Prof. Alqi NAQELLARI/ Shqipëria, Amerika dhe informaliteti

1423
Që Amerika u bë e tillë si është sot, një nga shtetet më të zhvilluara të botës, me ekonomi të lirë tregu dhe demokraci brilante nuk është numri i ligjeve, paketat ligjore që ka, por është zbatimi i tyre. Dhe zbatimi i tyre nuk është bërë thjesht me urdhra drejtorësh, ministrash, senatorësh apo presidentësh. Demokracia amerikane është vendosur me gjak, ligjet janë larë me gjak. Edhe sot në Amerikë po kundërshtove një polic të fut plumbin mu në lule të ballit dhe për këtë merr fletë lavdërimi. Askush sot në Amerikë nuk e kupton dot jetën pa taksa, sepse taksë do të thotë shtet, dhe shtet do të thotë të jetosh në një vend të sigurt për jetën në aspektin e mbrojtjes së saj, mbrojtjes së pronës, mbrojtjes së shëndetit, të florës, të faunës, mbrojtjes dhe çeljes së perspektivës. Të jesh shtetas amerikan në çdo vend të botës je i mbrojtur nga shteti amerikan, ai përgjigjet për çdo shtetas që punon, jeton brenda apo jashtë SHBA-ve duke marrë masa drastike.
Për një Amerikan shteti është krenaria e tij, shteti është i shenjtë. Shaja, ofendoja shtetin një amerikani dhe menjëherë me të do bëhesh armik sepse janë patriot në shkallën më të lartë. Për shtetin, për Amerikën shkojnë dhe luftojnë në çdo cep të globit, dhe vdesin me emrin e tij në gojë. Ky është shteti Amerikan, që megjithëse ka një zbatim të tillë të ligjit nga e gjithë bota, dhe nga vende të tilla si Kina, Japonia, Gjermania, Italia duan të shkojnë të punojnë e të jetojnë në Amerikë.
Po ne në Shqipëri në krahasim me Amerikën në raport të zbatimit të ligjit si jemi, çfarë raporti kemi ne me shtetin shqiptar? Konkluzioni im është se raportet tona në përgjithësi janë jo normale. Ne akoma vazhdojmë ta shikojmë shtetin si një organizëm parazit që di vetëm të na vjedh, të na vrasi e të na tradhtojë. Në këtë mënyrë partneriteti shtet-qytetar është në pikën më të ulët të mundshme. Dhe kjo është fare normale për qytetarët e një shteti ku:
-presidenti caktohet nga një parti politike,
-kur president caktohet një njeri i pa aftë fizikisht,
-kur guvernatori bankës caktohet një njeri i pa njohur, pa asnjë lloj kontributi në shkencën ekonomike,
-kur guvernatori i bankës qendrore lihet i lirë në një kohë që në bankë janë vjedhur shtatë miliardë lekë,kur presidenti e thërret për parti këtë guvernator,
-kur presidenti mbron rektorët e korruptuar që akuzohen nga KLSH dhe nga MASH,
-kur gjykata nxjerr të pa afat mendorë kriminelë e hajdut ordinerë,
-kur kryetari partisë demokratike akuzohet për vjedhjen e 250 milionë eurove në rrugën Durrës-Kukës,
-kur qeveria e partisë demokratike i fal 350 kilometër katrore det Greqisë,
-kur qeveria e partisë demokratike vret para selisë së saj 4 demonstrues të pafajshëm,
-kur në Gërdec vriten 26 të tjerë,
-kur Trebicka vritet se akuzon të birin e kryeministrit,
-kur në Bankën Qendrore punojnë të afërt të ministrave, deputetëve e të qeveritarëve të tjerë që nga presidenti e deri te kryeministri,
-kur prona publike ju jepet militantëve, të afërmve të deputetëve e të ministrave,
-kur në qeveri grumbullohen të afërt të pushtetit,
-kur në burg futet një qytetar që ka borxh 5 mijë lekë dhe nuk futet një biznesmen që i ka borxh 50 milionë,
-kur tenderat i fitojnë gjithnjë biznesmenët afër pushtetit,
-kur në dogana biznesi afër qeverisë nuk zhdoganon mallin duke rritur konkurrencën e pandershme dhe rënien e të ardhurave në buxhet,
-kur taksidarët i shikojnë bizneset ca si të nënës dhe ca si të njerkës, ca të ministrave, ca të deputetëve e ca të popullit që duhet të paguajnë,
-kur policat rrugor përshëndesin makinat me xhama të zinj dhe ca fukarenj me “Fiat” i dënojnë se e kishin makinën me shpejtësi të lartë,
Në këtë mënyrë qytetarët duke parë të tilla veprime të shtetit e kanë humbur besimin tek ai.
