Prof. Inordinar Alqi NAQELLARI/ Zhvillimi normal i ekonomisë kërkon përmbysje të modelit ekonomik ekzistues

737
Sigal

E kam shpjeguar edhe herë të tjera se në çfarë situate ka qenë dhe është ekonomia shqiptare nga vitit 2009 dhe deri në ditët e sotme duke dhënë edhe mendimet e mia për të dalë nga kjo gjendje. Më së shumti jam përqendruar në fushën e bankingut duke kaluar në mënyrë indirekte edhe tek koncepti i modelit ekonomik që u aplikua në Shqipëri. Kjo qeveri me këta qeveritarë nuk mund ta nxirrte vendin nga situata recesioniste e pas vitit 2008 sepse qeverisi me një tufë njerëzish militantë dhe të paaftë, që nuk kanë asnjë koncept mbi ekonominë e tregut, mbi mënyrën apo rrugën e tretë, përkundrazi duan të qeverisin kapitalizmin me mentalitete ekstreme feudale. Me pretekstin e luftës kundër socializmit u kalua në anën e kundërt të asaj që bëri qeveria socialiste deri në vitin 1990. Nëse deri në vitin 1990 u zhduk prona private dhe u kalua tërësisht në pronë shtetërore, pas vitit 1990 u kalua në ekstremin tjetër, privatizim të gjithçkaje. Ky privatizim total, i modelit “allashqiptar”, që nuk është aplikuar në asnjë vend të botës dështoi me turp. Nga viti 2009 dhe deri tani në Shqipëri nuk ka pasur rritje ekonomike, por ekonomia ka qenë në stanjacion me përkeqësim të dukshëm të treguesve makroekonomik. Megjithë politikat ekstreme ekspansioniste të qeverisë, duke luajtur me borxhin ekonomia nuk njohu asnjë lloj rritje mesatarisht mbi prirjen e rritjes natyrore, bile në këto dy vitet e fundit po të marrim parasysh këtë tregues ekonomia shqiptare është futur në recesion. Në këto kushte kësaj qeverie në fushën e ekonomisë do t’i duhet shumë punë për të bërë. E para, të ndërpres fenomenet negative në proces dhe të mbartura prej njëzet vitesh. E dyta, të zhbëjë këtë model ekonomik të ndërtuar që nuk ngjan me asnjë model ekonomik të botës. E treta, të fus ekonominë shqiptare në hullinë e modelit të përshtatshëm të ekonomisë së tregut. E katërta, modeli ekonomik, që do të zgjidhet, të jetë në përputhje me kushtet e ekonomisë shqiptare dhe të mentalitetit të popullit shqiptar duke marrë si shembull jo vetëm ekonomitë e rajonit por edhe ekonomitë e lindjes së largët që janë në të njëjtin stad zhvillimi. Në këtë kontekst, kësaj qeverie i duhet të bëjë një përmbysje në modelin e zgjedhur ekonomik, të kalojë nga një ekonomi tërësisht e privatizuar në një ekonomi mikse ku të kemi një kombinim optimal të formave të pronësisë. Që qeveria e re të realizojë objektivat e mësipërme për një katër vjeçar duhet që të fillonte nga puna e saj në kushte normale. Çfarë do kuptoja unë me kushte normale? Do kuptoja një situatë ku treguesit makroekonomikë si: rritja reale e ekonomisë, ulja e normës së papunësisë, stabiliteti i normës së inflacionit të jenë në nivele normale dhe jo me tendenca negative. Deficiti buxhetor, borxhi publik, deficiti tregtar, etj., të jenë në parametrat e një ekonomie në rritje dhe jo të një ekonomie në kushtet e produktit potencial. Po a është ekonomia shqiptare në kushte normale?  Jo nuk është.

Më poshtë(Tabela Nr.1) po jap disa shifra për treguesit kryesorë makroekonomik në mënyrë që gjithsecili të analizojë vet se në çfarë gjendje është ekonomia në këtë moment.

1.Rritja ekonomike.  Për çdo vit prej INSTAT janë shpallur shifra që tregojnë se ekonomia shqiptare ka pasur tregues pozitiv. Më tej është pohuar se ekonomia shqiptare e ka përballuar me sukses “krizën ekonomike” botërore. Pra është thënë se “ekonomia shqiptare ndryshe nga ekonomitë e tjera të rajonit nuk u prek nga kriza e përgjithshme” duke shënuar rritje të vazhdueshme. Në fakt këto konstatime të INSTAT dhe të qeverisë mund të jenë për vite të veçanta sepse e përgjithshmja për këtë tregues nuk qëndron kështu. Për mua ekonomia shqiptare në vitin 2012 është future dhe vazhdon të jetë në recesion. (Për të provuar këtë mjafton të analizosh lidhjen midis Np-Ni dhe  GDP duke aplikuar Ligjin e Okunit dhe kurbën e Philipsit.)

Nga të dhënat e mësipërme shihet qartë që vetëm në vitin 2008 në krahasim me vitin 2007 kemi ritëm rritje normale ekonomike për një vend që është në tranzicion. Në të gjitha vitet e tjera kemi rritje simbolike në krahasim me prirjen e rritjes natyrore e cila është 2.25% . Nëse do marrim vartësinë e normës së papunësisë me rritjen ekonomike duke zbatuar ligjin e Okunit rritja ekonomike në dy vitet e fundit rezulton negative mbi prirjen e rritjes ekonomike.

