Presidenti i BERZH, vizitë dyditore në Shqipëri

801
Sigal

Presidenti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Chakrabarti, do të zhvillojë bisedime të nivelit të lartë me autoritetet shqiptare në datat 6 dhe 7 Shkurt, gjatë vizitës së tij të parë në vend që kur u emërua në këtë post në Korrik 2012. Qëllimi I vizitës është të nënvizojë mbështetjen e BERZH-it për Shqipërinë dhe do të jetë një mundësi për presidentin e këtij institucioni që të diskutojë me zyrtarët për prioritetet e vendit.

Chakrabarti, do të zhvillojë bisedime me kryeministrin Sali Berisha, ministrin e Financave, Ridvan Bode dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Presidenti I BERZH do të takohet gjithashtu edhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, zyrtarë të institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik. Ai pritet të vizitojë një sërë projektesh në të cilat ka investuar BERZH.

Banka është një nga investitorët më të mëdhenj në sektorin privat në Shqipërti duke mbështetur sektorin financiar dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, infrastrukturën dhe zhvillimin e burimeve natyrore. BERZH ka investuar në disa projekte të rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri si në modernizimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, terminalin e pasagjerëve në Portin e Durrësit, si dhe në programin e modernizimit të rrugëve lokale dhe rajonale, ku të gjithë këto projekte kanë mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit.