Prezantohet në Tiranë Banka Amerikane e Investimeve

100
Banka Amerikane e Investimeve nga sot është e pranishme edhe në tregun bankar shqiptar. Prezantimi i saj u bë mbrëmjen e së premtes në Tiranë, në një ceremoni ku morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Guvernatori i Bankës Gentian Sejko, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu, Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, etj.
Ndërsa përshëndeti prezencën për herë të parë të kësaj sipërmarrjeje në vendin tonë, kreu i Qeverisë Rama shprehu nevojën për rritje të nivelit të kreditimit të ekonomisë nga bankat.
“Sa na takon ne si qeveri, ndjehet nevoja që bankat të rrisin nivelin e kreditimit të ekonomisë. Kam shpresë të madhe që kjo bankë do të kthehet në shembull për bankat e tjera për tërheqjen e investitorëve”, u shpreh Rama.
Duke iu referuar marrëdhënieve shqiptaro-amerikane në tërësinë e tyre, Kryeministri tha se duhet të ushqehet në vijimësi kjo marrëdhënje.
“Jemi të vendosur ta çojmë përpara me ç’ka mundemi materializimin e kësaj dashurie, shqiptaro-amerikane, me prani edhe më të madhe kapitalesh në vendin tonë, kjo edhe për një arësye tjetër që ka të bëjë me kulturën e sipërmarrjes, me shpirtin e aventurës që amerikanët e kanë po kaq të spikatur, ashtu sikurse edhe disiplinën”, tha Rama para të pranishmëve në këtë ceremoni.