Projektbuxheti 2016, miratohet në qeveri, por nuk publikohet

125
Qeveria po dështon në realizimin e të ardhurave buxhetore, në muajt e fundit. Madje, nga ky difiçit i madh, i shkaktuar më shumë nga mosrealizimi i planit të parashikuar nga tatimet dhe doganat, qeveria u detyrua para një muaji, që të rishikonte edhe buxhetin e 2015, duke shkurtuar shumë parashikimet e shpenzimeve buxhetore në shumë ministri, e sidomos në shërbimet sociale, në investimet për infrastrukturën rrugore, në investime publike, etj. Madje, qeveria u vu në vështirësi të madhe, edhe pas ndërprerjes së bisedimeve me FMN për vazhdimësinë e marrjes së huasë. 
FMN rikthehet, qeveria merr borxhe
Javët e fundit, në Shqipëri është rikthyer FMN dhe kanë nisur sërish bisedimet me qeverinë shqiptare. Rezultat konkret i këtyre bisedimeve është marrja e një borxhi të ri të qeverisë prej 450 milionë euro, plus edhe eurobodet prej 500 milionë euro. Ndoshta këto borxhe të marra nga qeveria, bënë të mundur edhe të përfundonin edhe projektet e saj për hartimin e një buxheti të ri për vitin 2016.
Top sekret projektbuxheti i 2016
Edhe pse qeveria e ka skicuar projektbuxhetin e saj për vitin 2016, çdo gjë është mbajtur topsekret nga Ministria e Financave dhe qeveria. Kjo shpjegohet nga pikëpyetjet e mëdha që kanë vetë ministri i Financave për treguesit buxhetorë të 2016, që ka hartuar, nisur edhe te mosbesimi i tij, pikësëpari, por edhe moshapje të telasheve nga reagimet që mund të shkaktojnë, në radhë të parë, te vetë ministrat e qeverisë, të cilët, sigurisht, do të rrudhin, jo vetëm buzët nga pakënaqësia, por do të rrudhen edhe fondet që do t’u jepen për vitin 2016. Qeveria ka miratuar dje në mbrëmje projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Por drafti i ligjit më të rëndësishëm të financave publike nuk është publikuar ende në faqen zyrtare të Kryeministrisë. Sipas variantit të Ministrisë së Financave të buxhetit, për vitin e ardhshëm është parashikuar një rritje e lehtë e të ardhurave, tkurrje e shpenzimeve dhe një ulje e deficitit buxhetor. Ministria e Financave e dorëzoi draftin e ligjit më të rëndësishëm të financave publike, pasi mbylli bisedimet me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Zërat e projektbuxhetit 2016 ende nuk janë zbardhur dhe nuk dihet nëse gjatë mbledhjes së qeverisë i janë bërë ndryshime variantit të dorëzuar nga financat. Sipas këtij të fundit, të ardhurat parashikohen vitin e ardhshëm në nivelin 418 miliardë lekë, me një rritje të lehtë kundrejt 2015-ës, shpenzimet parashikohen në masën 452 miliardë lekë ose më të ulëta se ky vit, ndërsa deficiti buxhetor parashikohet në 34 miliardë lekë, ndjeshëm më i ulët se ai i këtij viti. Ndërsa rritja ekonomike, siç u deklarua në konferencën për shtyp me FMN-në, do të luhatet në kufijtë 3 deri në 3.5 për qind. Gjithsesi këto shifra mbeten për t’u saktësuar pas zbardhjes që Kryeministria pritet t’i bëjë draftit të projektbuxhetit të miratuar mbrëmjen e djeshme. Pas kalimit në qeveri, projektbuxheti pritet të nisë diskutimet në Komisionet parlamentare, me shumë gjasa që javën e ardhshme.
Biznesi fillon protestat kundër penaliteteve në ligjin e procedurave tatimore
Represioni ligjor që është ushtruar kohët e fundit mbi biznesin në tërësi, në emër të zbatimit të ligjeve dhe reformave që ndërmerren, por që synimi i vetëm ka qenë që të mbushet arka e shtetit, pas humbjeve të mëdha që pësuan të ardhurat buxhetore të muajve të fundit, kanë vështirësuar shumë, të bërit biznes, sidomos me ashpërsimin e masave penale për çdo kundravajtje, sado të vogël, edhe ajo që më parë ka qenë kundravajtje administrative, tashmë me ndryshimet në Kodin Penal, është cilësuar si vepër penale, duke mbartur dënime mjaft të rënda, që, deri tani kanë çuar në falimentime dhe mbyllje të shumë bizneseve. Biznesi i vogël dhe i mesëm paralajmëruar protesta në disa qytete të vendit kundër masave shtrënguese të parashikuara në ligjin e procedurave tatimore. Administratori i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku del kundër masave me argumenton se do shtojnë korrupsionin. Reagimet vijnë pas hyrjes në fuqi të Ligjit që parashikon dhjetëfishimin e gjobave për biznesin. Biznesi paralajmëron protesta kundër masave shtrënguese të marra nga qeveria në kuadër të informalitetit. Në ditën kur ka hyrë në fuqi dhjetëfishimi i gjobave, biznesi i vogël dhe i mesëm në kryeqytet ka njoftuar se ditën e premte do të dalin në protestë para Kryeministrisë, duke mbyllur për disa orë qepenat e dyqaneve. “Ditën e premte në orën 09:00 përpara Kryeministrisë”, deklaruan tregtarët në protestën e të martës, 10 nëntor 2015.