Prof. Anastas ANGJELI/ Ekonomia-debati, shqetësimi dhe realiteti

843
Pa reforma nuk ka zhvillim

Dy vjetët e Qeverisjes së mazhorancës aktuale, padyshim që kanë shënuar një sërë arritjesh të cilat do të ishin të pamundura nga çdo qeveri tjetër, po të kemi mirë parasysh situatën ekonomike dhe finaciare që trashëguam para dy vjetësh. Kjo falë një sërë reformash të ndërmarra nga Qeveria dhe të mbështetura nga shumica parlamentare në Kuvend dhe nga institucionet ndërkombëtare. Por çuditërisht “debatuesit” ose bëjnë sikur nuk e shikojnë këtë realite, ose nuk duan ta pranojnë, ose në këtë rast u intereson vetëm ajo që nuk është bërë. Si mund të debatosh dhe të mos përmendësh që reforma administrative është një sukses?! Është një sukses që ka të bëjë dhe është i lidhur me një organizim dhe funksionim të ri të territorit dhe vetë pushtetit vendor, me menaxhimin më të mirë dhe efikas të ekonomisë dhe pasurive të këtij territori, me një sjellje tjetër të organeve dhe autoriteteve lokale ndaj qytetarëve, një ndryshim në shërbime komunale, arsimore e shëndetësoe që u afrohen dhe mundësive e shanseve për t’u punësuar e zhvilluar aktivitete të ndryshme, etj. Për këtë nuk flasim?! Për këtë nuk japim mendim?! Për këtë nuk thotë kush një ide më të mirë, më të shpejtë për vënien në zbatim të kësaj reforme, për elementë progresistë decentralizues që ky pushtet do të sjellë me plotësimin ligjor të ketij aspekti. Si mund të debatosh dhe të mos lexosh atë transformim që po bëhet në menaxhimin e situatës dhe të vetë sektorit energjitik? Një sektor ku shthurrja drejtuese dhe kaosi, abuzimi dhe shpërdorimi, mospagimi i energjisë (i shndërruar në model) dhe humbjet në rrjet të energjisë, investimi pa kriter (përveç atij politik) ishin mbizotërues dhe e kishin zhytur këtë sektor në krizë të plotë. Ndërkaq brenda një viti, drejtimi i këtij sektori po transformohet përmes një menaxhimi më efektiv duke e shndërruar këtë sektor në një fuqi të vërtetë ekonomike në vend. Si mund të debatosh dhe të mos përmendesh faktin që bisnesit po i kthehet thuajse tërësisht borxhi i trashëguar prej gati 700 mijë usd duke e çliruar nga «ngërçi ku ishte futur» për t’iu rikthyer atij? Si mund të debatosh dhe të mos ndjesh rregullin e ri në zhvillimin e territorit, ku anarkia dhe kaosi mbizotëronin në ndërtime (pa leje) ndërsa tani vizioni, ligji, rregulli, zhvillimi i “mençur” po zëvendëson “katrahurën “që trashëguam? Si mund të debatosh dhe të mos kujtohesh se çfarë u premtua për legalizimet, pronën dhe rregullimet për to dhe rezultatet që po arrihen me rrugën e shpejtë të zgjidhjes që janë futur dhe po ecin këto çështje? Si mund të debatosh dhe të mos kthesh kokën pas dhe të kujtosh hyrjen dhe qendrën e qytetit tënd ku nuk kaloje dot dhe nuk e ndjeje veten banor i tij, sot e transformuar tërësisht në një ambient europian? Ose nuk duan ose” syri nuk ju a shef”, se s’ka si të ndodhë ndryshe. Si mund të debatosh dhe të mos kujtosh që një ndryshim i tërë ka ndodhur në çështjet e rendit publik, të luftës kundër krimit dhe drogës (ka ende drejtime ku punohet me intensitet)? Si mund të debatosh dhe të mos fokusohesh në një sërë reformash të tjera si ajo në Drejtësi dhe në pesë prioritetet e integrimit të vendit në BE, kaq të domosdoshme për të ardhmen? E pra mund të rradhisja një sërë drejtimesh të tjera të reformave dhe zhvillimit, në arsim dhe bujqësi, në plolitikën e jashtme dhe të sigurisë, të cilat kanë ndikuar jo pak në klimin pozitive të zhvillimit të vendit. Të gjitha këto që theksova nuk janë argumente që justifikojnë faktin e mos realizimit të të ardhurave për të cilën « po zhvillohet gjoja debati”. Jo aspak. Prandaj tani po i kthehem edhe kësaj çështje.
