PPP-të e shëndetësisë shqiptare sipas modelit Blair

231

Vetëm 3 koncesionet e Edi Ramës në shëndetësi do t’u kushtojnë shqiptarëve 420 miliardë lekë. Mediat britanike: Anglia në krizë, do paguajë 100 miliardë USD për PPP e shëndetësisë të dhëna nga Toni Blair kur ky ishte kryeministër. Modelin Blair po e vuajnë edhe shqiptarët, pas emërimit të tij si këshilltar i Ramës

Emigranti që fitoi koncesionin 100 milionë USD me një të punësuar. Fitimet e PPP në shëndetësi u rritën me 60%

Koncesionet në shëndetësi kushtojnë 311 mln euro për 10 vjet

Shëndetësia shqiptare është në ditën më të errët të saj, për sa i përket shërbimeve, korrupsionit, babëzisë, mungesës së humanizmit dhe pazareve të ndyra. Me të ardhur në pushtet kreu i Rilindjes Edi Ramën ngriti strategjinë e koncesioneve në shëndetësi, e cila është modeli më i keq që përjetoi dhe vazhdon ta vuajë Anglia. Por askush nuk e dinte se kjo strategji ishte ajo që udhëzoi këshilltari i sapo emëruar i Kryeministrit Rama, ish-kreu i Laburistëve dhe kryeministër i tyre Toni Blair. Dhe Rama nuk vonoi dhe emëroi në krye të ministrisë së Shëndetsisë Ilir Beqajn dhe zëvendëse për koncesionet Milva Ikonomin, të cilën më vonë pasi mbaroi punë me PPP e shëndetësisë e emëroi Ministre të Ekonomisë. Në të gjitha vendet evropiane shërbimet bazë të shëndetësisë i ka vetë shteti si përgjegjësi dhe detyrim. Në Shqipëri grabitqarët iu turrën duke e shqyer fondin prej 160 milionë euro që kanë sigurimet shëndetësore çdo vit, dhe fondit tjetër prej 60 milionë euro që menaxhon ministria e Shëndetësisë po gjatë 1 viti. Spitalet shqiptare janë kthyer më shumë se private, ndërkohë që shteti mban me dhunë taksën e sigurimeve shëndetësore shqiptarëve. Të gjitha shërbimet, veglat e kirurgjisë, Check-up, sterilizim,dializa, operacionet e zemrës, lavanderi, parkim, ushqim, veshje, larje ,roje janë pjesë e koncesioneve me ideator Edi Ramën të këshilluar më së miri nga ish-kryeministri anglez Toni Blair, edhe ky një shërbëtor i klanit të sorosian. Po si ka mundësi që edhe Anglia po përjeton një kaos dhe një tmerr prej PPP të shëndetësisë të dhëna nga Toni Blair? Si ka mundësi që ky këshilltar ish-kryeministër vjen në Shqipëri, bëhet këshilltar i Ramës dhe udhëzon të njëjtin model vdekjeprurës në shëndetësinë tonë? Spitalet pa ilaçe, kaos, pa siguri sa edhe kriminelët qëllojnë me armë në spitale si në rastin e Fierit, parkim me lekë, analizat me lekë, për 1 skaner duhet të presës më javë të tëra. Me pak fjalë, një njollë e zezë e madhe në godinën e bardhë të shëndetësisë shqiptare, e cila ka qenë model për Evropën dhe botën dhe simbol i krenarisë shqiptare në 50 vitet e sistemit të mëparshëm. Gazeta britanike “The Guardian”, hedh dritë mbi skandalet në shëndetësinë angleze dhe bën insinuata , se ish-kryeministri britanik Toni Blair aplikoi modelin e tij tek Edi Rama nga i cili numri një i qeverisë shqiptare ka marrë “vesin” e PPP-ve (Partneritetit Publik Privat). Më vonë këtë model Rama e shtriu edhe në fushat e tjera të ekonomisë, duke bërë që vendi të varfërohet, pasuria të grabitet dhe shqiptarët të arratisen nëpër botë. Po veç Toni Blair në Shqipëri vjen edhe një studio që do mbronte koncesionarët nga gjyqet dhe kjo është firma ligjore e zonjës Blair, Omnia Strategy, është ngarkuar të veprojë për llogari të Shqipërisë në një mosmarrëveshje arbitrazhi me vlerë miliarda lekë. Tony Blair punon si këshilltar zyrtar për qeverinë e Shqipërisë, ndërkohë që qytetarët dhe deputetët kanë bërë thirrje për më shumë transparencë për marrëveshjet e vendit me çiftin Blair. Vetëm 3 koncesionet në shëndetësi të dhëna nga Edi Rama do t’i kushtojnë shqiptarëve 420 miliardë lekë. Historiku i njërit prej këtyre tre koncesioneve që iu premtua fillimisht një kompanie, e cila bëri projektet, iu hoq dhe iu dha një tjetër kompanie që fiton 70 milionë euro është e regjistruar nga një institucion investigimi ndërkombëtar dhe që do të bëhet publike në kohën e duhur, personat shqiptaro-të huaj që u morën fillimisht, si u flak dosja në një zyrë të rëndësishme se nuk u ra dakord për vlerën, dhe kush u paraqit më vonë tek kompania më e fuqishme evropiane e specializuar në këtë fushë të shëndetësisë.

