Propozimi: Tatimi mbi të ardhurat për biznesin fason, të mbetet 10%

669
Sigal

LSI depoziton në Komisionin e Ekonomisë tre amendamente në ndryshim të Paketës Fiskale

Vetëm dy ditë para votimit në Kuvend të projektbuxhetit të vitit 2014, shoqëruar nga paketa e re fiskale, partnerja e PS-së në qeveri, Lëvizja Socialiste për Integrim, ka depozituar pranë Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financës, tre amendamente me propozime që konsistojnë në kërkesën për ndryshime të përmbajtjes së draft-paketës fiskale. Propozimet u bënë publike sot gjatë një konference për shtyp të kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili. Sipas tij, propozimi më i rëndësishëm është ai për ndryshim të përqindjes së tatimit mbi të ardhurat të bizneseve të mëdha fasone, nga 15% e propozuar në draft, të zbresë në 10%, shifër që përkon me nivelin e taksës së sheshtë, që është ende në fuqi për këtë kategori. LSI e mbështet këtë propozim në faktin se “ky biznes është shndërruar në një burim të vazhdueshëm punësimi për shqiptarët, edhe në momentet e vështira ekonomike. Arsye tjetër që ka nxitur LSI-në të propozojë ndryshimin në fjalë, është partneriteti i fortë i këtyre bizneseve me kompanitë ndërkombëtare. Vasili vlerësoi se, taksa e aplikuar deri tani, ka bërë që kjo kategori biznesi të jetë atraktive dhe tërheqëse për bizneset e huaja. Gjithashtu, LSI propozon që “së paku 20 % e të ardhurave të realizuara nga rritja e akcizës për duhanin, të kalojë në fondet e ministrisë së Shëndetësisë, sepse rritja e kësaj akcize ka patur motiv themelor mbështetjen për shëndetin publik, duke e konsideruar pirjen e duhanit si dëmtues kryesor të shëndetit”. Edhe propozimi i tretë i LSI-së, synon përmirësimin e shërbimit shëndetësor. Drafti që parashikon përfshirjen e grupmoshave nga 40-60, për kryerje falas të vizitave shëndetësore, LSI kërkon të ndryshohet, duke u zgjeruar nga 40-65 vjeç. Kjo sipas Vasilit, për arsyen se, nga mosha 60-65 vjeç, sidomos në rastin e meshkujve, lindin dhe zhvillohem një sërë sëmundjesh.