Prof. Gezim Boçari/Zonja Lovovsky më lejoni të komunikoj publikisht dhe sinqerisht me ju

676
Sigal

E nderuara znj. Lovovsky, besoj se ju i keni analizuar reagimet e botuara në gazetën “Telegraf” nga z. Rrapo Danushi, kryetar i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” dt. 27.05.2013 dhe nga zoti Niko Nesturi, kryetar i Shoqatës “Bregdeti” dt. 30.05.2013, që akuzojnë Bankën Botërore dhe dëshiroj të komunikoj publikisht dhe sinqerisht me ju. Unë i mbështes këto dy denoncime pasi kam qenë në tryezë në shumë nga takimet që janë zhvilluar ne selinë e B.Botërore në Tiranë me përfaqësitë e shoqatave, ku edhe ju keni marrë pjesë. Si kudo në Botë ku e kanë për traditë t’a respektojmë mikun edhe ne e bëjmë këtë, por kur kuptojmë se ai na saboton me apo pa dashje, ne dimë t’ja themi atij hapur dhe t’a menaxhojmë situatën. B.Botërore ka detyrim të zbatojë parimet (morale dhe ligjore), por ju në mënyrë konstante keni menaxhuar keq. Shpronësimin 45 vjeçar të diktaturës komuniste ju e keni përkeqësuar me 22 vjet anarki postkomuniste, duke rrezikuar të prishni themelin e Shqipërisë. Mendoj se ju dhe këshilltarët tuaj ashtu si dhe drejtuesit e B.Botërore në Uashington, do të reagonit shumë më ashpër nëse në vendin tuaj B.Botërore me rekomandimet dhe me projektet e saj, duke shpenzuar të fondet e grumbulluara prej taksapaguesve amerikanë dhe europianë, do të mbronte këtë korrupsion dhe masakër me pronat turistike, ku fjala ligj dhe shtet ligjor zbatohen në mënyrë klienteliste. Ju nuk mund të gjeni asnjë vend demokratik ku prona fitohet duke e pushtuar, duke e rrethuar, në shkelje të detyrimeve kushtetuese ose me ligje apo vendime dhe shkresa që e përdhosin Kushtetutën e vendit dhe kjo të jetë mbrojtur direkt apo indirekt edhe nga Banka Botërore. Krejt ndryshe ka vepruar B.Botërore në 1998 në Maqedoni.

Nuk mund të jetë rastësi fakti se të gjithë përfaqësuesit e B.Botërore, që kanë qenë para jush në Tiranë, si kur drejtonte PS edhe tani që drejton PD, fillimisht kanë reaguar ashpër për problemin e pronës, por që të gjithë shpejt e kanë ulur zërin dhe në fund janë bërë servilë kokulur. Ju keni gabuar dhe keni kultivuar anarkinë e titujve të pronësisë, pasi nuk keni marrë në konsideratë  origjinën e pronës, dhe pronën e grabitur nga komunizmi keni lejuar të trajtohet si pronë të ligjshme të Qeverisë. Nëse kjo ka ndodhur për naivitet apo arsye ordinere pragmatiste, ka ardhur koha që ju ta ndaloni këtë “lojë“ pasi ka kaluar çdo kufi dhe kjo bie ndesh me parimet ndërkombëtare dhe me interesat kombëtare të vendit tim. Kujt i intereson që B.Botërore t’i  mohojë një populli të drejtën për të gëzuar pronën e trashëguar, t’i fusë bashkëkombësit në rrugën e konfliktit permanent, të kultivojë korrupsionin dhe vesin e vjedhjes në një popull që tradicionalisht e ka respektuar pronën private më mirë se sa e respekton Europa sot. Një këngë e vjetër e krahinës së Vlorës thotë: “Jemi këtu në vënd tënë që pa lerë diell dhe hënë”. Banka Botërore duke anashkaluar problemet e pronës po shënon një njollë të turpshme në historinë e njerëzimit po ashtu si skllavëria e shekujve të kaluar. Prona është identitet që B.Botërore po na e mohon, por a do ta lejojmë dhe a do të mundet të na e mohojë atë? Siç dihet të gjitha ligjet për të rregulluar njerëzimin në çdo kohë sillen rreth mbrojtjes së pronës. Konceptin demokraci po ta koncentrosh në një fjali do të mbetet = mbrojtje e pronës dhe e të drejtës së personit. Shih nenin 1 të projektligjit të propozuar nga shoqatat, që sqaron filozofinë e ndryshimit, që kërkohet për tu larguar nga ky krim i organizuar dhe kjo është këshilla më e mirë, që të mos mbeteni të turpëruar. Zotërinjtë Rrapo Danushi dhe Niko Nesturi, unë i mbështes pasi ata janë pishtarë të lirisë dhe të demokracisë dhe ju garantoj se ata i mbështesin të gjithë shqiptarët patriotë,  pavarësisht se janë apo nuk janë subjekte të shpronësuar, pavarësisht se jetojnë në Shqipëri apo në emigracion. Të gjithë njerëzit e ndershëm e mbështesin kauzën e tyre për kthimin e pronës në identitet.