Hetim, gjykim dhe pranga për të gjithë ata që kanë abuzuar me miliardat dhe gjakun e taksapaguesve shqiptarë. Ministria e Shëndetësisë duhet të jetë në krye të listës së SPAK dhe BKH, në mënyrë që t’u kthehet besimi qytetarëve dhe taksapaguesve shqiptarë. Shumave prej 311 milionë euro për 10 vjet koncesione duhet t’u shtohet edhe kontrolli i Sigurimeve Shëndetësore, i cili duke përfituar nga pozita monopol grumbullon rreth 160 milionë euro çdo vit nga taksa e punonjësve shtetërorë dhe privatë si pagesë për sigurimin shëndetësor. Ministri i Shëndetësisë së Kohës së PPP-ve, Ilir Beqaj duhet të jetë i pari që të japë llogari për miliardat e shpenzuara, pasi në spitale qytetarët duhet të paguajnë për gjithçka. Në mënyrë absolute të nisë hetimi për kontratën e Check-up dhe të bëhet publike, se përse kontrata nuk figuron e publikuar në faqet zyrtare dhe nga letërkëmbimet që “Telegraf” disponon me firmë dhe vulë, me ministrinë e Ekonomisë, Financave, Shëndetësisë, ISKSH, të gjithë deklarojnë se nuk e posedojnë këtë kontratë. Ka dhe të tjera materiale por që do bëhen publike pikërisht kur të nisë funksionin SPAK dhe BKH.

Bizneset që e kanë të lidhur aktivitetin e tyre me koncesionet, të llojit Partneritet Publik-Privat, janë duke realizuar fitime të larta, mbi mesataren e tregut. Norma mesatare e fitimeve në ekonomi ishte 7-8% sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2017, ndërsa norma e fitimit në koncesionet e shëndetësisë ishte 13% më 2018. Vitin e kaluar, fitimet e koncesioneve të sektorit të shëndetësisë u rritën 60% në raport me 2017, sipas të dhënave nga bilancet zyrtare që kompanitë kanë dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, të përpunuara nga “Monitor”. Të tria kompanitë që zotërojnë koncesione në shëndetësi raportuan 3.2 milionë euro fitime, nga 2 milionë euro që raportuan në vitin 2017. Pjesa më e madhe e fitimeve është realizuar nga koncesioni i sterilizimit nëpërmjet kompanisë SaniServis me rreth 2 milionë euro, teksa 3P Life Logistic që zotëron CheckUp-in dhe koncesioni i Hemodializës raportuan fitime më të ulëta se një vit më parë. Vetëm duke përllogaritur fitimet që rrjedhin nga koncesionet e shëndetësisë, që janë kontribut i pastër i taksave të shqiptarëve, shuma do të ishte e mjaftueshme për të ndërtuar një qendër spitalore publike moderne. Koncesioni i Laboratorëve –Spitalorë në vlerën e mbi 90 miliardë lekëve do jetë objekt i analizave investigative në numrat në vijim.

