Prof. As. Alqi Naqellari/ Deformimi i sistemi bankar në Shqipëri dhe pasojat e tij

936
Sigal

Deformimet e sistemit bankar kanë filluar që pas vitit 1992 me futjen e bankave me kapital të huaj në Shqipëri

Në këtë shkrim synohet të jepen konsiderata të përgjithshme mbi disa shtrembërime të sistemit bankar shqiptar dhe pasojat e tyre në ekonomi. Kjo bëhet me synimin që në të ardhmen këto devijime të eliminohen sa të jetë e mundur dhe të merren të gjitha masat që efektet e tyre të amortizohen. Deformimet e sistemit bankar kanë filluar që pas vitit 1992 me futjen e bankave me kapital të huaj në Shqipëri. Bankat e huaja kërkuan që në formën e depozitave dhe kredive të mos përdoret vetëm leku por të përdoren edhe valutat e tjera. Ky presion i tyre bëri që këto valuta, veçanërisht pas futjes së euros të dominojnë tregun shqiptar bankar. Futja e tyre në qarkullim veç ndonjë pasoje pozitive pati shumë pasoja negative në ekonomi. Pasoja kryesore ishte humbja e efektit të transmisionit të politikave monetare nga Banka Qendrore. Kjo pasojë dhe të tjera i sollën një dëm të madh ekonomisë shqiptare. Në kushtet e kursit të këmbimit fleksibël politikat fiskale nuk kanë efekte pozitive afatgjata në ekonomi por këto efekte i kanë vetëm politikat monetare. Këto të fundit e humbën efektin e tyre si pasojë e dominimit të valutave. Janë këto arsye që kërkohet të bëhet një ndryshim në mënyrën e organizimit të Bankës Qendrore dhe të sistemit bankar në tërësi. Është e nevojshme të ndryshojnë objektivat e BQ-së. Në këtë artikull janë dhënë jo vetëm deformimet por edhe pasojat negative në ekonomi. Njëra nga arsyet që e shkruaj këtë artikull është që t’i tregoj Kryeministrit dhe atyre që e mbështesin në mendimet e tij, për të marrë një guvernator të huaj, se nuk ka nevojë BQ-ja për guvernator të huaj. Kjo sepse në të tilla kushte kur në Shqipëri në rolin e parasë zyrtare janë leku, euro dhe dollari, si në asnjë vend tjetër të botës, nuk ka çfarë ti bëjë këtij tregu as çifuti, as kinezi dhe as ndonjë alien i botëve të tjeraNga tregu ose duhet të largohet leku, ose duhen larguar euro dhe dollari.

 

Cilat janë disa nga deformimet e sistemit bankar shqiptar?

E para, dhe më kryesorja, është futja e euros dhe dollarit si para zyrtare në dhënien e kredive dhe pranimin e depozitave. Çdo vend ka monedhën e tij zyrtare e cila qarkullon brenda territorit të tij, duke ushtruar tërësisht funksionet e saj. Në Shqipëri monedha zyrtare është leku. Funksionet e saj si para zyrtare janë: mjet këmbimi, njësi standard llogarie, rezervë vlerash dhe njësi standard për pagesat e shtyra.Një nga karakteristikat kryesore të parasë është: Të jetë e pranuar prej të gjithëve. Pranimi prej të gjithëve është karakteristika më e rëndësishme e parasë. Kjo sepse nëse nuk pranohet si e tillë  atëherë me të nuk mund të realizohet funksioni i këmbimit ose i pagesës së të mirave dhe të shërbimeve.

Në Shqipëri një pjesë e pagesave dhe e blerjeve nuk bëhen në lekë por bëhen në euro ose dollarë. Kështu mjetet kryesore ose aktivet e ngurtësuara ose një pjesë e faktorëve ekonomikë tregtohen në valutë dhe jo në lekë. Këtu mund të përmendim, tokën, automjetet, apartamentet e banimit, ngrehinat e ndryshme për lokale ose biznese, aparate pune në mjekësi, ndërtim etj. Një pjesë e pagesave në Universitete bëhen në euro, një pjesë e pagesave në ndërmarrjet e huaja bëhen në euro etj..

       Duke parë këto këmbime dhe pagesa  shihet qartë se roli i lekut si mjet këmbimi ose pagese është ulur, është reduktuar duke e humbur pjesërisht tiparin e tij “të pranimit prej të gjithëve”. Krahas këtyre pagesave kemi edhe dy shërbime të tjera që e rrudhin akoma më shumë rolin dhe rëndësinë e tij në treg, kemi pranimin e depozitave dhe dhënien e kredive në valutë.

       Këto dy shërbime bankare e kanë mënjanuar lekun duke bërë që 63% e kredive të jenë në valutë dhe vetëm 37% të jenë në lekë, kur raporti i depozitave lekë-valutë është 52% me 48%.

       E dyta, privatizimi total i sistemit bankar.

       Sistemi bankar shqiptar pasi u kthye në dy nivelor për t’ju përqasur zhvillimit të ekonomisë, modelit të ri ekonomik u privatizua tërësisht. Në 1977 pas rënies së firmave piramidale falimentoi Banka Tregtare Agrare. Banka Kombëtare Tregtare thithi një pjesë të Bankës Agrare dhe filloi procesi i privatizimit të saj. U krijua Banka e Kursimeve nga Agjencia e Kursimit. Kjo bankë u privatizua plotësisht në fundin e vitit 2003 prej Raiffeisen Bank. Në këtë mënyrë, në Shqipëri, pas vitit 2003 nuk ka pasur asnjë bankë me kapital shtetëror. Të gjitha bankat ishin të huaja dhe përgjithësisht banka bija. Privatizimi total pavarësisht se në atë periudhë u konsiderua si një arritje e madhe, në fakt pasojat kanë qenë negative për ekonominë shqiptare.

       E treta, nxjerrja e valutës jashtë vendit në forma të ndryshme etj. Duke mos qenë me kurs fiks dhe duke kryer shërbime kredie dhe depozitash bankat e nivelit të dytë e kishin më të lehtë që një pjesë të kapitaleve të tyre ti kalonin jashtë Shqipërisë në formën e depozitave dhe kredive. Këtë e kanë bërë në vendet e origjinës dhe në vende të tjera europiane. Nëse në Shqipëri nuk do kishte shërbime të tilla në valutë ato nuk do nxirrnin asnjë lekë valutë jashtë territorit të Shqipërisë. Llogaritet që daljet në të tilla forma të valutës të jenë miliarda euro.

Cilat janë disa nga pasojat e deformimeve të sistemit bankar shqiptar?

Disa nga pasojat negative në ekonomi të këtyre deformimeve kanë qenë:

       E para, mosrealizmi i objektivit themelor nga Banka Qendrore si rezultat i mungesës së efektit të transmisionit të politikave monetare.

       Tabela Nr. 1 Dinamika e normës së inflacionit dhe e REPO-ve

Nr Emërtimi 2008 2009 2010 2011 2012 2013
1 Inflacioni në % 3.4 2.3 3.6 3.5 2 1.9
2 REPO, fund periudhe % 6.25 5.25 5 4.75 4 3
  Koef. kor. Pearson r=0.6807  R2=0.4634

       Të dhënat e tabelës së mësipërme flasin qartë për dinamikën e normave bazë të interesit(REPO) dhe të normës së inflacionit. Norma e inflacionit ka ardhur në rënie nga 3.4% në 2008 në 2013 ka qenë 1.9, thuajse në këto kuota ka qenë edhe në muajin korrik. Norma bazë e interesit është ulur thuajse dy fish, nga 6.25% që ka qenë në 2008 në 2014 është 2.5%. Tendencat e këtyre treguesve janë në rënie. Shkalla e lidhjes së tyre është 0.68. Kjo do të thotë se kanë lidhje normale në tendencat e tyre. Në fakt këta dy tregues teorikisht dhe praktikisht kanë lidhje të kundërta. Kur ulet norma e REPO-ve duhet të rritet norma e inflacionit. Kjo sepse ulja e normës bazë bën që Bankat Tregtare të ulin normat e depozitave dhe të kredive. Duke ulur normat e kredive ato bëhen më të pëlqyeshme për biznesin, kështu biznesmenët do të rrisin kërkesën e tyre për kredi. Rrija e stokut të kredive do rriti paranë në qarkullim. Rritja e parasë në qarkullim do rriti normën e inflacionit. Kjo është logjika ekonomike, dhe efekti i trasmisionit, por në Shqipëri nuk funksionon kjo logjikë ekonomike sepse janë në qarkullim euro dhe dollari. Euro normën bazë të interesit e ka 0.015%. Duke pasur këtë normë normat e depozitave dhe të kredive janë shumë më të ulëta sesa ato në lekë, kështuqë biznesmenët dhe subjektet e tjera ekonomike nuk marrin kredi në lekë, por e marrin  në euro. Në këtë mënyrë ulet sasia e lekut në qarkullim në formën e kredive. Ulet për pasojë edhe ndikimi i tij në rritjen e ekonomisë. Kjo para që nuk tërhiqet prej subjekteve ekonomike përdoret për blerjen e letrave me vlerë të qeverisë, përgjithësisht për blerjen e Bonove të Thesarit.

Sa i përket realizimit të objektivit kryesor treguesi i korelacionit e tregon se nuk ka asnjë lidhje. Inflacioni në Shqipëri është përgjithësisht i importuar dhe nuk është inflacion monetar. Në një vend ku 63% e kredive dhe 48% e depozitave nuk janë në paranë zyrtare nuk mund të ketë efektivitet politika monetare.

       E dyta,  mosndikimi i politikave monetare në rritjen ekonomike dhe rënien e normës së papunësisë.

       Tabela Nr. 2 Dinamika e rritjes reale ekonomike, e kredisë për sektorin privat  dhe e REPO-ve

Nr Emërtimi 2008 2009 2010 2011 2012 2013
1 Rritja reale e PBB % 7.5 3.3 3.8 3 1.6 0.4
2 REPO, fund periudhe % 6.25 5.25 5 4.75 4 3
  Koef. kor. Pearson r=0.948   R2 = 0.8987

Në tabelën e mësipërme kemi vënë përball ritmit të rritjes reale të ekonomisë normën e REPO-ve që është shprehje politikave monetare dhe të kredisë për sektorin privat. Nga të dhënat shikohet që lidhja midis rritjes ekonomike dhe normës së REPO-ve është lineare dhe shumë e fortë. Kjo lidhje shpreh të kundërtën e asaj që duhej të ishte. Ulja e normave bazë të interesit shoqërohet me rritjen e kredive e për pasojë shoqërohet me rritjen e ekonomisë. Kështuqë  efekti i transmisionit edhe në këtë lidhje nuk ka funksionuar, përkundrazi ka qenë me ndikim krejt të kundërt.

Tabela 3: Normat e REPO, Inflacionit, Papunësisë dhe PBB-së për vitet 2008-2014 (në %)

Viti REPO % Papunësia % Rritja Ekonomike %
2008 6.25 12.5 7.5
2009 5.25 13.6 3.3
2010 5 13.6 3.8
2011 4.75 13.3 3
2012 4 13.3 1.6
2013 3.5 13.3 0.4

       Shikoni me vëmendje tendencën e shifrave, kanë thuajse të njëjtin kah, që në kushtet e një ekonomie normale do të ishte e kundërta. Vija e normës së papunësisë është thuajse horizontale. Kjo do të thotë se normalisht ekonomia nuk ka pasur asnjë lloj rritjeje sepse nëse do të kishte rritje kurba e saj do të vinte në rënie, në bazë të ligjit të Okunit, i cili thekson se për çdo 1% rritje të ekonomisë reale mbi prirjen e rritjes norma e papunësisë ulet me 0.5%. Në këtë mënyrë kjo kurbë në një ekonomi reale do vinte me pjerrësi negative dhe jo horizontale.

       E treta, shtimi i numrit të kredive të këqija,

       Tabela Nr. 4 Cilësia e portofolit të huasë.

Nga të dhënat shihet se cilësia e portofolit të huasë lë për të dëshiruar. Nga viti në vit ka ardhur duke u përkeqësuar.