2. Norma e papunësisë. Sipas të dhënave të INSTAT shihet qartë se për kushtet e Shqipërisë norma e papunësisë 12.5% në vitin 2008 është e kënaqëshme. Në vitet në vijim nuk është mbajtur ky trend por ajo është rritur me 1.1%. Në vitet 2011-2012 është stabilizuar në shifrën 13.3%. Të dhënat e katër viteve të fundit, që përkojnë me periudhën e recesionit global tregojnë se përgjithësisht norma e papunësisë nuk ka ndryshuar. Çfarë tregon dinamika e këtij treguesi që është nga më të rëndësishmit makroekonomik? Dinamika e tij tregon se nuk kemi rritje ekonomike në masën e pritur të një vendi të vogël në zhvillim. Sipas këtyre të dhënave rritja ekonomike është zero ose negative.

3. Norma e inflacionit. Norma e inflacionit në 5-6 vitet e fundit ka qenë sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë në masën 3% plus minus një. Norma e inflacionit nga viti 2010 ka ardhur në rënje. Nivelin më të ulët e ka pasë në vitet 2009 dhe 2012 me respektivisht 2.28% dhe 2.04%. Këto shifra të nivelit të inflacionit nuk janë normale për një ekonomi në rritje siç është ekonomia shqiptare ku një inflacion i lartë në funksion të rritjes së shpejtë ekonomike është plotësisht i pritshëm.

Tabela Nr.1 Dinamika e disa treguesve makroekonomik për vitet 2008-2012

Vitet 2008 2009 2010 2011 2012
Inflacioni mesatar në % 3.36 2.28 3.56 3.45 2.04
Norma e papunësisë % 12.5 13.6 13.6 13.3 13.3
Ritmi i rritjes në %

 

7.5 3.3 3.8 3.1 1.6
Deficiti tregtar mlde -2,431.50 -2,303.70 -2,082.70 -2,241.60 -1,999.20
Deficiti llog.k mlde -1,381.20 -1,329.80 -1,018.60 1,185.40 -1,021.30
Stoku i borxhit të brendshëm mldl 400.5 415 407.4 438.6 470.4
Stoku i borxhit të jashtëm mldl 195.4 267.5 308 333.9 357.6
  Shuma e stokut mldl 595.9 682.5 715.4 772.5 828
  Në % ndaj GDP 54.7 59.6 58.5 60.2 x

 

Nuk është e thënë që një vend duhet të ketë normë të ulët inflacioni që të ketë rritje ekonomike, përkundrazi, nëse duam rritje ekonomike duhet të pranojmë normë të lartë të moderuar të inflacionit. Qeveria duhet të zgjedh ose normë të ulët inflacioni dhe normë të lartë papunësie që do thotë normë të ulët të rritjes ekonomike ose të kundërtën. Të dyja bashkë shkojnë vetëm në periudha afatshkurtra, ose në rastet kur kemi faktorë ekonomikë të papërdorur.

4. Borxhi publik. Të dhënat për borxhin publik tregojnë se qeveria nuk ka marrë masat e duhura për ulen e tij. Në 2013 borxhi ka shkuar në shifrat 63.3%.  Në 5 vite kemi vetëm rritje të tij dhe jo ulje. Kjo rritje tregon se qeveria ka shpenzuar mbi të ardhurat e siguruara dhe se investimet i ka kryer në sektorë jo prodhues. Përgjithësisht kjo qeveri ka investuar në ndërtimin dhe meremetimin e rrugëve. Ky sektor është jo prodhues por ndikues në përshpejtimin e lëvizjes së mallrave dhe të njerëzve dhe si i tillë ka koeficient absolutisht të ulët kthimi. Investimet që u hodhën për rrugët nëse do ishin hedhur në sektorin e energjetikës jo vetëm që do kishin punësuar me mijëra njerëz por do kishte filluar dukshëm edhe kthimi i tyre. Investimet në rrugë nuk sjellin as punësim dhe as efektivitet si investimet në sektorët prodhues.

Janë këto dhe të tjera arsye që qeverisë së re do t’i duhet të bëjë një përmbysje në koncepte dhe në veprime. Duhet të rivlerësojë njerëzit e specialistët me koncepte europiane që minimalisht njohin teorikisht kapitalizmin, që dinë të vlerësojnë pronën. Duhet një administratë e pastër, e pa korruptuar, jashtë kësaj administrate që i bëri gjëmën ekonomisë dhe zhyti duart gjer në brez në pasuritë e shqiptarëve.

Qeveria duhet të rivlerësojë sektorin shtetëror në sektorët strategjikë të prodhimit, sektorë që tentuan të privatizoheshin prej qeverisë në ikje dhe që dështuan me turp.

Përfundimisht ekonomia shqiptare kërkon një përmbysje dhe jo andra dhe mballoma. Këtë mund ta bëjë një frymë e re, energjike dhe kurajoze së bashku me njerëz që kanë eksperiencë.

Në këtë gjendje po e merr ekonominë qeveria e re. Gjykoj se një zgjidhje afatshkurtër është borxhi i ngrirë, ndërsa afatgjatë përmbysja e këtij modeli dhe vlerësimi sektorëve strategjik në pronë shtetërore, ndryshimi rrënjësor i administratës dhe sistemit fiskal.