Propozimi, TVSH për biznesin e vogël në fuqi nga 1 janari 2019

4063
Shoqatat e sipërmarrjes shprehin shqetësim për mbylljen e mijëra bizneseve, shtimin e papunësisë dhe monopolizimin sektorial
Hyrja në fuqi e pagesës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar edhe biznesin e vogël ka sjellë shqetësim për komunitetin sipërmarrës. “Konfindustria” deklaroi se do t’i kërkojë zyrtarisht qeverisë shqiptare shtyrjen e zbatimit të TVSH-së mbi kategorinë e biznesit të vogël, të parashikuar më 1 prill 2018. “Shtyrja e afatit këshillohet të jetë fillimi i vitit 2019. Mbështetur në të dhënat zyrtare janë me mijëra biznese të vogla, që sipas Drejtorisë së Tatimeve po kalojnë me shpejtësi në mbyllje të sforcuara si pasojë e përfshirjes në skemën e TVSH”, thekson “Konfindustria” në një deklaratë. Shoqata e biznesit, duke e mbështetur parimisht masën e vendosur nga qeveria, vlerëson se shtrirja e TVSH-së mbi biznesin e vogël me qarkullim vjetor mbi 2 milionë lekë nuk duhet të ndërmerret si një akt i veçuar, por pjesë e një procesi të mirëstudiuar profesional, institucional dhe ligjor për ndikimin e një mase të tillë në ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë në periudhën afatgjatë. Sipas “Konfindustria”-s, masa e mësipërme ka vetëm ndikim të tërthortë dhe jo të drejtpërdrejtë në uljen e nivelit të informalitetit në ekonomi. “Në rast të kundërt, pasojat do të jenë mbyllja e disa mijëra biznesesh të vogla, që do të kërkojnë mbështetje sociale papunësie nga buxheti, monopolizim sektorial, rrezikim masiv të prodhimit vendor, që punon me cikël të mbyllur për tregun e brendshëm dhe favorizim i prodhimeve të importit. Gjithashtu, vështirësia objektive e menaxhimit nga institucionet fiskale, përgjegjëse të skemës së zgjeruar të TVSH-së, rrezikon të prodhojë problematika financiare për buxhetin e shtetit dhe njëkohësisht rritjen e mundësive për abuzime dhe korrupsion”, thekson biznesi.

Pezullim dhe mbyllje aktiviteti
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve pranoi pak ditë më parë se shtrirja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar edhe tek biznesi i vogël ka shkaktuar pezullimin dhe mbylljen e shumë bizneseve, por sipas administratës tatimore, e gjitha kjo është një skemë për t’i shpëtuar taksës. Sipas paketës së re fiskale, nga 1 prilli Tatimi mbi Vlerën e Shtuar do të shtrihet edhe tek 10 mijë biznese të vogla, të cilat kanë xhiro vjetore mbi 2 milionë lekë. Por, tatimet pretendojnë se për t’i shpëtuar kësaj takse, shumë biznese të vogla janë duke mbyllur aktivitetin, ose duke kaluar në pasiv për t’u rihapur po në të njëjtin vend, por me emër tjetër. Të dhënat zyrtare tregojnë se nga fillimi i vitit kanë kaluar në status pasiv mbi 2500 biznese me një mesatare prej 50 biznesesh në ditë, ndërkohë që kanë mbyllur fare aktivitetin qindra të tjera. Por, tatimet thonë se në shumë raste pas pezullimit apo mbylljes së një biznesi, hapet një tjetër po në të njëjtin vend nga njerëz të afërm me pronarin e biznesit të mëparshëm. Administrata thotë se kjo skemë nuk do të tolerohet dhe të gjitha bizneset që mbyllen do të verifikohen në mënyrë të hollësishme. Sipas tatimeve, nëse rezulton se pas mbylljes në të njëjtin vend do të hapet një tjetër biznes nga njerëz të afërm me pronarin, atëherë ai do të regjistrohet automatikisht në skemën e TVSH-së. Madje sipas tatimeve, biznesit të ri do t’i ngarkohen edhe detyrimet tatimore që mund të ketë pasur biznesi i mëparshëm, jo vetëm për taksat e papaguara, por edhe gjobat.

Shtrirja e skemës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar edhe te biznesi i vogël u kundërshtua nga disa ekspertë në fund të vitit të shkuar. Ata paralajmëruan për efektet negative të një mase të tillë dhe tashmë duket se lëvizjet e sipërmarrjes po e vërtetojnë këtë frikë. Edhe vetë shoqatat e biznesit të vogël u shprehën se futja e TVSH-së rrezikon t’i dërgojë ata në prag të falimentimit, pasi marzhi i tyre i fitimit është shumë i ulët. Megjithatë masa e qeverisë, që ka hyrë në fuqi nga 1 janari dhe do të nisë të zbatohet nga 1 prilli u mbështetën nga organizatat e biznesit. Ato u shprehën se një masë e tillë do të ndihmojë në mbylljen e ciklit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, duke shmangur abuzimet. Në të njëjtën kohë, masa u kundërshtua edhe nga opozita, e cila premtoi se do ta rrëzojë atë, ndërsa akuzoi qeverinë se po ndikohet nga lobingjet e biznesit të madh për të ndëshkuar sipërmarrjen e vogël, duke e përfshirë në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Mbetet të shihen efektet e zbatimit të kësaj mase, ndërsa shqetësimi është rritur për numrin e bizneseve të mbyllura apo të pezulluara.
Sigal