Vitet                          Cilësia e portofolit të huasë në %
  Hua të klasifikuara Hua në standart Hua në ndjekje Hua nën standart Hua të dyshimta Hua të humbura
2009 100 83.38 6.35 4.7 2.7 2.87
2010 100 79.44 6.94 6.04 3.59 3.98
2011 100 73.61 7.46 9.33 3.94 5.67
2012 100 68.91 8.34 9.83 5.23 7.7
2013 100 68.8 7.99 7.55 4.22 11.45
2014(II) 100 66.93 9.01 7.56 4.22 12.28

       Fig.Nr. 1 Dinamika e kredive të humbura

E përgjithshmja e këtyre treguesve është se ato kanë ardhur vazhdimisht, nga viti në vit,  duke u përkeqësuar. Nga të dhënat e tabelës dhe të grafikëve përkatës shihet se huatë në standard në 2014 janë sa 80% e 2009. Huat në ndjekje në 2014 në krahasim me 2009 janë rritur  në 141.9%, Huat nën standard me 160.9%, huatë e dyshimta me 156.3% dhe huatë e humbura me 427.9%. Huatë e humbura janë rritur në mënyrë drastike. Edhe për vitin 2014 kanë ardhur në rritje pavarësisht nga një ristrukturim që ju bë këtij treguesi në vitin 2013.  Kjo tregon për gjendjen jo të mirë të bankave të nivelit të dytë, për një punë të dobët të tyre në zgjedhjen e klientëve dhe në ndjekjen e kredive sipas subjekteve përkatëse. Përgjegjësi të pa kundërshtueshme për këtë situatë jo normale ka edhe Banka Qendrore, e cila posedon Regjistrin e Kredive për të gjitha bankat e nivelit të dytë.

       E katërta, banka me fitim negativ.

       Për të parë gjendjen e bankave që kanë rezultuar më humbje kemi shfrytëzuar tabelën e mëposhtme.

       Tabela Nr. 5 Dinamika e humbjeve të tri bankave për vitin 2009-2013 në lekë

Emërtimi bankave 2009 2010 2011 2012 2013
Credit Bank of Albania 524764566.6 25901323.42 -23666395.67 -87706715.04 -114019765.5
Credit Agricole 26643370.45 83189322.51 -824506528.2 -692776397.7 -430787600.3
ProCredit Bank 29611840 104355056.4 281217386 59824348.38 -153094871.4

       Credi Bank për vitet 2009-2010 ka rezultuar me një fitim relativisht të kënaqshëm, ndërsa në vitet 2011, 2012 dhe 2013 ka rezultuar me një humbje gjithnjë e në rritje. Në 2013 në krahasim me 2011 humbja gati është 5-fishuar. Edhe Credit Agricole në vitet 2010, 2011 nuk ka pasur rezultat negative. Në vitet 2011-2013 humbjet kanë qenë prezente pavarësisht se janë afro përgjysmuar në 2013 në krahasim me 2011. Sa i përket Pro Credit Bank vetëm në vitin 2013 ka rezultuar me një humbje të thellë. Krahas këtyre bankave që kanë rezultuar me humbje sipas FMN janë edhe 3 banka të tjera tregtare që nëse nuk bëhet rikapitalizimi edhe ato rrezikohen të dalin me humbje. Si konkluzion sistemi bankar i nivelit të dytë nuk është në pozita të shëndosha sepse nga 16 banka që ka 6 prej tyre nuk paraqiten në situatë normale. Së fundi sipas të dhënave fitimi prej bankave dhe niveli i kredive të këqija është më i larti në rajon. Për gjykimin tim të dy këta tregues kanë negativ dhe në dëm të qytetarëve shqiptarë  sepse Bankat Tregtare ulën nivelin e interesat të depozitave në lekë, nga ulja e normës së REPO-ve, dhe nuk ndryshuan nivelin e normave të kredive. Ndërsa sa i përket kredive të këqija përgjegjësia është tërësisht subjektive dhe e shpërndarë midis BQ-së dhe vetë bankave tregtare. Në mbrojtje të këtyre veprimeve janë euro dhe dollari.

       E pesta,  shpërndarje jo efektive e kredive të bankave tregtare, etj..

a)Kreditimi sipas sektorëve.

