Puset e naftës gati të shpërthejnë, punonjësit e “Transatlantic” ndërpresin prodhimin

1318
Në kohën kur kompania ka nisur proceduar dhe është në një proces shitjeje, nga “Transatlantic Petroleum” te “GBC Oil”, punonjësit e kompanisë koncesionare të naftës, në shkresën e tyre drejtuar institucioneve më të larta të shtetit shqiptar pohojnë se arsyeja kryesore e këtij veprimi lidhet me pushimin nga puna të një kolegu të tyre dhe me terrorin, sipas tyre të ushtruar nga administrator i ri, Neim Kasa. Ata kërkojnë kryerjen e pagesave të prapambetura dhe të pagesave sipas kontratës. Një ndërprerje e veprimtarisë së kompanisë, sipas ekspertëve krijon dëme të rënda për vendburimin, pasi dëmtohen puset. Konflikti po zgjat tashmë prej disa muajsh, por tashmë është përkeqësuar ndjeshëm.

Shitja nga “Transatlantic” te “GBC Oil”

“Transatlantic Petroloeum”, ish “Stream Oil” shfrytëzon 4 vendburime të njohura nafte dhe gazi në Shqipëri, atë të Ballsh-Hekalit, Gorisht-Koculit dhe Cakran-Mollajt në naftë, si dhe fushën gazmbajtëse të Delvinës. Pas “Bankers Petroleum”, ky koncesion është prodhuesi i dytë më i madh i naftës në vend. Në shkurt të këtij viti “Continental Oil & Gas” (kompania kryesore) dhe “GBC Oil Company” (filial I saj) deklaruan blerjen e “Transatlantic Petroloeum”. Të dyja kompanisë, si mëma dhe bija rezultojnë pa eksperiencë në veprimtarinë e naftës dhe gazit, ndërkohë që përmes parajsave fiskale (mëma është e regjistruar në Delaware, SHBA) janë fshehur më së miri gjurmët, aq sa autoritetet po e kanë të pamundur që të verifikojnë se cilët janë aksionerët aktualë të pronarit të ri të katër burimeve të rëndësishme natyrore në vend. Pas” GBC Oil” (që mësohet se janë inicialet e Gorish-Ballsh-Cakran) është konstatuar nga autoritetet se qëndrojnë të njëjtën aksionerë të shoqërisë “Phoenix Petroleum” (z.Neim Kasa është aksioner i kompanisë ‘Phoenix Gas’ që ka në pronësi ‘Phoenis Petroleum’), që në vitin 2013 ka marrë 9 burime nafte me koncesion. Tashmë kompania po synon të marrë dhe 4 të tjera, duke zotëruar 13 vendburime, nga 16, që ka gjithsej “Albpetrol”, (kompania shtetërore, që menaxhon këto burime) dhe duke u bërë monopol i burimeve të gazit.

Detyrimet në miliona euro

Në njoftimin zyrtar të shitjes së operacioneve nga “Transatlantik Petroleum” te “GBC Oil Company”, në 4 mars 2016, bëhet e ditur se shitja tek ‘GBC Oil’ është bërë në këmbim të pagimit të një huaje prej 2.3 milionë dollarë tek banka ‘Raiffeisen’ dhe marrjes përsipër të 29.2 milionë dollarë detyrime të kompanisë, që përbëhen nga 23.1 milionë dollarë llogari të pagueshme dhe 6.1 milionë dollarë borxh. Për gazin e Delvinës, ‘Transatlantic’ njofton se ia ka kaluar asetet dhe detyrimet prej 12.9 millionë dollarë të lidhura me të tek ‘Delvina Gas Company Ltd. (“DelvinaCo”), një kompani e re, në pronësi po të ‘Transatlantic’. Në një situatë të tillë, teksa dhe detyrimet e koncesionarit sa vijnë e rriten, ‘Albpetrol’, shoqëria shtetërore e nxjerrjes së naftës, që menaxhon kontratën koncesionare në fjalë, ka filluar procedurën e prishjes së kontratës me ‘Transatlantic’, për shkak se nuk janë përmbushur detryrimet kontraktuale. Burimet zyrtare nga ‘Albpetrol’ kanë pohuar për mediat se “ne jemi detyruar që të nxjerrim aktin pasi kompania ka dështuar në mënyrë të përsëritur që të shlyeje detyrimet”. “Transatlantic” i ka mbi 10 milionë euro detyrime “Albpetrol”.


Sigal