Në krahun tjetër shteti ka humbur besimin te populli:
-e quan hajdut popullin,
-hajdut mjekët qe na vjedhin qytetarët,
-hajdute infermieret,
-hajdut pedagogët,
-hajdut ato që lëshojnë vërtetime,
-hajdut ato që bëjnë regjistrime,
-hajdutë tregtarët e rrugëve,
-hajdut edhe lypsarët, etj, etj.
Në këtë mënyrë ne jetojmë në një vend ku shteti akuzon popullin dhe populli akuzon shtetin.
Po çfarë kërkon të bëjë Edi Rama, në këto kushte, me veprimet që ka ndërmarrë?
Kryeministri jonë ka marrë përsipër të bëjë atë gjë që nuk e ka bërë asnjë kryeministër dhe asnjë qeveri tjetër. Të detyrojë subjektet ekonomike të zbatojnë ligjin. Shkurt në Shqipëri të funksionojë ligji që edhe Shqipëria më në fund të bëhet Shtet,” të bjerë era shtet” si të gjithë shtetet e tjera Europiane që edhe ne të kemi më në fund të drejtën të krenohemi kur të themi se jemi shqiptarë. Për këtë unë kam besim te Rama sepse ishte i vetmi që shkatërroi Parkun Rinia, shkatërroi të gjitha ndërtimet buzë Lanës. Ishte i vetmi nga Kryetarët e Bashkisë së Tiranës që vendosi ligjin. Aksioni për pagimin e faturave të energjisë elektrike mund të realizohej dhe u realizua nga kjo qeveri, pavarësisht që edhe qeveritë paraardhëse ishin munduar ta realizonin por që kishin dështuar. Fillimisht Edin e quajtën kriminel, qeveri hajdute, hora e gangsterë. Pa pyesni tani se si e ndjejnë veten qytetarët dhe bizneset nga ai aksion. Edhe ata që paguan thonë” bravo i qoftë”, të gjithë të kënaqur sepse të gjithë paguajnë, nuk ka më tani ca të nënës e ca të njerkës. I tillë do jetë edhe ky aksion që ka ndërmarrë. Do ta shajnë, mallkojnë, mënojnë por në fund, kur biznesi të vendoset në kushte të njëjta konkurence, dhe çdokush ta ndjejë realisht rritjen ekonomike do thonë “bravo i qoftë”, ky i duhej vendit.
Aksioni i vendosjes së kasave
Aksioni i vendosjes së kasave fiskale ka filluar që në 2007-2008. Për gjykimin tim duhej të kishte filluar që në vitin 1996. Sot është vitit 2015 dhe akoma biznesi nuk është pajisur plotësisht me aparate të tillë. Po citoj një paragraf nga një prononcim i përfaqësuesit të Konfindustrisë në 2010. “Konfindustria, duke patur parasysh afatin e fundit të 31 dhjetorit 2010, për pajisjen me kasa fiskale të gjithë bizneseve në hapësirën gjeografike të vendit përfshi edhe të ashtuquajturin “biznes i vogël”, kërkon nga ekzekutivi shqiptar, që të zbatoj me çdo kusht dhe pa ngurrim detyrimin ligjor të mësipërm si një nga kushtet e domosdoshme për formalizimin e ekonomisë në tërësi. Njëkohësisht Konfindustria fton gjithë vendimmarrjen politike të vendit pa dallim ngjyrash partiake të mbështesë pajisjen e plotë me kasa fiskale të bizneseve si kusht strategjik për normalizimin e ekonomisë kombëtare. Çdo shtyrje e mëtejshme në kohë e pajisjes me kasa fiskale është me pasoja të pallogaritshme të dëmshme për biznesin e ndershëm, konkurueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë kombëtare në tërësi si dhe goditje e pastër në afatgjatë në fuqinë e zbatimit të ligjit. Shqipëria nuk mund të veprojë ndryshe nga vendet e tjera të Bashkimit Europian. Konfindustria vlerëson, se pikërisht në hallkën e ndërprerë të pikës se lidhjes ligjore të tregtisë me pakice/biznes i vogël me konsumatorët fundore/qytetarët, ndodhin të gjitha rrjedhjet e shmangies financiare si edhe lindin trysnitë nga poshtë-sipër për prodhimin e shmangies fiskale në të gjithë procesin tregtar në Shqipëri. Vlerësohet se shmangia fiskale në Shqipëri, ende e kalon masën e papranueshme prej mbi 50% të PBB dhe ka pasoja shkatërruese sidomos për industritë prodhuese të rregullta të vendit, shkatërrimin e konkurrencës me pasoja të drejtpërdrejta në rrënimin e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë në përgjithësi”. 
