Projektligji i ri për mbrojtjen civile, 10 detyrimet e bizneseve për t’u mbrojtur nga fatkeqësitë natyrore

675
Sigal

Një ligj i ri për mbrojtjen civile i cili është në fazën e konsultimit me publikun synon të sjellë një qartësi më të madhe në përgjegjësitë që kanë institucionet dhe grupet e interesit për të menaxhuar mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore. Baza e re ligjore gjithashtu përcakton detyrime të reja ligjore ndaj bizneseve në mënyrë që të parandalohen demet. Bizneset ngarkohen me ligjin e ri të përmbushin së paku 10 detyrime:

Së pari, sipërmarrjet që përdorin, prodhojnë dhe magazinojnë materiale të rrezikshme, karburante dhe derivate të tyre, gazra energjetike, si dhe kryejnë veprimtari me mjete të rrezikshme, duhet të hartojnë dhe përditësojnë plane të brendshme për emergjencat civile të harmonizuara me planet e jashtme për emergjencat civile të njësisë, apo njësive të vetëqeverisjes vendore dhe prefekturës apo prefekturave, si edhe rregullore të brendshme sipas rrezikshmërisë së proceseve teknologjike.

Së dyti, bizneset duhet të sigurojnë me shpenzimet e tyre pajisjet e alarmit për punonjësit e tyre dhe për komunitetin, si dhe të garantojnë funksionimin e tyre.

Së treti, duhet të informojnë punonjësit e tyre për rreziqet e mundshme, t’u sigurojnë atyre kushte dhe mundësi për realizimin e mbrojtjes së tyre.

Së katërti, duhet që në rastet e fatkeqësive, të njoftojnë dhe të japin alarmin për popullsinë e rrezikuar dhe të njoftojnë tek numri i unifikuar i thirrjeve emergjente 112, Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, numrat e tjerë të emergjencave, apo edhe autoritetet e tjera sipas ligjit.

Së pesti, të sigurojnë trajnimin për punonjësit e tyre, për parandalimin dhe përballimin e fatkeqësive.

Së gjashti, të bashkëpunojnë me strukturat e mbrojtjes civile dhe me njësitë e vetëqeverisjes vendore ku ata ushtrojnë veprimtarinë e tyre.

Së shtati, të aktivizojnë shërbimin në përgjigje të situatës së krijuar nga fatkeqësia në këtë zonë dhe në ndihmë të subjekteve të tjera.

Së teti, me kërkesë të strukturave të mbrojtjes civile, të vendosin në dispozicion të tyre, automjete, mjete, mjedise private, objekte, pajisje dhe burime energjetike.

Se nënti, të vendosin pa pagesë, në dispozicion të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe të njësive të vetëqeverisjes vendore, të dhënat që ato disponojnë dhe që janë të nevojshme për përgatitjen e Vlerësimit të Riskut nga Fatkeqësitë dhe Planit për Emergjencat Civile.

Së dhjeti, të kryejnë sigurimin e pronës ndaj të gjitha fatkeqësive nga të cilat mund të preken objektet dhe aktiviteti i tyre.

Gjithashtu bizneset duhet bashkëpunojnë në informimin e publikut dhe mbajtjen e këtij informacioni të përditësuar, në veçanti atij të zonave në afërsi të subjektit dhe në dhënien e këtij informacioni autoritetit përgjegjës për përgatitjen e planeve të jashtme të emergjencës./monitor