Prof. Sherefedin Shehu: Buxheti i 2016, një absurditet! Ulin shpenzimet buxhetore, kur ka rritje ekonomike dhe fiskale

755
Nesër Parlamenti do të diskutojë projektbuxhetin e 2016. Prof. Sherefedin Sehu, ish-zëvendësministër dhe deputet i PD në intervistën për gazetën “Telegraf” skanon projektbuxhetin e 2016 dhe argumenton që ky është një absurditet, sepse treguesit e tij tregojnë ulje të shpenzimeve dhe investimeve, ndërkohë që pretendohet se do të kemi rritje të ekonomisë. Prof. Shehu thotë se qeveria e ‘Ramës’ qëllimisht parashikon uljen e zhdoganimit të cigareve dhe karburanteve për t’u dhënë mundësi miqve të tij, që të rritin kontrabandën, derisa historikisht pranohet që ato janë në shifra shumë të larta zhdoganimi në vitet paraardhëse. Prof. Shehu pranon që borxhi publik po bëhet i pamenaxhueshëm dhe është në disraport të madh borxh-investime.
-Prof. Shehu, cili është projektbuxheti i 2016, nëpërmjet shifrave të tij?
– Ky buxhet i 2016, ndryshe nga të gjitha praktikat buxhetore, jo vetëm të mirat, është një buxhet që ul shpenzimet kundrejt vitit të mëparshëm. Dhe një buxhet me ulje, nuk bëhet edhe në vendet e varfra, sidomos kur ka rritje ekonomike dhe rritje fiskale. Kjo është një tërheqje, sprapsje e kryeministrit Rama, si rrjedhojë e dështimeve të njëpasnjëshme fiskale, por edhe si rrjedhojë e kushteve qe FMN i ka vënë qeverisë për vazhdimin e dhënies së huasë. E para nga pikëpamja ekonomike dhe fiskale, buxheti 2016 ka një ulje të shpenzimeve buxhetore, rrethe 20 miliardë lekë, krahasuar me buxhetin 2015, dhe 4 miliardë lekë, krahasuar me rishikimin që iu bë në korrik buxhetit 2015. Nga ana tjetër, qeveria thotë që do rritë 3,5 % ekonominë, ndërsa të ardhurat i rrit 3,4 %. Në raport me produktin e brendshëm bruto, ato që ne i quajmë të ardhura reale, kemi rënie sepse niveli i të ardhurave kundrejt PBP do të jetë 0,5 % për sa i përket tatimeve, 0,3 % të ardhurave të buxhetit në tërësi. Qeveria, ndryshe nga praktikat dhe standardet financiare, parashikon që rritja e të ardhurave të buxhetit të jetë më e vogël se rritja e ekonomisë. E përkthyer në konceptin e administrimit financiar, apo të qeverisjes, kjo do të thotë, që qeveria nuk do futë në arkën e shtetit as ato lekë që i merr nga rritja e ekonomisë dhe nuk shton asnjë lekë nga rritja e taksave dhe asnjë lekë nga ulja e evazionit, lufta kundër kontrabandës, etj. Me këtë projektbuxhet, do të thotë që ne nuk do të kemi qeverisje, sepse do të futim në arkën e shtetit aq lekë sa vijnë në mënyrë të natyrshme, edhe po të mos kesh administratën tatimore dhe kryesore, është që qeveria nuk do të sjellë lekë nga përmirësimi i administrimit financiar. 
– Mund t’i referoheni konkretisht atyre treguesve buxhetorë, që janë dëshmi e përkeqësimit të ikonës ekonomike të vendit?
– Të ardhurat dhe shpenzimet në total, të cilat janë më të ulëta kundrejt këtij viti dhe të gjitha praktikave dhe standardeve financiare. Pra, nuk parashikohet asnjë vit më i ulët sesa viti i mëparshëm, në kushtet kur pretendohet se ekonomia rritet. Ne e shikojmë problemin në disa aspekte, por më e rëndësishmja është se e shikojmë këtë buxhet, me këto shifra, me këtë tendencë, si një buxhet që do të rëndojë dhe do të godasë rëndë ekonominë. Për 2 vjet ne kemi parë dështimet e qeverisë, ku sipas paketave fiskale 40 miliardë lekë duhet të ishin shtuar në arkën e shtetit vetëm nga efekti i rritjes së taksave. Po të supozojmë se do të kishte një qeverisje më të mirë dhe një administrim më të mirë të të ardhurave, ne duhet të kishim në buxhet, të paktën, për 2 vjet, duhet të kishim në arkën e shtetit 70 miliardë lekë. Në fakt, nga tatimet me taksat, deri sot, ne kemi 33 miliardë lekë. 
– Përse politika e re fiskale e qeverisë me rritje taksash, nuk solli pritshmërinë në realizimin e të ardhurave?
– Kjo do të thotë, që nuk ka pasur qeverisje, nuk ka pasur administrim të të ardhurave, nuk ka pasur ulje të evazionit, dhe kjo ilustrohet edhe me fushën më të dobët në administrimin fiskal që janë importet e 2 mallrave kryesore, që janë karburantet dhe cigaret. Dhe në relacionet e qeverisë nënvizohet që do të ketë gjatë këtij viti 600 ton cigare zhdoganime më pak, 40 ton duhan zhdoganim më pak, 20.000 ton naftë zhdoganim më pak, sesa viti paraardhës. Aksioni i antiinformalitetit provoi që informaliteti është i ulët, sepse nga 65.000 kontrolle të deklaruara nga qeveria, shkeljet ishin 4.500, ose 5-6 % është shkalla e informalitetit, por fakti që kemi mosrealizim të theksuar të të ardhurave në buxhet, në kushte kur kemi rritje të barrës së tatimeve, do të thotë, që shkaku kryesor është evazioni fiskal. Pra, është mospagesa e tatimeve nga një grup, ose pazaret e administratës dhe tatimpaguesve, por problemi më i madh është kontrabanda. 
– Kemi konsum të brendshëm më pak për karburante dhe cigare, që parashikohen edhe zhdoganime më pak?
– Shkaku është që disa tregtarë importues, që janë të lidhur me qeverinë, nuk kalojnë nëpërmjet procedurave nga trau i doganës, por e anashkalojnë doganën, sepse konsumi në të gjithë parametrat nuk është ulur, sepse kemi një rritje natyrore të popullsisë dhe kemi një rritje natyrore edhe të konsumit. Argumenti është moszhdoganimi dhe favorizimi i kilentelistëve të një pjese të bizneseve.
– Pse e thoni këtë, kaq kategorikisht si akuzë?
– Ne kemi një histori të zhdoganimeve dhe në 2015, unë i referohem shifrave të qeverisë, sepse po t’i referohemi historisë, zhdoganimet janë 600, por 3-fishi i cigareve që deklaron qeveria. Pra është 1.800 ton. Karburantet nuk janë 20.000 ton, por të paktën 45.000 ton, po të krahasojmë rritjet historike të importeve të këtyre mallrave kryesore.
– Kryeministri para 2 ditësh, deklaroi se, nuk ka rritje të borxhit, por u bë deklarimi real i borxhit dhe se 600 milionë euro u shpenzuan për larjen e borxheve të trashëguara nga qeverisja juaj, të cilat këto i munguan investimeve. Kjo është e vërteta?
– Po t’i referohemi vetëm shifrave që ju përmendët, kryeministri gënjen sistematikisht dhe publikisht, që të bëhet i besueshëm, sepse po të shikojmë vetë statistikat që ka botuar vetë kryeministri, tregojnë të kundërtën. Premtoi që do të merrte një auditues të jashtëm, për të gjetur sa është borxhi. Auditi ta që borxhi është 23,4 miliardë lekë dhe jo 700 milionë euro sa thotë kryeministri. Ky raport u fsheh. E dyta, ne kemi borxhin që ka paguar kryeministri, 33 miliardë lekë në 2014 dhe do paguajë edhe 20 miliardë lekë për 2015, ku mund të mos i paguajë akoma. Pra, në total, kryeministri ka paguar 53 miliardë lekë, ku këtë shifër e pranoi edhe ministri Cani në komisionin parlamentar të Ekonomisë, ndërkohë që kryeministri thotë për 80 miliardë lekë borxhe të trashëguara. Edhe 52 miliardë lekë borxhe të paguara, nuk është i saktë, sepse KLSH, vetëm për 2014 tregoi se në këto borxhe kemi rimbursim të tatimit të vlerës së shtuar dhe kjo ishte detyrim i vitit 2014. Borxhet e vjetra janë borxhe të trashëguara e të papaguara nga vitet e mëparshme. Kryeministri Rama gënjeu për këtë për të dhënë një përshtypje të rreme, se gjoja përmirëson administrimin fiskal. Është përdorur regjistrimi dhe kryerja e rimbursimeve si mekanizëm vetëm e vetëm për të manipuluar arkëtimet apo vjeljen e të ardhurave nga tatimet, sidomos tatimet mbi vlerën e shtuar. Deri tani, akoma nuk janë paguar nga kjo qeveri, ato detyrime që ne i kemi deklaruar si të papaguara të vitit 2013, për kontrata që kishte shteti me kompani të ndërtimit të rrugëve… 
– Qeveria jonë merr borxhe, por nuk kemi investime. Përse merret ky borxh?
– Ne kemi marrë borxh për të bërë rimbursim të tatimeve të vlerës së shtuar, në emrin e detyrimeve të prapambetura. Dhe e dyta, këto ishin një argument për të marrë dhe për të rritur borxhin publik. Ne, që nga shtatori 2013 kemi rritje galopante të borxhit publik. Në fund të 2014, stoku i borxhit ka qenë 22 % e të gjithë totalit të borxheve që ne kemi marrë që nga 1991-2013. Po t’i shtojmë edhe borxhin e këtij viti, që pritet të jetë 60 miliardë lekë të tjera, stoku i borxhit vetëm në këto 2 vite të fundit, pritet të rritet në raport me PBP 12 %, ose në shifra 1,5 miliardë euro dhe është përdorur për të kompensuar mbështetësit politikë të kryeministrit të 2013. Me ligj ne si opozitë kemi kundërshtuar raportin borxh-investime. Ligji i menaxhimit buxhetor nuk lejon marrjen e borxhit për qëllime të tjera, por vetëm për investime. Ndërsa qeveria ka pasur nivelin e borxhit publik 30 miliardë lekë më shumë se investimet publike në 2014. Ndërsa për 2015 parashikohet të kemi 60 miliardë lekë borxhe publike, por vëllimi i investimeve publike në letër është 62 miliardë lekë. Pra, borxhi, sërish do të jetë shumë herë më i madh nga investimet publike. Por edhe investimet që kryen kjo qeveri nuk janë nga ato investime që krijojnë vende pune dhe zhvillim, por bëhen investime për fasada dhe lukset e zyrave dhe zbukurimet e qendrave të qyteteve, që quhen investime kozmetike, pra, për investime jo prodhuese. 
Sigal