PREMTIMI PËR SHËNDETËSINË FALAS

873
Sigal

Shkëlqimi dhe rënia e spitaleve private; Shqiptarët shpenzuan 66 milionë euro për t’u kuruar privatisht

Edhe pse kanë kaluar mbi pesë vjet nga lulëzimi i biznesit të spitaleve private, të gjitha vazhdojnë të raportojnë humbje. Në 2017-n, për herë të parë, shumë spitale panë rënie të të ardhurave. Spitali i dytë më i madh në vend, Hygeia, ka finalizuar transaksionin e shitjes. Megjithatë, investimet vazhdojnë në tregun që qarkulloi 66 milionë euro në vitin 2017.

 Nga Ornela Liperi

Më shumë se 10 vjet më parë, spitalet private filluan investimet e tyre në Shqipëri, duke shfrytëzuar nivelin e ulët të shërbimeve në shtet dhe kërkesën në rritje të shqiptarëve për mjekim cilësor. Shumat e mëdha që të sëmurët shqiptarë shpenzonin në Greqi nxitën grupin grek Diagnostic and Therapeutic Center of Athens Hygeia që të hynte në Shqipëri. Investimi fillestar ishte 60 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare në faqen e internetit të kompanisë dhe aktiviteti nisi në vitin 2010. Investimet filluan të zgjeroheshin me shpejtësi, me hyrjen e Spitalit Amerikan (100% në pronësi të Balkan Alliance Healthcare B.V), që ka sot 5 spitale në Shqipëri, Salus (në pronësi të investitorëve privatë e të Salus Holding) dhe tendenca vijon, teksa në 2016-n u hap Spitali Kontinental. Por, ky inflacion spitalesh nuk duket se po rezulton fitimprurës. Pothuajse të gjithë veprojnë me humbje të mëdha edhe pas 6-7 vitesh aktiviteti, ndërsa të ardhurat dy vitet e fundit nuk po rriten më. Kanë filluar tashmë edhe tërheqjet e para. Në fund të vitit të kaluar, Spitali privat Hygeia Tiranë (i dyti më i madh sipas të ardhurave) nisi negociatat për t’u shitur tek operatorët e tjerë aktivë në treg. Transaksioni u finalizua vetëm në ditët e para të gushtit 2018 dhe blerësi është Spitali Amerikan. Vlera e shitjes sipas burimeve zyrtare ishte rreth 30 milionë euro (gjysma e investimit fillestar), nga të cilat grupi grek Hygeia do të arkëtojë një shumë modeste prej 1 milion eurosh, ndërsa pjesa tjetër do të shkojë për shlyerjen e kredive. Që prej fillimit të aktivitetit, Hygeia ka rezultuar me humbje të mëdha dhe nuk ka raportuar asnjëherë fitime. Në bilancet e 3 viteve të fundit (2015-2017) Hygeia e ka pranuar hapur që është në vështirësi financiare dhe ka hedhur dyshime në lidhje me aftësinë e shoqërisë për të vazhduar në vijimësi. Edhe blerësi, Spitali Amerikan, më i madhi privat në vend, është me humbje, por është optimist për vijimin e aktivitetit, pasi deklaron se këto humbje janë rrjedhojë e investimeve për zgjerimin e saj. Përvoja ndërkombëtare referon një cikël trevjeçar, kur përgjithësisht sipërmarrje të tilla fillojnë e japin fryte. Sipas një studimi të Korporatës Financiare Ndërkombëtare (bazuar në analizat që ajo ka bërë për kreditë e dhëna për spitalet private në vende të botës), investimet në spitale, me 100 deri në 200 shtretër kanë në përgjithësi një periudhë ku shpenzimet barazohen me të ardhurat (break even point) prej rreth tre vitesh. Raporti thekson se optimizmi i tepërt nga investitori apo huamarrësi është i zakonshëm në këto lloj investimesh (numri i pacientëve, të ardhurat, përfitueshmëria). Por, pse në Shqipëri aktiviteti i shërbimeve spitalore private po vijon me humbje të mëdha edhe pas ciklit 3 vjeçar?. Erilda Selimaj, drejtore e pergjitshme, e Spitalit Gjerman pohon për Monitor, se kjo vjen për për disa arsye: Së pari janë investimet e mëdha fillestare, që rëndohen më tej gjatë aktivitetit nga kostot e larta të personelit dhe shërbimeve mjekësore. Së dyti, konkurrenca është shtuar dhe ajo vlerësohet mjaft e lartë, duke bërë që operatorët të operojnë me çmime të ulëta të shërbimeve, çka po ndikon në rritjen e humbjeve. “Shqipëria është një treg i vogël dhe me nivel të ulët jetese. Çmimet e shërbimeve nuk i mbulojnë kostot”, pohon Selimaj. Ajo pranon që një shkak tjetër është edhe keqmenaxhimi që u është bërë spitaleve private në disa raste. Një tjetër problem i madh i spitaleve private është edhe gjetja e burimeve njerëzore, që është një sfidë më vete. “Shume spitale private punësojnë mjekë me kontrata të pjesshme, por këto kanë kosto më shumë se një i punësuar full time”. Kjo i ka rritur shumë kostot, pasi ndodh ndonjëherë që kosto part time e një mjeku të shkojë edhe 80 mije euro….në muaj.

66 milionë euro shpenzime për tu kuruar te privati

Ndërsa vetë spitalet nuk raportojnë biznese fitimprurëse, të sëmurët shqiptarë po shpenzojnë gjithnjë e më shumë privatisht për t’u kuruar në vend. Sipas të dhënave nga bilancet përkatëse, 7 spitalet dhe klinikat kryesore private në vend, Spitali Amerikan, Hygeia Hospital – Tirana, Salus, Spitali Gjerman (Cardio & Diagnostic Center Hamburg / TIR), Spitali Europian, Spitali Privat i Zemrës, Spitali Kontinental kanë qarkulluar në 2017-n në total rreth 8.9 miliardë lekë, apo rreth 66 milionë euro, me një rritje prej 6%, në raport me 2016. Rritja ka ardhur vetëm si rrjedhojë e zgjerimit të aktivitetit të Spitalit Amerikan dhe hyrjes së Spitalit Kontinental, ndërsa subjektet e tjera kanë rezultuar me rënie. Ky është viti më i dobët në drejtim të rritjes së të ardhurave, në ciklin e deritanishëm të aktivitetit të spitaleve private (në 2016-n, rritja 16% dhe në 2015-n arriti në 21%). Ndonëse një pjesë e këtyre parave janë rimbursuar nga shteti (p.sh., hemodializa me rreth 6 milionë euro), përqindja më e madhe ka ardhur nga xhepat e shqiptarëve të pakënaqur me sistemin shtetëror shëndetësor, edhe pse paguajnë sigurime e duhet të marrin shërbimin falas.
E panjohur mbetet shuma që shqiptarët shpenzojnë për t’u kuruar jashtë vendit, ku destinacionet kryesore mbeten Turqia, Greqia, Italia etj.

 Spitali Amerikan me humbje, por vijon investimet

Spitali Amerikan raportoi të ardhura prej 5.2 miliardë lekësh (rreth 40 milionë euro), me një rritje prej 15% me bazë vjetore, duke konsoliduar pozitat si spitali më i madh privat në vend dhe duke rezultuar i vetmi që vijon me rritje të qëndrueshme të të ardhurave.
50% e të ardhurave vjen nga shërbimet spitalore e ambulatore, sipas specifikimeve në bilanc, ndërsa 35% vjen nga laboratorët, radiologjia, kardiologjia etj. 15% e të ardhurave ishin nga hemodializa që nuk paguhet nga të sëmurët, por nga fondet e sigurimeve shëndetësore. “Gjatë vitit 2015, Spitali Amerikan ka marrë pjesë me 15% të aksioneve të kapitalit të zakonshëm në Dia-Vita sh.p.k., e cila ka fituar Koncesionin e Dializës në 2015, për të mbështetur këtë shërbim në pesë qendra të dializës. Kapitali fillestar i regjistruar i Dia-Vita sh.p.k. është 1 milion lekë dhe 15% e kontributit kapital të Grupit është kontribut në ekspertizë profesionale dhe veprimtari. Grupi pret të marrë dividendë në të ardhmen nga Dia-Vita, në proporcion me pjesëmarrjen e tij në pronësi”, thuhet në bilanc. Në janar 2017, është hapur spitali i tretë në Tiranë (me një nisje fillestare në nëntor 2016). Kontrata për ndërtesën e re është firmosur në maj 2016 dhe gjatë shtatë muajve pasues, Grupi ka punuar për të kryer riprojektimin dhe përmirësimet e nevojshme. Humbjet e grupit gati u dhjetëfishuan në 339 milionë lekë. Sipas shpjegimeve në bilanc, humbja e akumuluar e Grupit vjen kryesisht si rezultat i humbjeve të akumuluara të viteve të kaluara, si dhe investimeve në njësitë e reja. Aktivitetet e Grupit në Shqipëri dhe Kosovë gjenerojnë flukse pozitive të parasë. “Humbja e Grupit vjen si rezultat i aktivitetit në Kosovë dhe në veçanti, nga investimet në spitalin e ri në Prishtinë, i cili ka filluar aktivitetin në vitin 2015; spitalit të ri në Tiranë i cili rezultoi me shpenzime më të larta fikse dhe variabël se sa pritej; dhe zgjatjes së punimeve të rindërtimit në spitalin e parë në Tiranë, të cilat filluan në shkurt 2017 dhe përfunduan plotësisht në shkurt 2018. Për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2017, Filiali në Kosovë ka raportuar rritje prej 9% (2016: 96%) në të ardhura krahasuar me vitin paraprak, pas fillimit të shërbimeve të reja, veprimtarisë në mjediset e reja dhe volumit më të lartë të shërbimeve ekzistuese. Edhe pse Filiali aktualisht po operon me humbje, drejtimi pret që të vazhdojë të rritet në vitet e ardhshme dhe të rezultojë me fitim në vazhdimësi. Drejtimi beson se aftësia e Filialit për të vazhduar në bazë të parimit të vijimësisë nuk është përkeqësuar”, thuhet në bilanc.

Hygeia thellon humbjen

Spitali Hygeia, i dyti më i madh në vend, raportoi të ardhura prej 2.6 miliardë lekësh, me një rënie prej 3% me bazë vjetore në 2017-n, duke shënuar vitin e parë me tkurrje aktiviteti. Humbjet u thelluan me 15%, në 433 milionë lekë, sipas bilancit zyrtar. Detyrimet afatshkurtra i tejkalojnë aktivet afatshkurtra me 1.9 miliardë lekë. Edhe vetë kompania, në analizën e bilancit, për të tretin vit radhazi pranon gjendjen e vështirë të saj. “Pamundësia e shoqërisë në përmbushjen e kushteve të marrëveshjes së huasë dhe nevojave financiare, humbjet e saj të përsëritura nga operacionet, si dhe pozita negative e kapitalit punues mund të hedhin dyshime në lidhje me aftësinë e shoqërisë për të vazhduar në vijimësi. Aftësia e shoqërisë për të përmbushur detyrimet dhe për të vazhduar në vijimësi varet nga fondet e marra nga shoqëria mëmë. Shoqëria mëmë është angazhuar të vazhdojë të sigurojë mbështetje financiare për shoqërinë. Drejtimi beson se po merr të gjitha masat e nevojshme për të mbështetur qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e biznesit të shoqërisë në rrethanat e tanishme”, thuhet në shënimet e bilancit. Spitali ka një stok kredie prej 2.7 miliardë lekësh, deri në fund të 2017-s, të cilin e ka marrë në vitin 2010 nga dy institucione ndërkombëtare, BERZH dhe Banka e Detit të Zi për Tregti dhe Zhvillim. Por, Hygeia ka pasur vazhdimisht vështirësi në pagimin e tyre ndaj e ka ristrukturuar dhe shtyrë vazhdimisht pagimin e principalit dhe për momentin po paguan vetëm interesat, sipas deklarimeve në bilanc. Në qershor 2018. Hygeia miratoi një rritje kapitali, nga 3.7 në 4 miliardë lekë. Megjithatë, humbjet e akumuluara në kapital për shkak të aktivitetit të vazhdueshëm negativ, arrijnë në 2.7 miliardë lekë. “Tashmë jemi Spitali Amerikan”, tha për “Monitor”, Loenard Solis, drejtor i Hygeia, “por mbase do ta ruajmë edhe pak emrin”.

Të tjerët

Salus, spitali i tretë më i madh privat në vend, pas një rritje të shpejtë që kur kishte nisur aktivitetin, shënoi për herë të parë rënie në vitin 2017. Të ardhurat ranë me 8% në 500 milionë lekë. Edhe ky spital ka vijuar të rezultojë me humbje, që pothuajse është dyfishuar në 65 milionë lekë. Spitali Gjerman ka raportuar rënie të ardhurash me gati 20% në 238 milionë lekë. Ai është nga të paktët me fitim, që gjithsesi po ulet nga viti në vit, duke zbritur në 13 milionë lekë në 2017-n, nga 25 milionë lekë në 2016-n, nga 87 milionë lekë në vitin 2015. Spitali Europian dhe Spitali Privat i Zemrës kanë parë të dyja rënie të të ardhurave, përkatësisht me 30% dhe 6.3%, pas rritjes së fortë të vitit të mëparshëm. Spitali Europian vijon me humbje të mëdha, që janë dy herë më të larta se të ardhurat. Ndërsa Spitali i Zemrës rezulton me një normë fitimi para taksave prej 32%, duke e bërë atë spitalin privat më fitimprurës në vend.

Megjithatë, hyrjet e reja nuk mungojnë

Zgjerimi i spitaleve ekzistuese dhe ngadalësimi i të ardhurave nuk e ka penguar hapjen e të rejave. Spitali Kontinental, i regjistruar në vitin 2015, ka realizuar në 2017-n të ardhura prej 102 milionë lekësh, ndërsa humbjet ishin rreth 55 milionë lekë. (Monitor)