Premti: “Në Dumre ka naftë të cilësisë së lartë, të tipit gaz kondensatë”

1757
Intervistë me Prof. Dr. Irakli Premti, ish drejtor i Përgjithshëm i Minierave të Shqipërisë 
Kryeministri Rama, këto ditë në Kongresin Botëror të Naftës në Turqi, foli për potencialin, si të thuash befasues, naftëmbajtës që ka Shqipëria. Cili është komenti juaj? 
-Zoti Rama, sigurisht që është bazuar në mendimin e specialistëve shqiptarë dhe atyre të huaj, që rrëfejnë për burimet e mundshme naftëmbajtëse në Shqipëri, ende të pastudiuara e të pa eksploruara. Ka ardhur koha që të ndërmerret një hap vendimtar për t’i kthyer këto burime potenciale në burime reale të zhvillimit ekonomik shqiptar. Mjafton të sjell ndërmend burimin naftëmbajtës të Dumresë për të cilin janë bërë kërkime shteruese dhe unë jam njëri ndër ata që e kam studiuar me themel këtë burim. 

Profesor, si ju lindi ideja për kërkim nafte në Dumre?
Unë kam gati tridhjetë vjet që kam studiuar Dumrenë. Jam bazuar në përvojën time të gjatë në fushën kërkimore në sektorin e naftë-gazit, mbasi pas kthimit tim nga specializimi në Itali, më emëruan në Institutin e Kërkimit të Naftës dhe këtu kreva shumë studime e kërkime, ku studimet për zonën e Dumresë, për shkak të resurseve të mëdha naftëmbajtëse këtu, mund të themi se mbajnë kryet e vendit. Kur vajta në këtë institute, ish zv/ministri i Industrisë dhe Minierave më tha se ti je petrolog, prandaj do të caktojmë tek nafta, nuk e kundërshtova megjithëse unë nuk isha petrolog por mineralogjist. Më caktuan siç e thashë në Institutin e Naftës të studioja Dumrenë.

