Pse hesht Inspektorati i Lartë?

745
Sigal

INTERVISTA/ Eksperti i ekonomisë Z. Luan Shahollari flet mbi shkeljen e ligjit për deklarimin e pasurive nga funksionarët publikë

Ditët e fundit kanë vazhduar akuzat e ndërsjella për shkelje të ligjit për deklarimin e pasurive nga funksionarët e lartë publikë. Mediatizimi ka arritur kulmin dhe hamendësimet janë nga më të ndryshmet. Për këtë qëllim iu drejtuam z. Luan Shahollari, ish deputet dhe kryetar i Komisionit të Deklarimit të Pasurive në Kuvend në vitet 1998-2001, (dhe anëtar deri në fund të vitit 2002), për të shprehur opinionin e tij rreth këtij problemi me ndjeshmëri të lartë politike.

 -Z. Shahollari, juve keni drejtuar Komisionin e Deklarimit të Pasurive në Kuvend në vitet 1998-2001. Pse lindi nevoja për një ligj të ri për kontrollin e deklaratave të pasurisë të funksionarëve të lartë në vitin 2003?

Ligji i parë për deklarimin e pasurive të zgjedhurve dhe të disa drejtuesve e punonjësve të shërbimit publik mban datën 8.3.1995. Qëllimi i këtij ligji ishte lufta kundër korrupsionit përmes një qeverisje të ndershme dhe transparente në sytë e opinionit publik. Në fillim të vitit 1996 doli edhe një vendim i Këshillit të Ministrave në zbatim të këtij ligji.

Bazuar në këto akte, në Kuvend u ngrit një Komision me 9 anëtarë, i cili përbëhej nga 4 deputetë, 2 përfaqësues të KM, 2 nga Gjykata e Lartë dhe 1 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Anëtarët zgjidheshin çdo vit nga Kuvendi.

Komisioni arriti të ngrihej vetëm në fillim të vitit 1998, pas ngjarjeve të rënda të vitit 1997. Komisioni, më zgjodhi kryetar, detyrë të cilën e mbajta deri në mbarim të mandatit si deputet në shtator 2001. Madje vazhdova si anëtar i këtij Komisioni deri më në fund të vitit 2002, në cilësinë e zv/ministrit të Financave si përfaqësues i KM.

Objekti kryesor i Komisionit ishte shqyrtimi i deklaratave të pasurisë të funksionarëve të lartë të shtetit, duke filluar nga Presidenti, Kryeministri, anëtarët e KM, deputetët e Kuvendit, personat e barazuar me ta si dhe zëvendësit e tyre, etj., gjithsej 240 vetë. Për shkeljet e vërejtura, ky komision, ashtu si dhe ato të tatimeve në rrethe, kishin të drejtë të vendosnin gjoba për vonesat si kundravajtje administrative deri 50 mije lekë (mbi një muaj). Më tej ishin organet e ngarkuara me gjykimin e kundërvajtjeve administrative, ato që vendosnin për pasurinë e fituar nga burime të paligjshme.

Gjatë zbatimit të ligjit ne vumë re mangësi të cilat pengonin verifikimin e pasurive, përfshirë edhe faktin se nuk kishim as aparat ekzekutiv për të kontrolluar deklaratat e pasurisë në detaje. Megjithatë, ndonëse me mundësi të kufizuara, gjatë kësaj periudhe, arritëm që të evidencojmë shkelje ligjore dhe t’i bëjmë ato publike përmes raporteve në seanca plenare në Kuvend si dhe duke bashkëpunuar me median e shkruar, pa kursyer edhe emra konkretë.

Në shtypin e kohës do të gjeni tituj si: “Politikanët, gjobat në shtator”. (A. Basha: Gazeta Koha Jonë, 18 gusht 1998). “Përse ministrat s’tregojnë xhepat? Komisioni: përndryshe do publikojmë gjithçka”. (Gazeta Shqiptare, 23 korrik 1999). ”Deputetët rrojnë vetëm me rroga” (!) (B.Hoxha: Gazeta “Albania”, 27 tetor 1999). Para ligjit –të gjithë të barabartë. (Gazeta Pasqyra, 3 mars 2000). “Ja deputetët që s’tregojnë xhepat. Do të gjobiten sipas ligjit deri në 50 mijë lekë”. (D.Tanushi: Gazeta Shekulli, 17 mars 2000). Këto janë vetëm pak nga shkrimet e shumta të kësaj periudhe.

Bazuar në përvojën e fituar, në vitet 2001-2002 ne propozuam një projektligj të ri, i cili në kuadrin e planit anti-korrupsion të Qeverisë së kohës, hyri në procedurat e Ministrisë të  Financave, (Drejtoria e Auditit të Brendshëm), pas shqyrtimit të të cilit, u miratua ligji nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike”, që me ndryshimet e mëvonshme, është në fuqi.

Një ekspertizë të veçantë për hartimin e këtij ligji dha z. S.Pots, i cli kishte një përvojë të gjatë pune në administratën e Kongresit Amerikan.

-Mendoni se ligji i tanishëm është i plotë për deklarimin dhe kontrollin e pasurive të detyrimeve financiare të funksionarëve të lartë? Mos duhen fuqizuar kompetencat e Inspektorit të Përgjithshëm?

Ligji i mësipërm ka për qëllim të përcaktojë rregullat për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë, të legjitimitetit të burimeve të krijimit të saj, detyrimeve financiare për të zgjedhurit, nëpunësit publike, për familjaret e tyre dhe për personat e lidhur me ta.  Në zbatim të ligjit u ngrit Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë (ILDKP) me kompetenca më të plota jo vetëm për të evidencuar shkeljet por edhe për të propozuar masat administrative dhe ato ligjore për ndëshkimin e tyre.

Dy vjet më vonë u miratua edhe ligji nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” që ka si objektiv përcaktimin e rregullave, procedurave, përgjegjësive dhe kompetencave për identifikimin, deklarimin, trajtimin, zgjidhjen dhe dënimin e rasteve të konfliktit të interesave.

Inspektorati i Lartë është person juridik publik, i cili, nën përgjegjësinë e Inspektorit të Përgjithshëm, administron deklarimin e pasurisë, të detyrimeve financiare dhe kontrollin e e subjekteve që mbartin detyrimin për deklarim në ILDKP.

Inspektori i Përgjithshëm ka të drejtë të kërkojë deklarimin e pasurive dhe burimet e krijimit të tyre, si dhe të urdhërojë kontrollin për saktësinë e këtyre deklarimeve si dhe për personat fizike e juridike, kur, nga verifikimet e kryera, rezulton se këta të fundit janë persona të lidhur me subjektet që mbartin detyrimin për deklarim. “Persona të lidhur” janë të gjithë personat, fizikë ose juridikë, të cilët, nga kërkimet administrative, rezultojnë të kenë pasur ose të kenë lidhje pasurore me personin qe mbart detyrimin për deklarim.

Verifikimi dhe kontrolli i pasurisë, i detyrimeve financiare kryhet i plotë, për çdo vit, për Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, Zëvendës kryeministrin, ministrat dhe drejtuesit, funksionet e te cilëve barazohen me ta.

Deklaratat dhe të gjitha dokumentet që i shoqërojnë ato janë dokumente zyrtare. Paraqitja në to e të dhënave të rreme përbën vepër penale dhe dënohet sipas legjislacionit në fuqi. Kur pasuritë e krijuara nuk mund te justifikohen me burime te ligjshme Inspektori i Përgjithshëm njofton menjëherë prokurorinë.

Kontrolli ose rikontrolli i plotë i deklarimit kryhet çdo herë që gjykohet e nevojshme nga Inspektori i Përgjithshëm, kur ai ka të dhëna, nga burime të ligjshme, që vënë në dyshim vërtetësinë dhe saktësinë e të dhënave që përmbahen në deklarimin e një zyrtari, si dhe kur ka mospërputhje, që rezultojnë nga kontrolli aritmetik e logjik, të cilat tregojnë se burimet nuk mbulojnë ose nuk justifikojnë të drejtat pasurore të deklaruesit.

Nga të gjitha këto mund të arrijmë në përfundimin se legjislacioni për deklarimin dhe kontrollin e pasurive të funksionarëve të lartë është i plotë.

Po si e shpjegoni këtë heshtje të Inspektoratit të Lartë? A nuk është pikërisht ai institucioni kompetent që duhet të shprehet nëse deklarimet e pasurisë janë apo jo në përputhje me ligjin?

Keni të drejtë të bëni një pyetje të tillë pasi tani nuk jemi në kushtet e para një dekade kur, siç e shpjegova edhe më lart, strukturat e kontrollit të pasurive nuk kishin kompetenca ligjore dhe praktike për t’i çuar verifikimet deri në fund.

Inspektorati i Lartë është një organizëm i specializuar me përvojë dhjetëvjeçare në këtë fushë, me një personel prej dhjetëra nëpunësish civilë si dhe një buxhet vjetor prej rreth 1 milion dollarë. Prandaj nuk shoh arsye objektive që të bëjë “sehir” ndërkohë që ka akuza të ndërsjella për mashtrime me deklaratat e pasurisë.  Në të kundërtën, i ka të gjitha mundësitë ligjore, njerëzore, materiale dhe financiare të shqyrtojë dhe të kontrollojë me përgjegjësi subjektet e përcaktuara nga ligji për deklarimin e pasurive, për “ta ndarë shapin nga sheqeri” për të përcaktuar nëse kemi apo jo shkelje të ligjit.

Kam bindjen se thjesht, me një këqyrje të shpejtë, ekspertët e këtij institucioni janë në gjendje të dallojnë nëse një deklaratë pasurie është plotësuar ose jo në rregull dhe të përcaktojnë masat e mëtejshme. Hapi i parë do të ishte të thirrej personi deklarues për të dhënë sqarime dhe për të bërë korrigjimet nëse do të gjykohej e nevojshme. Le ta zëmë p.sh se një ministër deklaron se gjatë vitit 2011 ka përfituar në formën e dietave brenda dhe jashtë vendit një shifër të rrumbullakosur prej 1 milion lekë. Vetë rrumbullakimi, që në pamje të parë, të le përshtypjen se kemi të bëjmë me një shifër të dyshimtë. Në këtë rast, inspektorati duhet t’i drejtohet zyrës të llogarisë të institucionit përkatës për të një informacion të saktë.

Ndoshta negativisht ka ndikuar fakti se aktualisht ILDKP ka mbetur pa drejtues pasi Inspektori i Përgjithshëm është zgjedhur në postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Por ky nuk përbën një shfajësim pasi çdo institucion duhet të funksionojë rregullisht edhe në mungesë të titullarit. Kudo ka një zëvendës dhe sidomos ka një sekretar të përgjithshëm që mund të verë në veprim stafin e nëpunësve civilë. Heshtja për mua përbën një zhgënjim për efektivitetin e zbatimit në mënyrë të paanshme të ligjit që miratuam dhjetë vjet më parë.

Më datën 19 dhjetor 2012 ILDKP njoftonte se “aktualisht po zhvillon kontrollin e plotë mbi deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, të ministrave dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë, si edhe ndaj “personave të lidhur” me ta. Kontrolli ka nisur në muajin tetor 2012 bazuar në ligjin për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike.

Në fund, ILDKP, krahas hetimit administrativ që kryen në bazë të ligjit, fton të gjithë qytetarët që kanë informacione mbi pasuritë e zyrtarë të kabinetit qeveritar, të ofrojnë të dhëna konkrete që do të ndihmojnë në zhvillimin e një hetimi më të plotë mbi pasuritë dhe burimin e krijimit të tyre. Mirëpo, të  dhëna po jepen çdo ditë, si nga e majta dhe nga e djathta, por si përgjigje ka vetëm heshtje.

Nga njoftimi i mësipërm del se ende nuk janë kontrolluar vetëdeklarimet e vitit 2010 dhe 2011, në një kohë kur tani duhet të dorëzohen deklaratat e vitit 2012. Pas mese dy muaj  nga fillimi i këtij procesi dhe në kulmin e akuzave të ndërsjella, Inspektorati i Lartë duhej të informonte publikun për ecurinë e kontrollit të deritanishëm dhe hapat në të ardhmen.