Sigal

Investimet e gjelbra për rezidencat në Shqipëri do të rriten me disbursimin e parë nën Programin për Financimin e Ekonomisë së Gjelbër të BERZH në Ballkanin Perëndimor.

Fondi BESA, institucioni më i madh për mikro kredi në Shqipëri, do të përfitojë 1.5 milionë euro me qëllim dhënin e huave për investime në teknologjitë e efiçencës së energjisë, materiale dhe plane masash për rezidencat private dhe ndërtesat. Shuma totale e huave do të jetë 3 milionë euro.

Këto investime pritet të reduktojnë konsumin e energjisë me rreth 68,000MVh në vit  dhe ulje të emetimeve të gazeve në atmosferë me rreth 21,250 tonë CO2.

Fondi BESA ka mbi  32,200 klientë në Shqipëri dhe  një portofol kredie prej 87 milionë euro si dhe 107 milionë euro në asete. 66% e kompanisë është në pronësi të një organizate jo-fitimprurëse, Albanian Besa Capital Foundation. Kompania është partnere e BERZH që prej vitit 2010 dhe ofron mikro-kredi për individë dhe biznese të vogla në të gjithë Shqipërinë.

Financimi i ri për Shqipërinë ofrohet nën Programin e BERZH prej 85 milionë euro për Financimin e Ekonomisë së Gjelbër në Ballkanin Perëndimor. Programi është një nismë e përbashkët  e Bashkimit Evropian (BE), donatorëve dypalësh dhe shteteve përfituese që bashkëpunojnë nën  Platformën e Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF)  dhe zbatohet në partneritet me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë. Ministria Federale e Financave të Austrisë do të ofrojë incentiva dhe bashkëpunim teknik në mbështetje të investimeve për teknologjitë  e gjelbra.

Programi për Financimin e Ekonomisë së Gjelbër operon përmes një rrjeti prej më shumë se 130 institucionesh financiare vendase në 26 shtete dhe rreth  4 miliardë euro financime nga BERZH. Kjo ka bërë të mundur që mbi 120,000 klientë të evitojnë emetimin e rreth 7 milionë tonë CO2 më pak në vit.

BERZH ka investuar  1.2 miliardë euro në 84 projekte në Shqipëri.