Ku u bazuat nga ana shkencore në këto studime?
Nga studimet gjeofizike për kërkimin e naftës e të gazit më gjerësisht janë përdorur gravimetria dhe sizmika. Punimet gravimetrike janë kryer në rajone të ndryshme të Ultësirës Pran-adriatike të zonës Jonike dhe pjesërisht të zonës Kruja dhe rezultatet i kanë përshkruar në raporte, relacione dhe artikuj. Kështu S. Arapi, Th. Pulija, P. Kita “Raport mbi punimet gravimetrike të kryera në rajonin Berat-Skrapar gjatë viteve 1970-1971” Fier 1972; nga S. Arapi e specialisti kinez Lu Sian Sin në “Mbi efektivitetin gjeologjik të gravimetrisë për kërkimin e strukturave gëlqerore në rajonin Vlorë-Roskovec” Fier 1973. S. Arapi në “Raport mbi rrjetin mbështetës gravimetrik të territorit perspektiv për naftë e gaz” Fier 1973; si dhe “Zhvendosja e anomalive gravimetrike nga kulmi i strukturave” Përmb. Stud.Nr.4,1974; “Krijimi i rrjetës mbështetëse gravimetrike për pjesën jugperëndimore të vendit tonë” Përmb.Stud.Nr.3,1976; “Metodat e gravimetrisë dhe rritja e efektivitetit të sajë në kompleksin e metodave të kërkimit të naftës dhe gazit” Nafta dhe Gazi Nr. 5, 1977; “Llogaritja e efektivitetit të forcës së gravitetit për trupat gjeologjikë në dy tri përmasa e me trajtë të çfarëdoshme si dhe përdorimi në interpretimin e anomalive gravimetrike”, Përmb. Stud. Nr. 2,1979 etj. Punimet sizmike janë zhvilluar në rajone të ndryshme në Ultësirën Pranë-adriatike dhe në zonën Jonike, rezultatet e të cilave janë paraqitur në raportet përkatës, nga ekipi sizmik Nr. 5 “Raport mbi punimet sizmozbuluese të kryera në zonën Sqepur-Bistrovicë shkalla 1:20000” Fier 1971 A. Kokobobo, V. Xhango “Raport mbi punimet sizmozbuluese të kryera në rajonin Mbrostar-Cakran viti 1971” Fier 1972 dhe në “Raport mbi punimet sizmozbuluese të kryera në rajonin Ballagat-Dumre gjate vitit 1972” Fier 1973. Nga A. Toska, T. Meçe etj “Raport mbi rezultatet e punimeve sizmozbuluese të zhvilluara në rajonin e Dumresë gjatë vitit 1971” Fier 1972; T. Meçe, Xhu Mao Sun etj “Raport studimi i karakteristikave të reflektimeve nga gëlqerorët në rajonin e Vurgut “ Fier 1972, A. Toska, Co Çen Sian, D. Mezini “Raport mbi punimet sizmozbuluese të zhvilluara në rajonin Vurgut gjate vitit 1972” Fier 1973. P. Sadushi, Dh. Stefa “Raport mbi punimet sizmozbuluese të zhvilluara në rajonin Amonicë-Kocul” Fier 1972; nga H. Topçiu, A. Çollaku etj “Raport mbi punimet sizmozbuluese të zhvilluara në rajonin Vjose-Poro gjate vitit 1972” Fier 1973. H. Topçiu dhe në artikujt “Influenca e konditave sizmogjeologjike në punimet sizmike me metodën e valëve të reflektuara” Nafta dhe Gazi Nr. 4 1975; “Përcaktimi i saktë i shpejtësive të shpërndarjes së valëve elastike rrit precizimin e punimeve sizmike” Nafta dhe Gazi, Nr5, 1975; “Mbi kerkimet e drejtëpërdrejta të vendburimeve të naftës e gazit me anën e kompleksit të punimeve gjeofizike” Nafta dhe Gazi” Nr. 1, 1976; V. Bare, V. Leci “Raport mbi punimet sizmozbuluese të kryera në zonën Bistrovicë-Osmanzezë” Fier 1972, dhe “Raport mbi punimet seizmozbuluese të kryera në zonën Ninësh-Osmanzezë shkalla 1:25000” Fier 1973, V. Bare dhe në artikullin “Disa veçori të punimeve sizmike në rajonet malore me kondita sizmologjike të komplikuara” Nafta dhe gazi, Nr. 2, 1972; D. Mezini, E. Veziri “Raport mbi punimet sizmozbuluese të kryera në rajonin Shushicë gjate vitit 1973” Fier 1974; V. Bare, V. Xhango, E. Veizi “Raport ndërtimi gjeologjik dhe perspektiva naftë-gazmbajtëse të rajonit Elbasan-Papër-Shtëpaj (në bazë të punimeve sizmike të vitit 1974 dhe punimeve të tjera gjeologjike” Fier 1974; nga E. Veizi, “Një metodë për përdorimin më të drejtë të profileve sizmike të trasuar në periklinalet e strukturave për ndërrimin e skemave strukturore” Nafta dhe gazi, Nr. 5, 1975; Th. Kamberi, Dh. Gjenerali, C. Xhufi etj “Raport mbi rezultatet e punimeve sizmike të kryera gjatë vitit 1975 në rajonin e Prishtës” Fier 1976; Z. Bega, C. Xhufi “Vlerësimi I ndërtimit të prerjeve të thellësisë me anën e diagramave në zona të përgjithësuara të ligjshmërisë së shpejtësisë v(z)=v0 (1+bzz)*v2 sipas metodës së përafrimit” Nafta dhe gazi, Nr. 2, 1978; dhe “Mbi studimin e ligjshmërive të përhapjeve të shpejtësive” Nafta dhe gazi, Nr. 3, 1978.

Studimi i zonës së Dumresë, si një zonë me kapacitete të larta naftëmbajtëse, më ka tërhequr gjithmonë dhe ka qenë një ëndërr e imja si inxhinier gjeologjie, për të kryer një studim shterues dhe mbi të gjitha punime shteruese në këtë zonë naftëmbajtëse. E gjithë kjo përvojë e sjellë nga kolegët e mi, ishte një nxitje për mua për të studiuar hollësisht Dumrenë, për kërkimin e naftës dhe gazit në këtë zonë.

Ju keni thënë se ju ka shtyrë drejt Dumresë një artikull shkencor për Porto Alegron në Brazil. A mund të diçka më shumë rreth kësaj?
-Vajtja në Itali dhe kontakti me rezultatet befasuese të Porto Alegros në Brazil, nëpërmjet kolegëve italianë, më dhanë një impuls dhe shkëndijë për të kërkuar në trevën e Dumresë, në mundësitë që, sipas meje, dhe disa kolegëve të mi, paraqiste kjo trevë në fushën e kërkimit të naftës dhe gazit. Mbasi u njoha me materialin nëpërmjet literaturës të profesorëve brazilianë që ishin në Itali ku unë pata rastin të hyjë në kontakt me to, vura re që këto studime përkonin e ngjasonin me strukturën naftëmbajtëse të Dumresë. E thënë ndryshe, këto dy struktura ngjasonin si dy pika ujë, në kuptimin gjeologjik-strukturor dhe teknonik. Pra, meqë në Porto Alegro kërkimet që lidheshin me evaporitet (gipset) kishin dhënë rezultat befasuese, unë ditë e natë mendoja se ky rezultat mund të aplikohej me metodën e analogjisë edhe në Dumre. Zona e përfytyruar si naftëmbajtëse në Dumre shtrihet në zonën e Shpirag-Dumresë, në një sipërfaqe prej 400 kilometër katror, nga Shpiragu-Berati e deri në Bënjë.