Stabilizimi, zhvillimi ekonomik dhe punësimi- thelbi i çështjes
Gjithashtu ky debat nuk mund të zhvillohet pa kujtuar faktin që ekonomia e dy vjetëve më parë ishte një ekonomi që lëngonte “në ethet e krizës” me një rënie pikiatë ga 6-7 % në gati 0 %, me financa publike “të mbytura në lakun e borxhit dhe të deficitit”, me biznes “të rrjepur” nga qeveria me një detyrim prej më shumë se 700 milion usd ndaj tyre, etj. Kësisoj, pa stabilizuar këtë situatë, nuk mund të riniste zhvillimi. Kjo qe arsyeja që politikat stabilizuese që u ndërmorrën në bashkëpunim me FMN, në këto dy vite kishin këtë objektiv dhe përgjithësisht ia arritën këtij qëllimi. Kësaj po t’i shtojmë dhe ndryshimet dhe përmirësimet bëra në e kuadrin ligjor ekonomik e financiar, besoj se tani është momenti i ristartimit të politikave zhvilluese që gjenerojnë më shumë prodhimim dhe punësim. Sa i përket debatit për mungesën e të ardhurave, padyshim që ky fakt, (mungesa e të ardhurave) nuk mund të mos konsiderohet, analizohet, vlerësohet dhe të jepet rrugëzgjidhje (dhe qeveria organet fiskale po e mbajnë tashmë qëndrimin e tyre). A është ky një dështim i taksës progresive, siç pretendojnë disa syresh? Unë mendoj që jo. Mbase disi problemi qendron në mënyrën dhe tarifat e aplikimit të kësaj takse, sidomos në të ardhurat personale. Por kjo për mendimin tim, është gjëja më vogel. A është ky një problem i politikave fiskale në përgjithësi? Edhe kjo nuk qëndron, për faktin se situata e trashëguar i diktonte këto politika, aq më tepër që ato kanë qenë të konsultuara dhe të mbështetura nga FMN. Ndoshta tani është koha për një këndvështrim të ri të disa politikave fiskale, sidomos në nxitje të prodhimit e punësimit, të ekonomisë në përgjithësi. A është kjo një çështje e mungesës së efektivitetit të punës së organeve fiskale (organeve tatimore dhe doganore) dhe e evazionit fiskal? Unë them që PO, është dhe këtu duhet përqendruar më shumë vëmendja. Natyrisht, stabilizimi dhe konsolidimi financiar janë probleme që kërkojnë ndjekje në vazhdimësi. Por zhvillimi ekonomik, punësimi edhe pse mbështeten në këtë stabilizim e zhvillim, janë më shumë se kaq.
Manovra e re ekonomike dhe financiare
Çfarë duhet bërë konkretisht? Mendoj se kemi nevojë për “NJË MANOVËR EKONOMIKE E FINANCIARE” që të shërbejë si themel i “modelit të ri ekonomik” që ne premtuam dhe kemi nisur të zbatojmë. Prandaj debati duhet t’i kthehet më me forcë, me profesionalizëm, argumente dhe ide çështjes së ristrukturimit dhe prioritizimit të ekonomisë dhe në këtë moment të fokusohemi në 3-4 drejtime, të cilat mund të japin efektin ekonomik dhe social sa më të shpejtë, siç janë: 
a. Bujqësia
Bujqësia, për të cilën kërkohet një mbështetje më e madhe, për zbatimin e një plani, projekt konkret, urgjent, sa, si, përse do investojmë dhe çfarë do mbështesim në bujqësi. (Tashmë janë bërë disa studime për bimët medicinale, prodhimet e perimeve, ullirin, mund të bëhet për peshkimin, etj). Kjo sipas filozofisë çfarë do prodhojmë, për kë do ta prodhojmë (që e kërkon tregu i brendshëm dhe eksporti), si do ta grumbullojmë, marketojmë, tregtojmë dhe çfarë do fitojmë ? Kam përshtypjen se në këtë drejtim jemi vetëm në hapin fillestare, ndërkaq koha nuk na pret dhe kërkohet më shumë aksion konkret dhe dinamizëm. Fryma e debatit duhet të përfshijë edhe reformën në sektorin e ujësjellsave, jo thjesht dhe vetëm në aspektin e përmirësimit të menaxhimit të tyre, por më tepër se si ky menaxhim dhe investimi në këtë sektor, të çojë në rritjen e aksesit të popullsisë në ujin e pishëm, problem që për një çerek shekulli vazhdon të bashkudhëtojë me tranzicionin ekonomik e social të vendit.
