Punësimi i militantëve i kushton taksapaguesve 20 miliardë lekë në vit/ Vendimet gjyqësore të gjykatave shqiptare, të arbitrazhit ndërkombëtar dhe ato të Gjykatës Evropiane të Strasburgut i kushtojnë buxhetit të shtetit miliarda lekë çdo vit. KLSH: Detyrimet e pakontabilizuara dhe të paautorizuara për pagesë nga ministria e Financave e kalojnë shumën e 5 miliardëlekëve

47

KLSH: Zbatimi i vonuar i vendimeve po krijon kushtet e akumulimit të kamatëvonesave

 

Vendimet gjyqësore për largimet nga puna, efekte negative për buxhetin e shtetit

 

Vendimet gjyqësore të gjykatave vendase dhe ato të lidhura me çështjet e arbitrazhit ndërkombëtar apo Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut përbëjnë risk real për nevojat për financim si pasojë e provigjionimit të dobët dhe mungesës së shkëmbimit të informacionit ndërmjet strukturave përkatëse shtetërore, raporton Monitor. Ky konstatim, i deklaruar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport të fundit, mbështetet në një analizë mbi të gjithë vendimet gjyqësore, të cilat kanë krijuar efekte negative në buxhetin e shtetit.” Vendimet gjyqësore për largim nga puna vazhdojnë të krijojnë efekte negative për Buxhetin e shtetit (mbi 2 miliard lekë çdo vit), duke mos marrë masat e duhura nga institucionet buxhetore për sistemimin e gjyqfituesve pavarësisht vendeve vakante dhe lejuar akumulimin e pagave të pagueshme për çdo pozicion pune. KLSH ka konstatuar se në vendimet gjyqësore të formës së prerë nuk raportohen dhe nuk deklarohen si shpenzim në kundërshtim me nenin 61 të Ligjit nr.9936 datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Kjo krijon kushtet për akumulimin e kamatëvonesave si pasojë e vonesës në shlyerjen e tyre, nënvlerësimin e shpenzimeve të vitit dhe deficitit të vitit buxhetor, pagesën e tarifave përmbarimore si pasojë e mosekzekutimit vullnetar të vendimeve dhe thyerje të radhës së shlyerjes së vendimeve dhe selektivitet në përzgjedhjen e vendimeve për pagesë (mosrespektimi i FIFO).”- nënvizon KLSH. Por, KLSH deklaron se nuk ka ende një databazë të qartë të efektit të detyrimeve si pasojë e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, duke qenë se sipas saj, në shumë institucione nuk ekziston databaza e vendimeve gjyqësore. “Efekti i pagesave të kryera nga Buxheti i Shtetit për vitin 2017 për largim të padrejtë të punonjësve nga puna nëpërmjet llogarive të shpenzimeve operative vlerësohet në rreth 2 miliardë lekë dhe për vendimet e tjera gjyqësore në rreth 1 miliardë lekë. Për vendimet gjyqësore me objekt çështjet e privatizimit nuk ka një informacion në lidhje me detyrimet e shtetit, pasi nga auditimi në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë u konstatua se nuk ka një databazë të këtyre vendimeve dhe informacioni mungonte. Në të njëjtën linjë, edhe për vendimet gjyqësore me objekt çështje te Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut u konstatua se vendime gjyqësore të miratuara për pagesë nga viti 2016, rezultonin sipas detyrimeve të aparatit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të pa kontabilizuara për rreth 500 milionë lekë. Për vendimet gjyqësore të cilat nuk janë të autorizuara për pagesë, KSLH e ka të pamundur të vlerësojë efektin, duke qenë se ato nuk regjistrohen në databazë të vendimeve gjyqësore dhe as në kontabilitet”. KLSH thekson sakaq rëndësinë e zbatimit të menjëhershëm të vendimeve gjyqësore dhe futjen e tyre në procesin e ekzekutimit buxhetor, duke marrë parasysh efektin e mundshëm në vitet e ardhshme në formën e detyrimeve të prapambetura nga njëra anë dhe trajtimin e plotë të përgjegjësisë në lidhje me vendimmarrjen me kosto financiare të nëpunësve publike, në të njëjtën linjë me kërkesën e vazhdueshme për hartimin dhe miratimin e ligjit “Për përgjegjësinë materiale”. Kjo pasi është konstatuar se në të gjitha subjektet që ekzekutojnë vendimet gjyqësore nuk përcaktohet përgjegjësia në lidhje me detyrimet që lidhen me to, në kundërshtim edhe me kërkesat e Udhëzimit Standard të Zbatimit të Buxhetit, në të cilin kërkohet nxjerrja e përgjegjësive nga ana e Titullarëve të institucioneve për çdo rast të vendimeve gjyqësore.