Koncesionet në shëndetësi kushtojnë 311 mln euro për 10 vjet

Qeveria shqiptare, deri më tani, ka autorizuar 311 milionë euro pagesa për katër koncesione në sektorin e shëndetësisë për 10 vitet në vijim. Ekspertët të sektorit të shëndetësisë po ankohen gjithnjë e më shumë se burimet financiare për sektorin po shkojnë në drejtimet dytësore dhe të treta, ndërsa parandalimi i sëmundjeve dhe trajtimi i tyre kërkon investime në pajisje dhe teknologji të reja, por realiteti është edhe më i trishtë, pasi edhe numri i shtretërve nuk mjafton në shumicën e pavijoneve të QSUT-se. Megjithëse koncesionet PPP në sektorin e shëndetësisë kanë hyrë në vitin e katërt, ka shumë pak transparencë ndaj tyre dhe analizat e kosto-përfitimeve mungojnë. Por të dhëna të fragmentuara që burojnë nga dokumente zyrtare tregojnë se koncesionet po rezultojnë me kosto shumë herë më të larta se përfitimet. Sektori i Shëndetësisë, historikisht ka qenë i nënfinancuar në Shqipëri, duke u vërtitur në mes 2-2.5% të PBB-së ndër vite. Me këto financime, shëndetësia shqiptare është më pak e financuar se në të gjitha vendet e Evropës. Për rrjedhojë, shqiptarët paguajnë nga xhepi 50% të kostove të shërbimeve shëndetësore që, sipas Bankës Botërore, që ka bërë këtë matje, është niveli më i lartë në Evropë

O1

Sterilizimi trefishon fitimin më 2018-n. Emigranti që fitoi koncesionin 100 milionë USD me një të punësuar

Kompania SaniServise, që ofron shërbimin e sterilizimit për instrumentet kirurgjikale, raportoi 265 milionë lekë fitime ose rreth 2.1 milionë euro, sipas deklarimeve zyrtare në bilancin e 2018-s. Të ardhurat e kompanisë arritën në 1.7 miliardë lekë vitin e kaluar, ndërsa norma e fitimit ishte 15%. Fitimet e SaniServis u trefishuan në raport me 2017-n. Kompania SaniServis ka fituar koncesionin e sterilizimit, me një total prej 12,3 miliardë lekësh për periudhën 2016-2025. Për çdo operacion që ofrohet në sallat shqiptare të operacionit, SaniServis paguhet 37,700 lekë për ndërhyrjet me intensitet të lartë, 22,300 lekë, për ndërhyrjet me intensitet të mesëm, 13,900 lekë, për ndërhyrjet me intensitet të ulët dhe 266 lekë, për ndërhyrjet dhe 266 lekë për paketimet. Ekspertët e Shëndetësisë pohojnë se kostot e sterilizimit kanë kaluar kostot e operacionit, dhe kjo është absurde, sipas tyre.

Po kush është emigranti që fitoi PPP-në 100 milionë USD të Sterilizimit?

Një biznesmen i vogël shqiptar nga Peruxhia, pronar i një agjencie ndërmjetësimi dhe një kompanie ndërtimi qëndron pas tenderit të kontestuar me vlerë 100 milionë USD të Ministrisë së Shëndetësisë për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale dhe sallave të operacionit. Për më shumë se një dekadë, Ilir Rrapaj drejtoi një kompani të vogël ndërtimi me vetëm një të punësuar, të regjistruar në një zonë të qetë rezidenciale në qytetin e Peruxhias të rajonit Umbria në Itali, të cilën e themeloi së bashku me dy të afërm të tij në vitin 2000, me një kapital të vogël prej 1500 eurosh. Megjithatë, pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e qershorit 2013, emigranti me origjinë nga fshati Rexhepaj i Vlorës u kthye në Shqipëri dhe vendosi kontakte me kreun e shëndetësisë shqiptare, Ilir Beqaj, me të cilin ka pasur takime të shpeshta ku kanë marrë pjesë edhe biznesmenë italianë, të interesuar në tregun e shërbimeve mjekësore. Dy vjet pas rikthimit në atdhe, me anë të një kompanie të regjistruar në Kosovë, Rrapaj është shpallur fituesi kryesor i një kontrate koncesionare prej 100 milionë dollarësh në një tender të kontestuar. Konsorciumi humbës pretendon që shpallja fitues e konsorciumit në të cilin Rrapaj ka shumicën e aksioneve është e paligjshme, pasi ai ka dhënë një ofertë që tejkalon fondin limit. Ajo e ka ankimuar vendimin e Komision të Vlerësimit të Ofertave, KVO të Ministrisë së Shëndetësisë në Komisionin e Prokurimit Publik, KPP. Të dhënat e mbledhura nga BIRN sugjerojnë se konsorciumi i emigrantit shqiptar, Ilir Rrapaj ka pasur kontakte të vazhdueshme me ministrinë e shëndetësisë dhe ministrin Beqaj që nga viti 2013. Mbetet e paqartë se çfarë roli luan kompania Invetital Ll.C në konsorcium, duke qenë që ka vetëm 1 të punësuar, kapital minimal dhe në dukje zero eksperiencë në fushën e mjekësisë. I pyetur nëpërmjet telefonit për marrëdhënien e tij me Ilir Rrapajn, ministri Beqaj në fillim mohoi ta njihte. Pasi BIRN i dërgoi ministrit disa fotografi ku ai shfaqej me biznesmenin nga Peruxhia, Beqajt iu rifreskuar memoria, duke pranuar se “kishte njohje me z.Ilir Rrapaj.” Më të detajuar këtë PPP dhe lidhjet me ish-ministrin Ilir Beqaj do e pasqyrojmë të zgjeruar në numrat në vijim.

02

Check-Up, 731 mijë euro fitime në vitin 2018

Koncesioni i kontrollit bazë Check-Up nëpërmjet kompanisë 3P LifeLogistic realizoi të ardhura në masën 876 milionë lekë, teksa fitimet ishin rreth 90 milionë lekë ose 731 mijë euro, sipas të dhënave nga Tatimet (kompania nuk ka dorëzuar ende bilanc) më 2018-n. Një vit më parë, fitimet e kompanisë ishin 750 mijë euro, mbi 100 milionë lekë. 3P LifeLogistic, kompania e themeluar për mbarëvajtjen e koncesionit 10-vjeçar të checkup-it zotërohet në 80% të aksioneve nga kompania Marketing & Distribution dhe në 20% nga kompania Trimed. E vendosur shpeshherë në shënjestër për koncesionin, qeveria është përpjekur ta mbrojë atë me argumentin, se kompania private ka kryer investime, që buxheti i shtetit nuk kishte mundësinë t’i bënte. Por bilanci i kompanisë duket se nuk e mbështet këtë argument. Kompania 3P LifeLogistic, e themeluar, në dhjetor 2014 me një kapital themeltar prej vetëm 30 milionë lekësh, ka deklaruar investime totale në laboratorë shumën prej 337 milionë lekësh, ndërkohë që të ardhurat nga taksapaguesit kanë qenë në vlerën e 554 milionë lekëve. Gjithashtu, koncesioni i ka mundësuar kompanisë që pas një investimi në kapital themeltar prej vetëm 30 milionë lekësh, brenda nëntë muajve nga fillimi i aktivitetit të nxjerrë një fitim neto prej 45 milionë lekësh, me një normë kthimi prej 150%. Kontrata do të zgjasë për dhjetë vjet, gjatë të cilave, tatimpaguesit do të paguajnë rreth 54 milionë euro, pavarësisht se sa do të jetë numri i analizave të kryera.

03

Dializa, DiaVita fiton 381 mijë euro

Kompania tjetër DiaVita, e cila ofron shërbimin e dializës nëpërmjet një koncesioni realizoi, rreth 47 milionë lekë, ose 381 mijë euro fitime vitin e kaluar. Sipas të dhënave zyrtare nga bilanci i vitit 2018, kompania realizoi të ardhura rreth 643 milionë lekë, të cilat janë financime nga buxheti i shtetit për shërbimin e dializës që kompania ofron prej dy vitesh në disa qytete të vendit. Edhe pse të ardhurat në 2018-n ishin më të larta se një vit më parë, kompania raportoi rënie të fitimeve me 36% në raport me vitin 2017. DiaVita që ka fituar të drejtat e koncesionit për një periudhë 10-vjeçare, që nga momenti ku kontrata u bë aktive në vitin 2016 dhe është e vlefshme deri më 2026. Në buxhetin e shtetit, koncesioni i Dializës është parashikuar të financohet me 655 milionë lekë në vit. Sipas kontratës me qeverinë, DiaVita do të ofrojë shërbimin e dializës në 5 qendra pranë spitaleve, përkatësisht; në Lezhë, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe në Elbasan. Qeveria shqiptare ka argumentuar, se e autorizoi këtë shërbim te privati për të rritur standardet e shërbimit dhe për mundësimin e ofrimit të këtij shërbimi sa më pranë pacientit. Së fundmi, Kompania DiaVita sh.p.k., që ka aktualisht koncesionin e hemodializës me një afat 10-vjeçar, është shitur te një kompani suedeze. Kompanitë e përfshira në këtë transaksion Evita sh.p.k. dhe American Hospital që kanë krijuar që në fillesa DiaVita, kanë kërkuar miratim të përqendrimit nga ana e Autoritetit të Konkurrencës. Ky i fundit, në një njoftim të këtyre ditëve, bëri të ditur se pranë institucionit është depozituar njoftimi në lidhje me transaksionin e përftimit të kontrollit të shoqërisë DiaVita SHPK nga shoqëria Diaveruminternational