b. Nxitja e investimeve të brendshme dhe të huaja
Nga ana tjetër më shumë investime të brendshme duhen në ekonomi, e në veçanti investime të huaja e strategjike. Edhe këtu kërkohet debat, dhënie mendime për krijimin e kushteve më të mira dhe klimë biznesi me liri ekonomike më të gjera. Mbas miratimit të një pakete ligjore nxitëse në këtë drejtim, të gjithë do të mirëprisnin realizimi i fillimit të punimeve, minimumi i dy apo më shumë investimeve të mëdha të huaja (apo zona ekonomike) në vend, që premtojnë prodhim dhe punësim.
c. Sektori i turizmit dhe ndërtimi
Një çështje tjetër që mund të debatohet është si duhet të mbështetet sektori i turizmit. Mendoj se mbështetja në këtë sektor duhet të jetë më shumë investuese në infrastrukturë (rrugë të vogla që lidhin vendet turistike, plazhet me qendrat e mëdha të banuara e turistike, rrjet me ujë të pijshëm, energji dhe disa shërbime, promovim dhe rritje të cilësisë së shërbimit) se sa në fushën fiskale (tatimore). Ndërkaq, çlirimi në një kohë sa më optimale i sektorit të ndërtimit (pa cënuar hyrjen në fuqi të rregullave të reja dhe fillimin e veprimtarisë së autoriteteve të reja lokale si rrjedhojë zbatimit të reformës së re territoriale) pasi gjithnjë në vëmendje duhet të kemi se me këtë sektor janë të lidhur rreth 160 bisnese (aktivitetet të ndryshme në shërbim dhe në funksion të ndërtimit). Gjithashtu debati nuk duhet të anashkalojë kryerjen e një « manovre fiskale » në prag të diskutimi të projekt-buxhetit dhe paketës së re fiskale për vitin 2016. Kjo «manovër fiskale » duhet të nënkuptojë vazhdimin e ruajtjes së konsolidimit fiskal, konsiderimin e marrëveshjes me FMN, rritjen e eficencës së punës së Administratës Fiskale e Doganore në luftë kundër evazionit fiskal dhe « ekonomisë gri” dhe padyshim diskutimin me komunitetin e bisnesit dhe faktorët e interesit, për ndryshime të mundshme në paketën fiskale dhe rritjen e të ardhurave për të mbështetur manovrën ekonomike dhe një ndikim më pozitiv në gjendjen sociale të qytetarëve. Në këtë këndvështrim duhet mbështetur nga të gjithë faktorët dhe aktorët shtetërore dhe ekonomikë, nisma e kryeministrit për të filluar një aksion kundër informalitetit, në të gjithë nivelet e bisnesit. Kjo nismë serioze, ligjore, jo arbitrare, jo selektive, të shtrihet nga biznesi më i madh deri te më i vogli (pa i trembur sidomos këta të fundit) deri në një rivlerësim të situatës së gjendjes së kasave të vendosura, lëshimit të faturave tatimore, etj. Kjo betejë nuk është vetëm çështje e kasave fiskale, e cila është shndërruar në «gangrenë fiskale», por përtej saj, se evazioni nuk është pjellë vetëm e mungesës së «kasave fiskale», por i lidhur me shumë fenomene të krimit ekonomik, kontrabandës, mashtrimit, fallsifikimit, të cilat duhen luftuar me forcë. Prandaj kjo nismë nga aksion i domosdoshëm tani duhet shndërruar në rregull i përhershëm i veprimtarisë së organeve fiskale. Asgjë e keqe nuk vjen nga debati realist me mendim e vizion, për përmirësimin e punës së organeve fiskale, të disa politikave që kanë të bëjnë me nivelin e tarifave të të ardhurave personale, apo për shtrirjen më të gjerë të TVSH dhe shkallëzimin e saj, për vendosjen e një raporti më të drejtë të të ardhurave nga taksa mbi të ardhurat personale në raport me tatimin mbi pasururinë, pronën, kapitalin, (duke i dhënë prioritet rritjes së të ardhurave nga këto të fundit). Më në fund, por jo nga rëndësia, kjo manovër kërkon një këndvështrim të kujdesshëm, një analizë rigoroze dhe mbykqyrje kostante të borxhit të brendshëm dhe të huaj, të deficitit, nivelit të disbursimit të fondeve të huaja dhe përdorimit efikas të borxhit si dhe qëndrimit koseguent të programit për reduktimin e tij në tre vitet e ardhshme. Pa debat nuk ka mendim dhe pa mendim nuk ka zhvillim. Por kur me debatin abuzohet, politizohet në ekstrem, pa dyshim që ai pengon dhe nuk ndihmon. Përkundrazi një debat pozitiv, profesional, me vizion dhe jo dashakeqas ndihmon në zgjidhjen më të mirë të problemeve të zhvillimit ekonomik të vendit.
Sigal