Pritet nisja e punimeve në Shqipëri, TAP hap tenderin për pjesën detare

115
Gazsjellësi “Trans Adriatic Pipeline” (TAP) shpalli këto ditë hapjen e tenderit për pjesën inxhinierike, prokurimin, ndërtimin dhe instalimin të pjesës detare të projektit si tubacion nënujor me diametër 36 inç në detin Adriatik mes brigjeve të Shqipërisë dhe Italisë jugore me gjatësi rreth 105 km. Në tender pritet të marrin pjesë kompanitë e parakualifikuara në muajin shkurt, ndërsa kontrata pritet të lidhet në fund të këtij vit, bëjnë të ditur burimet zyrtare të TAP-it. Sipas tyre, punimet do të përfshijnë punimet përkatëse në vend-dalje dhe vend-hyrje në Shqipëri dhe Itali bashkë me mikro-tunelin nënujor, instalimin në pjesën detare, ndërhyrjet në fundin e detit, instalimin dhe furnizimin e kabullit me fibër optike dhe aktivitetet e paratestimit dhe kontrollit. Ndërtimi i pjesës detare të tubacionit është planifikuar të nisë në vitin 2017.
TAP pritet të nisë së shpejti punën për ndërtimin e rrugëve dhe urave ku do të kalojë tubacioni në tokën shqiptare, pasi ndërtimi i tyre përbën hap vendimtar në përgatitjet për ndërtimin e tubacionit, të parashikuar që të nisë në vitin 2016. Dy muaj më parë, TAP përzgjodhi kontratën e parë për ndërtimin e rrugëve ndihmëse dhe urave në Shqipëri me sipërmarrjen e përbashkët si konsorcium “Gener 2″ sh.p.k dhe “Sicilsaldo” s.p.a për ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve ndihmëse dhe urave në Shqipëri. Ndërtimi i Gazsjellësit në Shqipëri parashikon një gjurmë të TAP-it në rreth 210 kilometra në pjesën tokësore dhe 37 km në pjesën detare në ujërat territoriale shqiptare të Detit Adriatik. Seksioni fillon në Bilisht Qendër në Qarkun e Korçës në kufirin shqiptar me Greqinë dhe mbërrin në Detin Adriatik 17 km në veriperëndim të Fierit, 400 metra në tokë nga vija bregdetare.
Në afërsi të Fierit do të ndërtohet një stacion kompresor dhe është planifikuar një stacion tjetër në afërsi të Bilishtit, nëse kapaciteti i gazsjellësit zgjerohet në 20 miliard metra kub. Përgjatë kësaj gjurme do të ndërtohen nëntë stacione valvulash bllokimi. Në zonat malore do të ndërtohen afërsisht 51 km rrugë të reja dytësore, ndërsa 41 km ekzistuese do të përmirësohen, 42 ura do të rehabilitohen dhe do të ndërtohen tre të reja. Puna për ndërtimin e çdo ‘segmenti’ zakonisht llogaritet të zgjasë nga tre në gjashtë muaj. TAP do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigande e Shah Deniz II në Azerbajxhan për në Evropë me një gazsjellës me gjatësi rreth 870 km, që do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në afërsi të kufirit turko-grek në Kipoi, do të përshkojë Greqinë, Shqipërinë dhe Detin Adriatik dhe do të dalë përsëri në tokë në Italinë e Jugut.