Nuk është momenti i duhur, momenti i duhur ka kaluar, kasat fiskale duhesh të ishin montuar që para 20 vitesh.
Mungesa e kasave fiskale bën që PBB-ja në Shqipëri të mos jetë e saktë, të ketë shifra të turpshme, gënjeshtra dhe mashtrime për të ruajtur normën e borxhit fiskal ndaj PBB-së. Qeveria aktuale ka trashëguar një sistem të tillë dhe po mundohet që ta shpërbëjë. Nëse do vazhdohet të punohet kështu do arihet. Është absolutisht e papranueshme që INSTAT të deklarojë se në Shqipëri prodhohen 280 mijë ton grurë dhe 320 mijë ton misër. Këto janë shifrat më skandaloze që unë kam dëgjuar ndonjëherë, prandaj vendosja e kasave fiskale do bëjë që këto çudira shqiptare të ndalen njëherë e mirë. Shkoni nga Shkodra dhe deri në Sarandë dhe më gjeni një koçek misri, sepse misri mbahet në koçekë dhe jo në depo si gruri, misri mbahet në kalli dhe jo në kokërr. Për 320 mijë ton do duheshin me kilometra të tëra koçekë në një kohë që unë nuk kam parë ndonjë prej tyre. Në Shqipëri prodhohet apo nuk prodhohet ndonja 1 mijë ton. Misri do pleh, misri do ujë. Para viteve 90 në Lushnje zbrisnin të gjithë studentët e universiteteve dhe gjimnazet për ta vjelë dhe mezi arrinin, po sot kush na qenkan këta që na vjelkan 320 mijë tonë misër. Me këto shifra po të ishim në një vend tjetër këta të INSTAT-it, apo ata agronomët e qarqeve e rretheve, do ishin të gjithë në burg për mashtrim publik. Sa për grurin shifrat janë edhe më qesharake. Mesatarja e rendimentit kalon 40/kv për hektar. Si mund të arrihet një rezultat i tillë kur nuk ka plehra kimikë, organikë, insekticide e pesticide. Nëse kjo do ishte shifër e vërtetë ne do ishim vend eksportues gruri dhe misri. Nëse këto shifra do ishin të vërteta pse duhej të importojmë në 1 vit 270 mijë ton grurë. Sipas këtyre të dhënave në Shqipëri konsumohet 550 mijë ton grurë. Shifrat që unë shkruaj janë e zezë mbi të bardhë, i gjeni në të dhënat e Raporteve Statistikore të Bankës së Shqipërisë dhe në adresën e INSTAT, i gjeni për bukuri edhe në materialet e Ministrisë së Bujqësisë. Kjo shifër do të thotë që çdo shqiptar, pavarësisht nga mosha që ka konsumon në vit 196.4 kg grurë ose 538 gram grurë në ditë, ose 807 gram bukë në ditë. Norma para 90 ka qenë 182 kg kur nuk kishim këto produkte që kemi sot por kishim makarona dhe oriz, lakra dhe presh. Nuk do vazhdoj më me këtë problem sepse meriton një trajtim më vete.
Sa për të mbyllur lokalet apo bizneset pavarësisht nga thërritjet e mekura të ndonjë dështaku “ulni qepenat”, qepenat nuk do ulen por do rritet numri i atyre që do ti çelin. Ka ikur koha e qeverisjes si në mall të shqiptarëve. Shqipëria do bëhet.
Sigal