Të dhënat e Raporteve Statistikore të BQ-së tregojnë se sasia e kredisë e akorduar për ekonominë shqiptare është më e vogël në krahasim me sasinë e depozitave. Tregues negativ është se stoku i kredisë ka ardhur në rënie nga viti në vit pavarësisht nga madhësia e tij. Kredia si mesatare është nën 50% të GDP-së, shifër kjo shumë më e ulët se vendet e tjera të rajonit. Përgjithësisht kredia është përqendruar në ato degë ku vetë bankat tregtare kanë pasur interesat e tyre, për një kthim të sigurt dhe sa më të shpejtë. Në këtë mënyrë tre sektorët kryesorë ku janë përqendruar kreditë kanë qenë tregëtia, ndërtimi dhe industria . Pas tyre në përqindje të ulëta janë kredituar sektorët e energjisë, gas, ujë, hotele, restorante dhe telekomunikacioni. Sektori efektiv i pa kredituar është bujqësia kredia për të cilën ndaj totalit për vitet 2011-2012-2013 ka qenë 1.6%, 1.8% dhe 1.8%. Kjo degë është nga degët kryesore të ekonomisë shqiptare që jep rreth 20% të totalit të GDP-së, pavarësisht se në vitin 2013 ka dhënë vetëm 17.5%. Nëse do të kishte një bankë bujqësore me kapital tërësisht shtetëror bujqësia do të ishte dega e parë që do të kreditohej sepse është e lidhur me të gjitha degët e tjera të ekonomisë.

       b)Shpërndarja e kreditimit sipas rretheve të vendit

       Të dhënat e Raporteve Statistikore të BQ-së tregojnë për një shpërndarje jo normale të kredive sipas rretheve të vendit. Peshën kryesore të kredive, për vitin 2013 e mban rrethi  i Tiranës me 71.7% të totalit. Përqindja e peshës së tij ndaj totalit ka ardhur gjithnjë e në rritje. Rrethi i dytë që ka peshën më të madhe ndaj kredive është a ii Durrësit me 7.9% në vitin 2013. Të dy këto rrethe së bashku zënë rreth 80% të totalit të kredive të akorduar nga bankat e nivelit të dytë.  Të gjitha rrethet e tjera së bashku zënë 20%. Këtu përfshihen edhe rrethet e mëdha si Shkodra, Fieri, Vlora, Korça, Lushnja etj që nuk kalojnë më shumë se 3% ndaj totalit. Kjo shpërndarje tepër e pabarabartë ka bërë që ekonomia të mos trajtohet në mënyrë të barabartë sipas burimeve të saj ekonomike.

       c)Struktura e depozitave sipas monedhës dhe kredia në raport me depozitat

Në tabelën Nr.6 kemi paraqitur strukturën e depozitave në lekë dhe valutë. Shihet qartë që depozitat në lekë në përqindje ndaj totalit janë më të larta në të gjitha vitet sesa depozitat në valutë.  Nga viti 2012 e deri në ditët e sotme thuajse kemi raportin 52/48 në favor të lekut. Diferenca është me rreth 4%. Këto raporte tregojnë se në treg kemi thuajse të njëjtën situatë pavarësisht se kemi ndryshime në normat e interesit të tyre.

Tabela Nr.6 Dinamika e depozitave sipas monedhave

Viti Totali depozitave

Mld lekë

Depozita në miliardë lekë Depozita në % ndaj totalit
Në ALL Në  valutë Në ALL Në valutë
2011 875.9 452.8 423.1 51.7 48.3
2012 930.6 476.8 453.8 51.2 48.8
2013 950.1 494.3 455.8 52.0 48.0
2014(07) 957.7 495.6 462.1 51.7 48.3

Raporti kredi depozita thuajse nuk ka ndryshuar ndërsa në shifër absolute është rritur.

       Tabela Nr. 7: Kredia për bizneset  2008-2013(në milion lekë)

Emërtimi Gj Lekë Euro $ Valutë %lekë %valutë
2011 389 119 234 36 270 30.6 69.4
2012 402 143 224 35 259 35.6 64.4
2013 395 146 217 32 249 37.0 63.0
2014 396 148 212 36 248 37.4 62.6

       Nga të dhënat shihet se kredia në valutë për bizneset zë rreth 63% ndërsa në lekë rreth 37%. Kjo do të thotë se valuta ka fushë veprimi më të gjerë sesa leku shqiptare në zhvillimin e ekonomisë. Leku ka pak fushë veprimi. Kreditë përgjithësisht jepen në valutë ndërsa pjesa më e madhe e lekëve shkojnë në blerjen e instrumenteve të borxhit të qeverisë.