Ju i hodhët këto kërkime në disa botime shkencore, që zgjuan mjaft interes në atë kohë?…
Në vitin 1989, në revistën e mirënjohur shkencore “Buletini i Shkencave Gjeologjike”, në bashkëautorësi me Isa Bajon dhe Lufter Bandillin, botuam shkrimin me titull “Strukturat e brezit antiklinal të Beratit si pjesë përbërëse e zonës jonike nuk ndërpriten por mbulohen nga evraporitet e Dumresë”. Në këtë shkrim, mbi bazën e përgjithësimit të materialit gjeologjik, sizmik e gjeofizik për rajonin e Dumresë dhe të studimeve të artikujve të botuar në atë kohë për zonën jonike e për albanidet nga autorë të ndryshëm, dhamë mendime mbi ndërtimin gjeologo-strukturor të rajonit të Dumresë dhe marrëdhëniet me zonat kufizuese, mbi mekanizmin e ri të formimit të evaporiteve në këtë zonë naftëmbajtëse.

Çfarë ndodhi pas botimit të shkrimit tuaj, kur ju u kthyet nga Italia?
Pas botimit të këtij shkrimi nën shembullin e Porto Alegros, kur u ktheva nga Italia mësova se në Dumre, nën referimin e studimit tim dhe të dy kolegëve të mi, Luftar Bandilli dhe Isa Bajo, nga shoqëria angleze PRIMER, kishte filluar kryerja e shpimit të pusit në Dumre, gjë që unë e mora vesh vonë dhe nuk më erdhi mirë që qeveria e asaj kohe dhe strukturat e gjeologji minierave nuk qenë konsultua me mua për këtë shpim.

Shpimi i pusit, mbasi kaloi evaporitet (gispet) vajti në thellësinë 6128 metra dhe mbas kësaj thellësie ra në avari të pa likuidueshme. Pyetjet enigmë më mbajnë peng edhe sot: si ndodhi që ranë avari të pa likuidueshme (për treqind metra nuk u relaizua detyra gjeologjike) dhe pse firma nuk e vazhdoi shpimin edhe për treqind metra të ngelura, mbasi ajo kapi shtresën gjeologjike opima-opima?! Të gjithë të dhënat, hartat dhe grafikat që shkojnë deri në 500 faqe grafike të shkallëve të ndryshme, më çojnë në përfundimin shkencor se në Dumre ka naftë dhe nuk ka pak, por një sasi të mundshme që shkon deri në 4 milion metra kub gaz vetëm për një shpim, kur sipërfaqja e evaporiteve është 400 kilometra katror dhe imagjinojeni se sa puse mund të hapeshin e sa rezerva të fjetura mund të viheshin në punë. Ky fakt më vuri në dyshim se rënia në avari e pusit nuk ishte një rastësi. Nga të dhënat sizmike të strukturave të Dumresë, konstatohet se këto nuk kanë qenë të sheshta por të copëtuara tektonikisht dhe ilustruese për këtë është fakti se vetëm struktura e Dumresë është e ndarë me blloqe, njëzet e katër blloqe të thellësive të ndryshme.

Cila është mesazhi juaj për Dumrenë?
Tani, pas kaq kohësh, unë dua t’i rikthehem këtyre studimeve dhe të tërheq vëmendjen e specialistëve dhe të strukturave, sepse, e para: duhet të angazhohet një shoqëri për shpimet në zonën e Dumresë, një shoqëri japoneze ose kineze, qoftë dhe franceze, që të mund ta çojnë deri në fund realizimin e këtij projekti madhor për të ardhmen e naftës dhe gazit në Shqipëri. Imagjinojeni se çfarë bumi të fortë ekonomik mund të sillte zbulimi i rezervave të naftës në këtë zonë, rezerva për të cilat ka aq shumë nevojë ekonomia shqiptare për t’u ngritur dhe zhvilluar në këtë kohë krize dhe stanjacioni global. Për këtë duhet duhet ngritur një platformë që merret me shpimet e thella të naftës, ku të angazhohen specialistët më të mira dhe firmat më serioze se në Dumre ka naftë dhe kjo naftë nuk ka pse të flejë kot në thellësitë e saj.
Intervistoi: Dukagjin HATA 
Sigal