Ajo që unë nuk e kuptoj qartë nga përgjigja juaj e datës 21 Maj 2013 është: Nëse ju e keni kuptuar drejtë Apelin qe ju kanë drejtuar Shoqatat me datën 31 Mars 2013 apo thjesht pa e analizuar atë, keni kthyer një përgjigje formale. E thënë ndryshe: Përgjigja juaj është formuluar nga zyra e zv. Presidenti i B.Botërore për Europën z. Philippe Le Houerou, apo është formulim i juaji në emër të tij dhe ai nuk ka dijeni për përmbajtjen e përgjigjes.

Ndjej detyrim moral t’ju rikujtoj se në takimet që ju zonja Lovovsky keni organizuar në Selinë e B.Botërore, ku kanë qenë të pranishëm edhe specialistet tuaj dhe keni organizuar edhe komunikimin online me qendrën tuaj në Uashington, ne ju kemi theksuar dhe argumentuar se me sugjerimet e B.Botërore në  Raportin 62519 AL, duke u mbështetur në arsyetimin pragmatist të kompensimit dhe jo në nenin181 dhe 41 të Kushtetutës, ju po kryeni një veprimtari që nuk përputhet me asnjë parim moral dhe po shkelni detyrimet kushtetuese. Kompensim për subjektet e shpronësuar duhet pa diskutim për pronat që nevojiten për nevoja publike, por Banka Botërore dhe Qeveria shqiptare duhet të parashikojë kompensim edhe për fitimin e munguar, për këto 22 vjet pronat nuk ju janë kthyer të zotëve, por në mënyrë të padrejtë janë shfrytëzuar nga pushtetarët. Ju rikujtoj se me juristët tuaj u diskutua Vendimi Unifikues i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë që zbatohet në mënyrë selektive, si dhe fakti i pranuar edhe prej tyre se analiza juridike e ligjeve për pronat e paraqitur nga grupi juaj i punës ishte shumë më inferior dhe jo i plotë në krahasim me analizën juridike, që ju kishte ofruar shoqata të bërë nga Av. Totozani. Këtë analizë sot e keni të pasqyruar në sitin e internetit të pronarëve. Duhet ta them publikisht se ju na keni pritur shumë mirë, por me rekomandimet që keni dhënë për Qeverinë na  keni mashtruar dhe keni dëmtuar të ardhmen e demokracisë. Në takime ne ju kemi theksuar se: ky qëndrim i B.Botërore ka dhënë rezultate vrastare për popullin, po nxisni vetëgjyqësinë dhe e keni futur ne rrugë pa krye zgjidhjen e këtij problemi kyç për demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Ju mund t’i rivlerësoni këto mendime pasi takimet janë bërë me procesverbal. Theksoj se projektligji për të cilin kërkohet ndihma juaj institucionale, të cilën ju e refuzoni, korrigjon gabimet e deritanishme 1991-2013 të politikanëve shqiptarë, të Bankës Botërore përfshi dhe qëndrimet e gabuara të ambasadorëve të OSBE, BE, mbyll më së miri këtë burim korrupsioni dhe zgjidh në mënyrë përfundimtare problemin e pronës, që është kusht i BE-së. Pas miratimit të tre projektligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, që janë një tejkalim i konfliktit politik që po dëmtonte popullin, është ky projektligj i shoqatave që duhet miratuar nga dy forcat politike që Shqipëria të fitojë statusin e kandidatit në BE .

Nëse ju znj. Lovovsky, do pranoni kërkesën e shoqatës “Bregdeti” për ballafaqimin publik në një emision të drejtpërdrejtë ku të mbroni qëndrimet e B.Botërore, unë do të dëshiroja të isha pjesë e atij ballafaqimi si shtetas që e akuzoj veprimtarinë e Bankës Botërore. Jam i bindur se gjithçka rigjenerohet nëse ju keni vullnetin e bashkëpunimit për të zbatuar parimet bazë dhe për të ndihmuar zhvillimin e demokracisë në vendin tim.

 

Në pritje të reagimit tuaj.

Prof. Gezim Boçari