve tona ose janë jashtë standardeve. Fatkeqësisht janë futur farëra me etiketa fallso, të cilat japin rendiment 30-40% më pak se farërat që prodhohen aty. Ndodh shpesh që merren farëra prodhimi të zakonshëm dhe u vihet etiketa fallso, duke i shitur lirë, aq sa i mban xhepi fermerit. Ne, thonë këta specialistë, ndodhemi në vështirësi. Edhe pse farërat që prodhojmë janë sipas kërkesave shkencore, teknologjike dhe ligjore, ato mbeten stok për shkak të praktikave korruptive. Pra, duhet të luftohet korrupsioni në tregtimin e farave, i cili po dëmton seriozisht fermerët, prodhimin bujqësor dhe ekonominë shqiptare. T’u thuhet “sos” matrapazëve dhe të jenë nën kontroll të rreptë të gjitha hallkat në punën me prodhimin e farërave. Mund të themi pa e tepruar se humbjet nga mospërdorimi i farave jo cilësore dhe i mosnjohjes dhe i zbatimit të një teknologjie adekuate, në kushtet aktuale, pa përfshirë këtu përmirësimet që mund të bëhen për tokën (kullimi, ujitja etj) humbjet e prodhimit llogariten në 40-60% e llogaritur për sipërfaqet që kultivohen llogariten në miliona euro. Mjafton le tu hedhim një sy provave tona: Për grurin tregtohet fara e varietetit “Renesanca”, i cili jep në provë rreth 30kv/ha më pak se varietetet që eksperimentohen në këtë bazë shkencore të prodhimit të farërave. Kjo “epidemi” ka përfshirë edhe përdorimin e farërave tek bima e misrit. Vitin e kaluar varieteti “ZP-434”, i cili tregtohet në masë ka dhënë në provë 97.43 kv/ha, ndërkohë që shumica e hibrideve të tjerë dhe e kombinimeve të prodhuesve tanë kanë dhënë 40-50kv/ha më shumë. Pra është pa kuptim, madje krim i rëndë, që të blihet farë nga jashtë, e cila jep 20-40 % më pak nga ato që prodhohet brenda vendit. Nga përvoja dhe nga faktet që janë evidentuar mund të thuhet se fermerët shqiptarë janë aq të zotë dhe inteligjentë, sa janë të gatshëm të ndërtojnë një bujqësi moderne. Vetëm se kjo punë fillon nga fara. Duhet thënë se kërkimi gjenetik përbën majën e progresit shkencor në bujqësi, ndërsa fara është vektori që e përcjell këtë progres shkencor tek prodhuesi, fermeri, efektet e të cilës pasqyrohen dukshëm tek konsumatori, qytetari, në nivelin e tij ekonomik dhe ushqimor. 
Sigal