Si Britania po paguan edhe 55 miliardë paund për skemën e PPP në Shëndetësi

 

Një e gjashta e buxhetit të NHS (Kujdesi shëndetësor shtetëror) do të shkojë për shlyerjen e borxheve nga politika e epokës Blair në Britani, sipas një raporti të fundit. Sakaq, 109 kontratat ende aktive të PPP-ve, do të shtojnë kostot e vazhdueshme zhvatëse…

Deri në fund të 2050, kur përfundon kontrata e PPP në Shëndetësi, buxheti i NHS do të alokojë edhe 55 mld pound për koncesionarin.

Një investim fillestar prej 13 miliardë funtesh i financuar nga sektori privat, në spitalet e reja do të përfundojë duke i kushtuar NHS edhe një 80 miliardë paund në kohën kur të përfundojnë të gjitha kontratat, sipas një raporti të fundit studimor të IPPR, raporton britanikja “The Guardian”.

Skema PFI, e prezantuar nga qeveria e Punës e Tony Blair, ose Iniciativa Private e Financimit, lejon një konsorcium të bankave të sektorit privat dhe firmave të ndërtimit të financojnë, zotërojnë, operojnë dhe të japin me qira përsëri tek tatimpaguesi në Mbretërinë e Bashkuar, për një periudhë 30-35 vjet.

Asokohe, Qeveria Punës e Tony Blair zgjeroi ndjeshëm PFI si ‘një mënyrë të përshtatshme për financimin e  infrastrukturës publike.

Pavarësisht se shpesh kërkonte fundin e programit PFI, në vitin 2011 kancelari George Osborne ri-konfirmoi dhe vazhdoi të njëjtën politikë nën emërtimin “PFI 2”.

NHS i detyrohet 80 miliardë pound në shlyerjet e huasë PFI dhe “tarifat unitare”, termi teknik që përshkruan kostot e vazhdueshme zhvatëse të mirëmbajtjes së spitaleve përmes PFI – ku kontraktuesve privatë u jepen të drejta monopole 30-vjeçare për të ofruar mirëmbajtje dhe shërbime.

Sipas raportit të publikuar nga IPPR, ka shqetësime se devijimi i shumave kaq të mëdha në një kohë kur Britania ka probleme të tjera, rrezikojnë përballimin e tyre. Gjithashtu, ka probabilitet se mund të dëmtojë cilësinë e kujdesit dhe të rrezikojë sigurinë e pacientëve sepse NHS nuk kanë fonde për të punësuar mjaftueshëm staf.

“Kontratat toksike PFI janë duke larguar miliarda larg pacientëve dhe në llogari bankare private,” tha Chris Thomas, një bashkëpunëtor shëndetësor i IPPR, i cili kreu studimin.

Kontrata e PFI për Barts Health në Londër, që përfshin një shpenzim prej gati 1.2 miliard pound, është vlera më e madhe në NHS angleze. U pagua për ndërtimin e spitalit Royal London, i cili u hap në vitin 2012 dhe ka 845 shtretër, në 110 reparte.

Sidoqoftë, i gjithë projekti do t’i kushtojë NHSt 6.2 mld pound deri në kohën kur përfundon, sipas vlerësimeve të Thesarit. Barts harxhon 116 milion pound në vit për të shlyer borxhin e tij, që është 7.66% e të ardhurave të tij, sipas raportit IPPR.

109 kontratat ende aktive do të kushtojnë 2.15 mld pound për shërbimin në 2020-21, duke u rritur në 2.5 mld pound në 2030, sipas raportit.